Por fakti që perklorati është toksik, nuk do të thotë që përreth tij nuk mund të ekzistojë jetë, thotë shkencëtari Sam Kounaves i Universitetit Turfs.
"Ka një numër të madh bimësh që përqëndrojnë perkloratin dhe rriten në praninë e tij deri në një farë niveli. Ka shumë bakterje që përdorin perkloratin në metabolizmin e tyre. Pra është një kimikat i dobishëm për shumë organizma".
Gjetja e perkloratit në Mars i habiti shkencëtarët e Feniksit, thotë Peter Smith i Universitetit të Arizonës.
"Perklorati ishte diçka që më habiti. Askush nuk e kishte përmendur mundësinë e perkloratit në tokën marsiane. Mu desh të kthehesha tek tekstet e librave dhe të shihja çfarë ishte ky material. Pra këto javë për mua kanë qënë një periudhë mësimi".
Sonda Feniks është ndërtuar për të kërkuar shenja të pranisë së ujit dhe jo të perkloratiti apo shenja të jetës.
Zoti Smith tha se konferenca e djeshme telefonike me gazetarët ishte një ndryshim nga tradita meqë analiza e pranisë së perkloratit ishte ende në proces dhe kur pritet ende konfirmimi.
Nasa e organizoi konferencën pas zërave që po qarkullonin prej disa ditësh në internet rreth disa zbulimeve të mëdha në Mars, aq të mëdha saqë ishte informuar edhe Shtëpia e Bardhë. Por zëdhënësi i Nasës Dwayne Brown tha se nuk ka asgjë për tu njoftuar.
Shkencëtarët duhet të bëjnë prova të tjera për të konfirmuar praninë e perkloratit. Ata gjithashtu nuk e kanë të qartë në se zona e vogël rreth sondës Feniks përfaqëson tërë sipërfaqen e Marsit.