Fenomeni Kadare Dalin nga arkivat dokumente te panjohura

'Fenomeni Kadare': Dalin nga arkivat dokumente te panjohura
Studiuesi Shaban Sinani i rikthehet edhe njëherë fenomenit “Kadare”. Dokumentet e reja arkivore, letra dhe fjalime që nuk janë zbardhur më parë, vijnë si risi në një libër të pasuruar nga koha e botimit të mëparshëm “Një Dosje për Kadarenë”, botim i vitit 2005.  Libri i ri, i titulluar “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, mban siglën e shtëpisë botuese “Naimi”. Një botim që tejkalon të parin për shumësinë e informacionit të ri që sjell, i dokumentuar dhe i trajtuar hapur. Në versionin e ri libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia “Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare”, një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.

Ndërsa në pjesën e dytë të librit janë botuar dokumente të pajisura me shënime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Risia e këtij libri është botimi i 15 dokumenteve të reja, të cilat nuk ishin botuar më parë për shkak të kufizimit të ligjit 9154 “Për Arkivat” ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor. Në mesin e këtyre dokumenteve që botohen për herë të parë, janë edhe dy letra të Mehmet Shehut për Enver Hoxhën. Dy letrat janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore. Gjithashtu, në përbërje të librit botohet për herë të parë në tërësi pjesa e debateve Kadare-Alia, shoqëruar me referenca të sakta kronografike në fonodokumentin origjinal që ruhet në dy pjesë në formatimin CD.

Kjo është bërë për të sqaruar debatet gjatë dy dekadave të fundit për vërtetësinë a pavërtetësinë e paraqitjes publike të bashkëbisedimit të intelektualëve shqiptarë në takimin me Ramiz Alinë në gusht të vitit 1990. Duke qenë një libër i llojit dossier, në të janë botuar edhe dokumente të cilat përmbajnë fragmente që s’lidhen drejtpërdrejt me argumentin e këtij libri, por thjesht përjashtojnë paragjykimet. Në botimin e ri “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, autori ka vënë emrat e plotë të hartuesve dhe nënshkruesve të dokumenteve, për atë pjesë që në botimet e mëparshme kishin mbetur të identifikuar vetëm me nistore (iniciale), kryesisht për arsye etike. Botimi i dokumenteve me nënshkrimet e plota të autorëve do të dëshmojë shkallën e paimagjinueshme të demonizimit të shkrimtarit prej shkrimtarit gjatë periudhës totalitare; si dhe mund të ndikojë për mirë në debatet që hapen e rihapen në formë fushatash gjatë gjithë këtyre viteve për qëndrimin ndaj fshehtësive të arkivave dhe sidomos ndaj dosjeve të policisë së fshehtë politike. Sipas autorit të librit, botimi i një libri të ri për “fenomenin Kadare” ishte i nevojshëm, pasi “Historia e receptimit të letërsisë së realizmit socialist nuk mund të bëhet pa historinë e receptimit të saj në fazën para botimit, në procesin e editimit, kohën e mbikëqyrjes paradigmatike prej zyrave dhe institucioneve të specializuara për kulturën, letërsinë, ideologjinë, partishmërinë dhe vigjilencën”.

Pas disa pasaktësive të djeshme që u botuan duke u nisur nga ligjërata e prof. Sinanit në Seminarin XXX Ndërkombëtar për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare në Prishtinë, ku autori ndër të tjera iu referua librit të ri” “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K” , duhet sqaruar se jo të gjitha letrat (të cituara 7150) që udhëheqja partiake merrte në vitet ’70 dhe ’80 ishin për shkrimtarin Ismail Kadare dhe veprën e tij”. Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K” nuk duhet ngatërruar me botimin tjetër “Një dosje për Kadarenë” që është botuar në vitin 2005 dhe më pas në gjuhën frënge në vitin 2006.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama