Çdo kauzë kërkon protagonistët e saj dhe zërit të tyre u bashkohen me pas dhjetëra, qindra, mijëra apo milionë. Fenomeni "Kony 2012", është parë përmes internetit- nga 82 milionë njerëz në mbarë globin. Jehona e tij mori përmasat e një cunami që përpiu çdo rrjet social, “Youtube”, “Facebook”, “Twitter”, u klikua nga miliona përdorues dhe bëri të njohur famëkeqin, Xhosef Koni, masakrat e kryera nga “Ushtria e Rezistencës së Zotit”, LRA, në veri të Ugandës, Republikën Demokratike të Kongos dhe Sudanin Jugor, përfshirë rrëmbimin e mbi 60 mijë fëmijëve.
Djemtë shndërroheshin në luftëtarë, ndërsa vajzat në skllave seksi dhe ata që nuk pranonin apo bënin rezistencë u priteshin veshët, buzët, hunda apo vriteshin.
Filmi i regjisorit Xhejson Rasëll, një prej themeluesve të shoqatës jo fitimprurëse “Invisible Children”, rrëfen historinë e Jakobit, të cilin e kishte njohur 10 vjet më parë në Uganda. Është historia e një djali që po vraponte për jetën. Kishte parë vëllain t’i pritej fyti nga rebelët, në përpjekje për t'i shpëtuar. Rrëfimi i tij-pavarësisht ëndrrës për t'u bërë avokat - nuk sheh shpresë. Për Jakobin, më mirë do ishte të vdiste, për t'u shpëtuar njerëzve të Konit. Xhozef Koni, prej 26 vjetësh rrëmbente fëmijë madje i detyronte të vrisnin dhe prindërit e tyre.
Koni- i pari në listën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare duhet ndaluar thotë kryeprokurori, Luis Moreno Ocampo dhe kësaj thirrjeje i janë bashkuar shumë njerëz të famshëm në të gjithë botën, Oprah Winfrey, Bill Gates, Angelina Jolie, Rihanna, Lady Gaga e shumë të tjerë. Dhe duke nisur nga premtimi Jakobit, 'Invisible Children' nisën aksionin, duke e bërë të famshëm Konin për mizoritë e tij.
Me kontributet e të rinjve vullnetarë, në Uganda u ngritën shkolla apo radio. Pas takimeve me kongresmenët amerikanë u arrit deri në dekretin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Barak Obama, në tetor të vitit 2011, për të nisur 100 këshillues ushtarakë në Uganda, Sudanin Jugor, Republikën e Afrikës Qendrore dhe Republikës Demokratike të Kongos për të ndihmuar në kapjen e Konit. Por jo pak kritika e ndoqën filmin, i cilësuar një pasqyrë bardh e zi, pa i inkurajuar shikuesit të mësojnë më shumë për situatën, me fakte të manipuluara për qëllime strategjike duke ekzagjeruar shkallën e rrëmbimeve të Ushtrisë së Rezistencës së Zotit. Kryeministri i Ugandës, Amama Mbabazi, kritikoi filmin duke thënë se krijon një përshtypje të gabuar të jetës në Uaganda, ku prej gjashtë vjetësh ka përfunduar lufta.
Nga çfarë shihet aty - tha ai duket - sikur Koni është në Uganda ku konflikti vazhdon ende, ndërkohë që ushtria e tij është shpërbërë. Ai i ftoi të gjithë njerëzit e famshëm që e mbështesin nismën për të kapur Konin, ta vizitojnë Ugandën dhe ta shohin me sytë e tyre. Asnjë zgjidhje nuk vjen përmes indiferencës. Interneti, ky medium i lirisë po dëshmon se duhet jemi bashkë për çdo kauzë të drejtë, duke i shtuar asaj zërin tonë. Ka ardhur koha që rrjetet sociale të mos shihen si diçka e thjeshtë, por një mjet i ri për përmirësimin e botës dhe qëllimi i përbashkët gjen gjithmonë zgjidhje….
Dokumentari
Kony 2012 është një dokumentar i shkurtër i krijuar nga “Invisible Children”, Inc dhe i hedhur për publikun më 5 mars, 2012. Qëllimi i dokumentarit është që të promovojë lëvizjen bamirëse “Stop Kony” për të paditur kriminelin e luftës nga Uganda dhe të kërkuarin nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, Joseph Kony, i njohur ndërkombëtarisht në mënyrë që të realizohet arrestimi i tij deri në dhjetor 2012, kohë kur fushata skadon.
Dokumentari është përhapur në mënyrë të menjëhershme. Sot, ky dokumentar ka mbi 86 milionë shikime në YouTube, dhe mbi 16.6 milionë shikime në Vimeo, pa lënë pa përmendur shikimet që janë bërë në faqen zyrtare "Kony 2012", që operohet nga “Invisible Children”.
Dokumentari paraqet planet dhe përpjekjet e “Invisible Children” për të arrestuar Joseph Kony. Ai përshkruan taktikat brutale të luftës guerile të Kony-t, me ushtrinë rebele të grupit të tij, Ushtria Rezistente e Zotit dhe rajonet (Uganda veriore, Republika Demokratike e Kongos, dhe Sudanin e Jugut) në të cilat këto taktika janë përdorur. Një nga njerëzit kryesorë të përfshirë në këtë dokumentar është një i ri ugandez i quajtur Jacob (Jakob Acaye), vëllai i të cilit u vra nga ushtria. Si kundërpërgjigje, regjisori dhe themeluesi i “Invisible Children”, Jason Russell, i premtuan Jakobit se ai do të ndihmojë për të "Ndaluar Kony-n" (Stop Kony).
Dokumentari mbron uljen e shërbimit të detyruar dhe shtrënguar ushtarak të të rinjve dhe rivendosjen e rendit social.
Debatet
“Kony 2012” rrit peshën e fushatave të internetit
Një fushatë e një mediumi social për të ndriçuar figurën e rebelit, Joseph Kony, ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës për shkak të metodave të tij të tmerrshme. Madje, deri tani rreth 70 milionë persona e kanë shikuar dokumentarin tridhjetëminutësh të një studenti amerikan të titulluar, “Kony 2012“, i cili fakton krimet e rebelit të Ugandës. Masakrat dhe dhunimet i ka kryer edhe me ndihmën e ushtrisë së tij të rezistencës.
Kishte kohë të gjatë që jepeshin dëshmi për abuzimin e fëmijëve nga ana e Kony-t. Ai ka krijuar grupe paramilitare me fëmijë. Të gjitha këto janë pjesë e dokumentarit “Invisible Children”. Filmi u lançua në internet nëpërmjet rrjeteve sociale, si “Twitter“. Mbështetje për viktimat e Kony-t kanë dhënë edhe figura të famshme të industrisë së fuqishme amerikane të shoubiznesit, si Orpah Winfrey dhe Mia Farrow.
Kundërthëniet
Megjithatë, dokumentari ka nxitur edhe shumë kritika. Disa kritikë kanë nisur dhe mbaruar me keqinterpretimin e gabuar të përshkrimit të krimeve të Kony-t, përfshirë edhe faktin se Kony ka kohë që është mposhtur dhe se tani është në arrati. Të tjerë kanë thënë se Kony u krijua për shkak të pabarazisë ndërmjet të bardhëve dhe zezakëve në Afrikë. Dikush është mjaftuar me përshkrimin “djalë i keq”. Por ka të tjerë që mendojnë se lançimi është bërë me qëllim të kthimit të kujtesës. Disa e kanë krahasuar me Hitlerin.
Shumë gazeta dhe revista të famshme janë marrë me analizë të fakteve të përshkruara. Dikush thotë se janë të rënda krimet e prezantuara në video. Por me të drejtë gjenerata e re dëshiron të dijë sesi ka mundësi që një kriminel që për një kohë aq të gjatë i janë të njohura krimet dhe gjenocidi, ende është i lirë dhe bota nuk arrin ta kapë dhe gjykojë.
Komente të ngjashme janë bërë edhe kundër kushteve të fabrikave në Kinë që prodhojnë produkte të “Apple”: A është njëmend kjo korporata më e pasur në botë që lejon punëtorët e saj të punojnë në kushte të këqija? Ka pasur përgjigje se askush nuk mund ta dijë me saktësi se cilat janë kushtet në të cilat punojnë punëtorët në një fabrikë në një zonë rurale kineze.
Ngjashëm u përgjigjën edhe miliarderët e “Wall Street”-it kur anëtarët e lëvizjes “Pushtoje Wall Street”-in kërkuan ta dinin se pse drejtuesit financiarë po merrnin paga astronomike në kohën kur po rritej dallimi ndërmjet të pasurve dhe amerikanëve të varfër.
Dështimi i diskutimit
Dhe në të gjitha rastet, kritikuesit duket se e dështuan qëllimin kryesor. Ata që organizojnë këto kauza nuk duan që të dalin në ballë të njerëzve dhe të rrokin bajrakun: duan që gjithçka të mbahet brenda një organizimi të thjeshtë, sikurse është rasti i videos “Kony 2012”.
Ethan Zuckerman, ekspert i rrjeteve sociale, bazuar në një studim të kryer nga Severine Autsserre, ka kritikuar publikimin e dokumentarit të fokusuar në vrasje dhe dhunime të kryera nga ushtarët fëmijë të Kony-t. Zukcherman ka shkruar se “fokusimi, sipas Autesserre, në dhunim si një armë lufte i ka nxitur disa grupe të armatosura të angazhohen në dhunime masive si një teknikë për të tërhequr vëmendjen dhe një vend në tavolinën e bisedimeve”.
Prandaj, ai mendon se disa grupe janë munduar ta rrisin numrin e dhunimeve. Por diçka ia ka arritur të ndryshojë dokumentari “Kony 2012“, jo për figurën e Kony-t, por në mendësinë e shikuesve. Miliona njerëz e kanë shikuar atë dhe këta miliona të lidhur nëpërmjet rrjeteve sociale në internet mund ta rrisin presionin ndaj politikanëve që marrin vendime. Ata po kërkojnë dërgimin e këshilltarëve ushtarakë amerikanë për kapjen e Kony-t.
Është një kohë kur po rritet ndikimi i politikës publike dhe kur politikanët shohin vullnetin e qytetarëve në bazë të reagimeve të tyre të shprehura në rrjete interneti. Dhe nuk ka nevojë të dalë një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të thotë se një rebel lokal po bën kërdi nëpër zona të Ugandës. Edhe një amator me një kamerë të thjeshtë mund ta tronditë botën me imazhet e tij.
Shkencëtarët e Universitetit të Yale kanë thënë se po i marrin shumë seriozisht dilemat e ngritura nga “Kony 2012“ dhe po shqyrtojnë mundësinë e integrimit të informatave të amatorëve për zonat “e thella” të globit, me qëllim që vendimmarrja të ketë një pasqyrim të qartë, shkruan sot “Koha Ditore”.