Ferial Alibali Lamtumire themelueses se teatrit Aleksander Moisiu

Ferial Alibali: Lamtumire themelueses se teatrit 'Aleksander Moisiu'
Aktorja është përcjellë dje me një ceremoni familjare. Prej vitit 1975, jeta artistike e saj u ndërpre, pas dënimit politik të bashkëshortit. Aktorja Ferial Alibali është përcjellë dje në banesën e fundit. Artiste e gjeneratës së parë, Alibali është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare në shtëpinë e saj, në Tiranë. Ceremonia e varrimit ka qenë familjare. Për aktoren nuk janë zhvilluar homazhe në Teatrin Kombëtar. Alibali kishte vite e shkëputur nga jeta teatrore dhe artistike. Ferial Alibali lindi në qytetin e Lushnjës, në vitin 1933. Në moshën 19-vjeçare ajo filloi karrierën e saj artistike në Teatrin Profesionist të Korçës. Në vitin 1953 ajo gjendet mes 15 aktorëve që themeluan teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, mes Nikolin e Meropi Xhojës, Spiro Urumit, Teodor Rupit, Vlash Kalavacit etj. Në shtator të vitit 1955 ajo pranohet si aktore në Teatrin Popullor, më vonë Teatri Kombëtar. Ajo aktroi në këtë teatër deri në vitin 1975, ku interpretoi mbi 50 role të ndryshme, ndër të cilët spikasin rolet e Zogës, Nastjas, Drandes, Mirës, Hajries, Nicës etj.

Ajo ka interpretuar gjithashtu role të shumta në filmat artistikë shqiptarë të kohës. Por mbas vitit 1975 jeta artistike e Ferial Alibalit u ndërpre për shkak të dënimit politik të bashkëshortit të saj nga ana e regjimit të kohës. Për meritat dhe veprën e shquar artistike, Ferial Alibali është dekoruar nga Presidenti i Republikës me disa urdhra dhe medalje. Presidenti Bamir Topi ka ngushëlluar familjarët e aktores së njohur Ferial Alibali, për ndarjen e saj nga jeta. “Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, aktores së paharruar të skenës dhe kinematografisë shqiptare, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta!” - thuhet në mesazhin e kreut të shtetit, ndërsa vlerësohet profili i saj artistik, duke theksuar se rolet e aktores vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm. “Talenti i Ferialit, që me pesëdhjetë rolet në teatër dhe portretizimet e saj kinematografike përcolli ndjeshmërinë e një artisteje të rrallë, do mbetet i paharruar si për ata që e njohën personalisht, ashtu edhe ata që e admiruan aktrimin e saj kudo nëpër Shqipëri dhe anembanë trevave ku jetojnë shqiptarë. Rolet e saj do të vazhdojnë të frymëzojnë brezat e ardhshëm të artisteve të reja”,  - vijon më tej mesazhi i kreut të shtetit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama