Botimet Albanologjike,
Qendra e Studimeve Albanologjike
ISBN 978-9928-141-05-7
Enciklopeditë përgjithësisht janë vepra që realizohen nga institucione të specializuara që angazhojnë për këtë qëllim një grup autorësh dhe jo një autor të vetëm, sepse e parë kështu, hartimi i një enciklopedie duket si një mision pothuajse i pamundur nga një individ. Mirëpo me sa shihet, kjo nuk ka funksionuar në rastin e prof. dr. Ferid Hudhrit. Tashmë mund të themi me plot bindje se pothuajse i gjithë fondi ndërkombëtar i artit pamor kushtuar Shqipërisë është sot në duart e publikut shqiptar, falë këtij studiuesi.
Kjo dëshmon qartazi punën, përkushtimin dhe hulumtimet e pambarimta të tij, gjithë modesti, pa bujë dhe me një skrupulozitet të pashembullt. Botimi është një vepër vëllimore, një botim special me ngjyra dhe cilësi të lartë, me një tipografi cilësore, fryt i punës këmbëngulëse kërkimore dhe studimore për më se katër dekada nga ana e autorit të saj. Enciklopedia përmban 480 faqe, në formatin 26×33 cm, tekst me ilustrime me ngjyra dhe bardhezi, sipas materialeve origjinale të mbledhura nga vetë autori. Trojet e banuara nga shqiptarët, ndonëse gjeografikisht i takonin Europës, u mbajtën për shumë kohë larg ndikimit iluminist, ngaqë për shkaqe që tashmë dihen ndodheshin në skajin më të largët të Perandorisë Osmane, e për rrjedhojë, u ndien gati të harruara.
Gjithsesi, ata patën fatin të ishin nga ana tjetër, pranë portave të Perëndimit, rrjedhimisht më pranë studiove të piktorëve dhe skulptorëve europianë, ku pamje të jetës së përditshme përjetësoheshin në tablo, statuja, monumente, si dhe në vepra të tjera arti. Për fatin e mirë të saj, hapësira shqiptare u vizitua shpesh nga piktorë dhe skulptorë europianë, kështu që boshllëku që ishte krijuar këtu prej disa shekujsh nga mungesa e artistëve vendas, u përplotësua prej veprave të tyre, si dhe nga skicimet e udhëtarëve të ndryshëm që vinin nga Perëndimi e që u binte udha të qëndronin kalimthi përkohësisht në vendin tonë. Gjithë kjo krijimtari e begatë, shtrirë në të gjitha gjinitë dhe zhanret e arteve pamore, përbën objektin e enciklopedisë së hartuar nga Ferid Hudhri.
Fillimet e kësaj vepre, pavarësisht se kanë qenë modeste, datojnë në vitet ‘70, kur autori botoi si prova nismëtare disa shkrime në gazetën “Drita”, të cilat sollën që atëherë në vëmendjen e lexuesit anë të panjohura të historisë sonë nëpërmjet artit pamor në pikturë, skulpturë dhe grafikë realizuar nga autorë të huaj për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këto shkrime fillestare, në fillim pa pretendime, u organizuan dhe dhanë produktin e parë; variantin e parë (1989), në të cilin përmblidheshin 200 vepra arti, të cilat ishin vetëm një pjesë e vogël e asaj që do të realizonte më pas autori. Në vitin 1990, autori e botoi këtë punë në gjuhën angleze me titullin “Albania in the World Art”, Athinë, 1990, të plotësuar me 100 riprodhime të reja në pikturë, skulpturë dhe grafikë.
Puna kërkimore e asokohshme, kur Shqipëria ishte tejet e izoluar, nuk mundësonte një shterim të kënaqshëm të galerive, muzeve dhe koleksioneve që mbartin brenda tyre objekte që përbënin objektin e kërkimit të Hudhrit. Për kushtet e atëhershme, ato dy botime dhe bashkë me to edhe përvoja e fituar përgjatë realizimit të tyre, shërbyen si bazë e fortë për hartimin e kësaj enciklopedie.
Me rënien e regjimit komunist dhe hapjen e vendit, kishte mundësi shumë më të mëdha kërkimi, hulumtimi dhe studimi nëpër galeri, muze, biblioteka, arkiva dhe koleksione private të ndryshme në qendra kryesore të artit botëror në shumë vende të botës, si Paris, Romë, Londër, Athinë, Nju Jork dhe deri në Shën Petërburg (në British Museum, Victoria and Albert Museum, Wallace Collection në Londër, në Art Museum në Mançester, në Musé du Louvre e Muse d’Orsay në Paris, në Metropolitan Museum of Art në Nju Jork, Houghton Library në Harvard, Muzeun Ermitazh në Shën Petërburg e Galerinë Tretjakov në Moskë, në Muzeun Uffizi në Firence, në Galerinë e Arteve Moderne në Romë, Muzeun e Soloturnit në Zvicër, Benaki Museum në Athinë) etj., duke siguruar kështu të dhëna të mjaftueshme për enciklopedinë me temë shqiptare.
Nga 118 autorë që kishte përfshirë në botimin e parë, tash në këtë botim enciklopedik, numri i tyre shkon në 1250 piktorë, skulptorë dhe grafistë, ndërkohë që numri i riprodhimeve është 1112 copë. Enciklopedia ka gjithsej 871 zëra/njësi enciklopedike të zgjedhura nga mijëra vepra arti nga një arkiv personal, që sikurse e përmend autori shkon në mbi 1400 dosje dhe 7000 njësi arkivore, çfarë dëshmon një punë të pallogaritshme hulumtuese kërkimore dhe sistemore, pas së cilës qëndrojnë 40 vite të tëra pune. Në parathënie, autori ka shpjeguar përmbajtjen, historikun e kërkimeve, kriteret e përdorura për hartimin e enciklopedisë, si dhe falënderimet për ata që e kanë ndihmuar në realizimin e saj.
Për çdo zë/njësi enciklopedike autori ka përshkruar të dhënat kryesore për artistin, veprat që lidhen me vendin tonë, vlerësimin e tyre, si dhe bibliografinë për secilën, një mënyrë kjo mjaft e mirë referenciale, për këdo që është i interesuar për kërkime të mëtejshme për artistin apo veprat e tij. Janë vendosur pranë njëri-tjetrit artistë përfaqësues të vendeve, kohëve, drejtimeve e stileve të ndryshme, të cilët i bashkon Shqipëria dhe shqiptarët përmes veprave artistike që ata u kanë kushtuar.
Për çdo zë jepet një informacion i bollshëm, shoqëruar ky me material ilustrues burimologjik tejet të pasur. Autori nuk është kursyer të na informojë edhe për jetën dhe karrierën artistike të autorëve, duke theksuar interesimin dhe përkushtimin që ata kanë pasur ndaj botës shqiptare, natyrës së Shqipërisë, njeriut shqiptar, objekteve dhe kulturës materiale shqiptare. Për secilin prej piktorëve apo skulptorëve jepen edhe punimet me subjekt shqiptar që ai ka realizuar, historiku i krijimit dhe ekspozimit të tyre, lëvizjet nëpër ekspozita dhe koleksione të ndryshme dhe vendndodhja aktuale e tyre.
Enciklopedia është e pajisur edhe me aparatin e duhur ndihmës, i nevojshëm ky për të lehtësuar konsultimin e shpejtë dhe efikas nga ana e lexuesit dhe studiuesve. Në fund, teksti i enciklopedisë është pajisur me indeksin e personave që paraqiten në veprat e artit, si edhe listën e veprave të artit. Merret vesh qartazi se vëmendjen më të madhe të autorëve të huaj e kanë tërhequr figurat historike si: Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Mehmet Ali Pasha, Ahmet Zogu, Aleksandër Moisiu e deri tek ato bashkëkohore si Ismail Kadare dhe Nënë Tereza.
Tematika shqiptare, e cila është në krye të herës edhe synimi i kësaj enciklopedie, na shfaqet në numrin e madh të portreteve të personaliteteve dhe njerëzve të thjeshtë, bukuria e tyre fizike me veshjet karakteristike tonat, peizazheve mbresëlënëse shqiptare, objektet e kultit dhe kështjellat, zakonet, mënyra e jetesës etj., si pjesë e paprekur e identitetit të kombit shqiptar, cilësi këto të cilat u bënë burim frymëzimi për shkrimtarë dhe veçanërisht për artistët e arteve figurative nga e gjithë Europa. Enciklopedia “Shqiptarët në artin botëror”, është një punë që përmbledh me qindra e mijëra imazhe dhe shpjegime të hollësishme të autorëve të ndryshëm të huaj dhe subjekteve të tyre shqiptare, një punë, që mbart veç dashurisë dhe një skrupulozitet të rrallë prej murgu, që në kohën tonë duket të jetë një virtyt i pakundgjendshëm.
Enciklopedia sjell një histori të tërë të Shqipërisë përmes imazhit, kuruar kjo me kujdes sipas një metodologjie të qartë dhe njëkohësisht të saktë shkencore. Këto vepra arti janë njëherësh dhe dëshmi historike nga periudha kur ende nuk njihej fotografia dhe bash për këtë arsye, ato janë njëherazi dëshmi e dorës së parë për të njohur shoqërinë shqiptare në të gjitha përmasat e saj. Vepra e Ferid Hudhrit, “Shqiptarët në artin botëror”, mbart në vetvete karakteristikat më të mira që do të kërkonte një botim enciklopedik, sidomos për historinë e artit shqiptar, ndaj duke qenë kështu një realizim unikal në llojin e saj, meriton të ndiqet si shembull në punët e kësaj natyre në të ardhmen.
Milano, Janar 2013.