Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se në muajin tjetër nisin aplikimet për të gjithë fermerët e interesuar për subvencione. Në një prononcim për ATSH-në, drejtori i Politikave të Zhvillimit në Ministrinë e Bujqësisë, Grigor Gjeçi , tha se “në 15 mars do të bëhet thirrja e tretë për fermerët që duan të përfitojnë nga fondet e projektit të Bashkimit Europian, IPARD Like dhe afati kohor për të aplikuar do të jetë një muaj”. Skema e granteve IPARD like ofrohet në kuadër të projektit IPA 2011 “Mbështetje për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural”, dhe deri tani janë bërë dy thirrje, ku në të parën janë kontraktuar 19 projekte, ndërsa projektet e dorëzuara në thirrjen e dytë për aplikime gjatë periudhës 30 prill 2013–28 qershor 2013, aktualisht janë në proces vlerësimi nga Autoriteti Kontraktor.
Gjeçi tha se në këtë fazë mund të aplikojnë edhe fermerët që në thirrjen e parë dhe të dytë kanë pasur probleme me dokumentacionet, natyrisht duke i riplotësuar ato sipas kërkesave. Shuma e vënë në dispozicion për fermerët është mbi 8 milionë euro. Në kuadër të këtij projekti, fermerët përfitojnë si grand 50 për qind të shumës së investimit. Ndërsa, financimi disbursohet pas përfundimit të implementimit të plotë të projektit. Mbështetja me fonde jepet në dy drejtime, investime në fermë dhe agropërpunim. Mbi 5000 mijë fermerë kanë përfituar nga skemat kombëtare subvencionuese të Ministrisë së Bujqësisë që nga fundi i vitit 2012 deri në vitin 2013, për mbjelljen e kulturave të reja, bimët medicinale, ullinjtë, arrorët, pemët frutore. Sipas Gjeçit, agrumet kanë qenë kulturat që kanë rritur ndjeshëm interesin e fermerëve, duke u bërë pjesë përfituese e granteve të dhëna nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural.