Pas orës 10 të paradites së djeshme, radhët në dyqanet e luleve (që dje kanë lulëzuar edhe për nga çmimet e ofruara), kanë qenë të gjata. Njerëzit, si rrallëherë kanë pritur me durim, por edhe me vështrime të ngulura mbi lulet e preferuara për dhuratën e radhës. Besniku, një mesoburrë, ecën nxitimthi në njërën nga rrugët kryesore të Tiranës. Ai shtrëngon në duar dy buqeta me lule. Pas hutimit të parë për pyetjen se kujt i drejtohen këto lule, ai tregon se "po i bën qejfin mamasë dhe së shoqes". Ndërsa për një urim të veçantë në këtë ditë feste femërore, Besniku ka një përgjigje hokatare: uroj që të ketë edhe një festë të veçantë për burrat, thotë ai duke qeshur dhe sërish i rikthehet ritmit të tij të nxituar, për të gëzuar dy femrat e dashura në jetën e tij. Dhe Besniku nuk ka qenë burri i vetëm që i ka pasur dje duart plot. Në radhët e gjata të dyqaneve të luleve, shumë meshkuj të moshave të ndryshme kanë drejtuar gishtin herë me buzë të rrudhura dhe herë tjetër plot siguri mbi lulet më të bukura me çmime "të ëmbla" si për festë.
Kujtimi, pronar i një lokali të vogël në një zonë të preferuar kryeqytetase, thotë se ka ardhur që të marrë porosinë për 50 karafila të paketuar secili më vete. "E kam të prenotuar sot lokalin për drekë. Do vijnë 50 gra nga një institucion dhe përveç menysë në tavolinë për secilën do të ketë edhe një karafil", thotë Kujtimi. Ai shton se ka ardhur vetë për ta marrë porosinë, pasi e ka me merak që gjithçka të shkojë mirë. "Është vështirë t‘i kënaqësh gratë", pohon më tej Kujtimi dhe i shkel syrin shitësit të luleve, që për sot ka kërkuar ndihmë nga e gjithë familja. Por që të dy bashkë, ndonëse në këtë ditë feste femërore do të fitojnë më shumë se sa në ditë të tjera, sërish shprehen se "nuk është e drejtë që të ketë festë vetëm për gratë".
Nga ana tjetër, ato që dje kanë luajtur rolin e mospërfillëseve ndaj atyre që duan apo pretendojnë meshkujt, kanë qenë vetë gratë që i janë përkushtuar tërësisht vetes. Një pjesë e tyre kanë menduar që të paktën për këtë ditë të çlirohen nga barra e punëve të përditshme apo e përkujdesjes për fëmijët.
Përpara dyerve të një restoranti në zonën e Tiranës së Re qëndrojnë një grup jo i vogël femrash të veshura posaçërisht për festë. Janë punonjëse të një banke private në Tiranë dhe kriza financiare duket se nuk i ka trembur aspak për të shpenzuar për veten, qoftë për flokët, tualetin apo veshjet. Njëra prej tyre, Linda, shprehet se tashmë në institucionin ku ajo punon është bërë traditë festimi i organizuar i 8 Marsit. "Me këtë rast harrojmë punët e përditshme, por kjo ndihmon edhe në afrimin dhe krijimin e marrëdhënieve më të mira mes stafit", shton ajo.
Dita e 8 Marsit është shndërruar në një festë ndërkombëtare si simbolikë e kërkesës për më shumë të drejta të grave në botën ku sundon uni burrëror. Por ndërsa në botë nuk kanë munguar protestat për të përforcuar kuptimin e kësaj dite, në Shqipëri vijon tradita e 50 viteve të fundit, ku femrat preferojnë më shumë të festojnë, se sa të kërkojnë.