Festa e fundit te vitit cfare nuk duhet te mungoje

Festa e fundit te vitit, çfare nuk duhet te mungoje
Bredhi plot zbukurime, gjeli i detit, ëmbëlsira, vera dhe veshjet e duhura për të festuar dhe për ta nisur mbarë ndërrimin e viteve. Gjithçka atë ditë duhet të ketë imazh festiv. Lodra, zbukurime, dhurata pafund. Viti i ri po afron dhe ne jemi gati për të shijuar maratonën e gjatë festive ashtu siç është traditë pranë gjirit të ngrohtë familjar ose mes miqsh. Në fakt të gjithë e dimë se ky është imazhi tipik i festave të fundvitit, por në pjesën tjetër të botës, festimet ndryshojnë nga ato europiane. E keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë ndodh këto ditë në anën tjetër të globit? Krishtlindjet dhe Viti i Ri festohen në të gjithë globin, por zakonet dhe mënyra e të festuarit ndryshojnë nga një kontinent në tjetrin.

Për europianët asgjë nuk duhet kursyer për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Për ta festimet janë pjesë e jetës dhe si pasojë duhet të jenë shumë shik. Sigurisht që u pëlqen të zbrazin xhepat nëpër dyqane me blerje që e tejkalojnë normalen. Dy javët e fundit të dhjetorit, të gjitha supermarketet e butikët u ngjajnë koshereve të bletëve, vetëm se në dallim nga kombet e tjera, europianët janë nazelinj dhe i sheh shpesh të ngrenë vetullat përpara mallrave, apo çmimeve që nuk u pëlqejnë. Madje, kur mendojnë se kanë të drejtë nuk ia përtojnë që të ngrenë zërin, duke e lënë mënjanë klasin. Në shumë vende dhe shtete të botës, tanimë është formuar tradita që Viti i Ri të kremtohet në mënyrë kolektive.

Në fakt, Viti i Ri prezanton ripërtëritjen e jetës, ndërsa zakonet e traditës për kremtimin e tij, edhe pse me shekuj kanë pësuar ndryshime, sot e kësaj dite i kanë ruajtur specifikat esenciale. Viti i Ri është festë e disponimit të mirë, e urimeve dhe dëshirave më të mira, shoqërimit, argëtimit, ngritjes së dollive, tryezave të begatshme, e zbukurimit dhe shkëmbimit të dhuratave të ndërsjella. Nuk janë të pakta qytetet e metropoleve të mëdha botërore, ku banorët e tyre, para çastit të ndërrimit të mot-moteve dalin masivisht në qendër të qytetit. Kjo formë e kremtimit të Vitit të Ri tanimë është tradicionale në shumë kryeqytete të shteteve të Europës dhe botës, sikurse është: Parisi, Londra, Roma, Madridi, Nju Jorku, Moska, Meksiko, Kajro, Tokio.

Gjeli i detit

Është e vështirë të gjesh një ushqim tjetër me imazh kaq festiv sa ai. Miliona njerëz në të gjithë botën e festojnë ndërrimin e viteve, por askush si ne nuk ka në qendër të tryezës së asaj nate gjelin e detit dhe bakllavanë. I gatuar në forma nga më të ndryshmet ai i jep më shumë shije orës së ndërrimit të viteve, në prani të miqve dhe të afërmve për t’i uruar ardhjen e një viti plot mbarësi, shëndet dhe lumturi. Edhe amerikanët e kanë këtë shpend simbol në Ditën e tyre të Falënderimeve. Më shumë se 45 milionë gjela deti serviren gjatë kësaj dite feste në SHBA. Por përveçse simbol i festës së Vitit të Ri, gjeli i detit është shumë i këshillueshëm edhe për vlerat ushqimore. Mjekët këshillojnë se nuk duhet të presim vetëm ditën e fundit të vitit për ta pasur në tavolinë.

Ai duhet të jetë gjithnjë i pranishëm në menynë tonë ushqimore. Është vërtet e vështirë të gjesh një lloj mishi që përshkruhet kaq shumë në recetat mjekësore, falë treshes magjike të përbërë nga proteinat, yndyrat dhe kaloritë e pakta. Një pjesë e mirë e meritës i takon mishit të bardhë i pasur me fibra, ngjyra e të cilit i detyrohet përqendrimit të paktë të mioglobinës, pigmenti që bashkë me oksigjenin është përcaktues i ngjyrës. Por më shumë se mishi i pulës dhe i lepurit, mishi i gjelit të detit ia kalon atij të viçit për sa i përket përmbajtjes së proteinave dhe sasisë së hekurit. Një studim i fundit i bërë në Nju Jork, ka treguar se mishi i gjelit të detit, simboli i tavolinës së festave të fundvitit, përveçse i shijshëm është edhe shumë i shëndetshëm.

Për më tepër vetitë e tij e bëjnë një ushqim perfekt edhe për regjimin ushqimor të fëmijëve: është lehtësisht i tretshëm dhe me shumë veti ushqyese. Mishi i gjelit të detit përmban edhe selenium që parandalon zhvillimin e kancerit, përmirëson sistemin imunitar dhe ndihmon metabolizmin e hormonit tonë të tiroides. I vlerësuar dhe i propozuar nga dietologjia moderne, sot shefat më të mëdhenj të kuzhinës përdorin variante nga më të ndryshmet për servirjen e tij. Më i miri është versioni tradicional i pjekur në furrë me pak yndyrë dhe erëza apo i mbushur me gështenja të ziera, bukë të thekur e fruta të thata. Por versionet e shefave modernë të kuzhinës thonë se rozmarina nuk duhet të mungojë gjatë pjekjes së tij dhe se mbushja mund të bëhet shumë mirë edhe me salsiçe, midhje apo kërpudha dhe tartuf.

Bredhi dhe dhuratat

Të zbukurosh pemën, të shkëmbesh dhuratat, të presësh ardhjen e Jezu Krishtit, të shkosh në meshë në mesnatë dhe të përgatitësh shumë ushqime të shijshme, janë vetëm disa prej zakoneve që pluhuri i kohës nuk ka rritur t’i fshijë. Gjithçka që ndodh në këto ditë shndërrohet në një maratonë autentike ceremoniale, ku marrin pjesë besimtarë dhe jobesimtarë. Për devotshmëri apo për traditë, për zakon, për lojë apo për forcë. Motivimet janë të ndryshme, por qëllimi i përbashkët është bërja pjesë e festave, që për dy javë ndalin kohën. Festimet fillojnë para kohe. Që në ditët e para të dhjetorit, në shumë shtëpi nisin shenjat e para të festave që afrojnë më pas me zbukurimin e bredhave, si dhe zbukurohet me gjithçka tjetër që të kujton këtë atmosferë të gëzueshme. E kuqja, njëlloj si ngjyra e gjakut të Krishtit, është ajo që dominon. Simbolika e dekorimit të bredhit derivon nga përdorimi grek dhe latin në fillim, e më vonë kelt, për të varur dhurata në degët e pemëve gjithmonë të gjelbra. Kjo ka si simbolikë vazhdimësinë e jetës që i reziston ndryshimit të viteve dhe ditëve të kalendarit.

Duke qenë se ajo pemë ishte e gjelbër edhe në stinën e dimrit, besohej se kishte fuqi të veçanta mbrojtëse përballë fatkeqësive natyrore dhe shpirtrave të këqij. Ajo stolisej në veçanti në fund të dhjetorit, pasi në këtë kohë vihej re zgjatja e orëve të ditës dhe kjo shënonte, në besimin e popujve në fjalë, mposhtjen e forcave negative të errësirës e të ftohtit dhe triumfin e dritës. Krishterimi e bëri të tijën edhe këtë traditë të hershme, por tashmë me një simbolikë të re. Pema e Krishtlindjeve do të simbolizonte gjelbërimin e Parajsës apo Kopshtit të Edenit.

Përdorimi i pemës së Krishtlindjeve nga të krishterët ka nisur në fillimin e shekullit të 17 në Strasburg, në Francë, për t’u përhapur në Gjermani, në Europën Veriore e Britaninë e Madhe dhe më pas në Amerikë. Sot shumë prej këtyre pemëve të Krishtlindjeve meritojnë të hyjnë edhe në Guinness. Në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, për shembull në hollin e një hoteli u zbukurua pema më e shtrenjtë në botë. Në zbukurimet e saj përfshiheshin gurë të çmuar: nga smeraldet te diamantet, safirët dhe perlat, për një total prej 181 gurësh të çmuar me një vlerë prej 11 milionë dollarësh. E dyta në klasifikimin e tyre qëndron bredhi i “Rockefeller Center” në Nju Jork, e zbukuruar me 12 mijë drita me një konsum të barabartë 1297 kw/h në ditë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama