Emocionet e kësaj ndeshjeje mbetën gjatë, por ajo që ra më shumë në sy ishte harmonia midis futbollistëve. Jo më kot, si një profesionist i vërtetë, Ervin Skela, deklaroi: "Nëse luajmë të bashkuar dhe publiku na përkrah, mund të mposhtim këdo." Pas intervistave dhe përshëndetjeve të ngrohta me tifozët, kuqezinjtë bashkë me stafin teknik darkuan në hotel "Tirana". Edhe pse uria bënte të veten, batutat nuk kishin si të mungonin, madje edhe pijet, që këtë herë trajneri Han i lejoji, teksa vetë nuk iu nda verës, që e preferon shumë. Rreth orës 22:30 darka mbaroi, e më pas kuqezinjtë marrin sinjalin nga holandezi i pankinës, që janë të lirë deri të dielën në drekë. Eshtë momenti ku futbollistët shpërndahen, disa në familjet e tyre, e disa të tjerë me shoqërinë.
Njerëzit nuk e kishin të vështirë të dallonin në "PUB"-et e Tiranës lojtarët e kombëtares. Një prej tyre, që me lojën ndaj Suedisë bëri për vete tifozët, i është kërkuar të këndojë në një lokal tek "ish-Blloku", që ofron shërbimin "Karaoke". Bëhet fjalë për Jahmir Hykën, që shumë i lodhur nuk ka mundur t\'ua plotësojë këtë dëshirë tifozëve.