Feste ne RTSH ne prag te Eurovizionit

Feste ne RTSH, ne prag te Eurovizionit
Nisja e delegacionit shqiptar në Festivalin Eurovizion është shoqëruar me një festë në ambientet e Radio Televizionit Shqiptar. Ka qenë në fakt një gërshetim i një ceremonie zyrtare, me një koncert të këngëtares Aurela Gaçe, e më tej me një takim artistësh dhe miqsh që i kanë dhënë urimet më të mira artistes dhe grupit që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 56-të të Festivalit Europian. Në këtë takim ka përshëndetur Drejtori i RTSH-së, Petrit Beci, i cili edhe ka uruar me shpresën se këtë vit do të arrihen rezultatet më të larta për Shqipërinë. Këngëtarja Gaçe ka interpretuar këngën e krijuar nga kompozitori Shpëtim Saraçi, “Feel the passion”, në një version të ri baladë, ekskluzivisht për natën e së enjtes, ndërsa më pas Gaçe ka interpretuar disa prej hiteve të saj, mes të cilave “Jetoj”, “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”, “Bosh”, etj. Në skenë me të janë bashkuar edhe këngëtarët Eli Fara, Mira Konçi e DR. Flori.

Tashmë lidhja mëse publike

Nata e së enjtes ka qenë mëse e veçantë për këngëtaren Aurela Gaçe. Ajo ka marrë urimet nga miqtë e artit, kolegët dhe bashkëpunëtorët e saj në vite, ndërsa dje pasdite është nisur së bashku me delegacionin shqiptar drejt Dusseldorfit, për të prekur skenën-ëndërr për çdo artist. Ndërsa e ka pohuar që ndihej e emocionuar dhe e lumtur për këtë sfidë të madhe të karrierës së saj, Aurela është ndjerë edhe më e gëzuar, pasi me të në këtë festë ka qenë edhe i dashuri i saj, i cili për herë të parë është shfaqur në një ambient kaq të madh krah këngëtares. Të dy janë shfaqur buzagaz, ndërsa urimit për këngën i është shtuar edhe ai për lidhjen e artistes!

“Lule borë” fton Mirën në duet

Kënga “Lule borë” është një himn i muzikës shkodrane. Të pasurit një bashkëshort po nga Shkodra, të bën ta dashurosh edhe më shumë atë. Sapo tingujt e kësaj kënge kanë nisur, nga orkestra e drejtuar nga Shpëtim Saraçi, këngëtarja Gaçe ka ftuar në skenë edhe këngëtaren Mira Konçi, duke dhënë një duet të bukur për gjithë të pranishmit në këtë takim arti, që u rezervua këtë të enjte që lamë pas në ambientet e RTSH-së.

Një takim mes bashkëpunëtoresh

Për stilisten Mirela Nurçe, është hera e dytë që stilizon veshjet e këngëtareve që kanë përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Suksesin e parë e ka shënuar me këngëtaren Olta Boka, që konkurroi denjësisht me këngën “Zemrën e lamë peng”. Festa e organizuar për këngëtaren Gaçe, ka qenë një rast i mirë për t’u takuar mes miqsh dhe bashkëpunëtorësh, si në rastin e stilistes Nurçe me këngëtaren Boka, moment që është fokusuar edhe në këtë foto që ju sjellim sot.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama