Feste synetlleku per 200 000 Euro

Festë synetllëku për 200 000 Euro
Në kohën kur kriza globale ekonomike ka përfshirë gjithë botën dhe shumë njerëz ndjejnë pasojat serioze të saj, qoftë edhe gjatë përpjekjes për të siguruar nevojat  elementare të jetës, disa qytetarë nuk i shmangin shpenzimet e qindra mijëra eurove për një dasmë sa më të veçantë dhe të pazakontë.
Në fshatin Debresh të Gostivarit prej 2 ditësh po organizohet një synetim, për të cilin mendohet se janë shpenzuar rreth 200 mijë euro. Grupe folklorike, këngëtarë të njohur të estradës shqiptare, madje edhe lufta me rreth 100 pehlivanë që kanë ardhur nga vende të ndryshme të rajonit dhe Maqedonia, janë vetëm disa nga aktivitetet e pazakonta të këtij organizimi. Por këtyre shpenzimeve marramendëse i është shtuar edhe prenotimi i helikopterit, qiraja 1 orëshe për të cilin kushton 2-300 mijë euro. Babai kishte vendosur që djalin ta shëtiste me helikopter përpara synetimit.
“I përshëndes të gjithë mysafirët dhe këngëtarët që kanë ardhur sonte në këtë festë të madhe. Ju përshëndes me gjithë zemër, ju falënderoj me gjithë zemër.. Ma keni bo zemrën mal, ishalla ua kthej të gjithëve për të mirë”, tha Shazo Ferati.
Sabri Fejzullai, Leonora Jakupi, Sinan Vllasaliu, Ilir Shaqiri, Ermal Fejzullai, Shkurte Fejza, Remzije Osmani, ishin vetëm disa nga rreth 15 këngëtarët e ftuar në dasmën e familjes Ferati. Edhe këngëtarët ishin mjaft të kënaqur nga ky organizmin sipas të cilëve, rrallëherë ndodh.
“Nuk kam kënduar nëpër dasma, mirëpo sinqerisht u mahnita shumë. Nuk mund t’i them dasmë përveç se një festë shumë e madhe... një madhështi, se kisha besuar se do të jetë e llojit të tillë”, u shpreh Leonora Jakupi, këngtare.
“Për mua është një dasmë shumë e veçantë e cila ndodh shumë rrallë, zakonisht kombinohemi në dasma shumë emra të ndryshme, por kështu kombinime me kaq shumë këngëtar nuk ka pas”, theksoi Shkurte Fejza, këngëtare.
Edhe pse organizuesit e dasmës nuk kanë dashur të tregojnë për shumën e shpenzuar, mendohet se shifra arrin deri në 200 mijë euro. Familja Ferati jeton në Zvicër dhe është pronare e një firme private. Por dasmat e tilla me harxhime marramendëse janë bërë zakon për këtë periudhë 2 mujore, veçanërisht në fshatrat e Gostivarit. Pak kohë më parë në fshatin Gradec, edhe një nuse është marrë me helikopter, prenotimi i të cilit i kaloi 30 mijë eurot.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama