Festimet e 100-vjetorit Bashkia e Vlores nuk njeh axhenden e qeverise
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
Axhenda e organizimit për festimet me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë u publikua edhe nga Bashkia e Vlorës. Përfaqësues të Bashkisë thanë se në ditët intensive të festës përfshihen aktivitete të përmasave kombëtare në sportet e xhudos dhe karatesë, apo aktivitete kulturore si premierat e ndryshme që teatri “Petro Marko” po organizon.
Ndërkohë që në këtë fushë do të organizohet edhe konkursi mes teatrove të ndryshme të vendit, me një numër të zgjedhur të estradave të qyteteve.
Në tre ditë do të zhvillohet festivali folklorik mbarëkombëtar, finalja e të cilit do të jetë në 27 nëntor, të shoqëruar nga aktivitete të zhanreve të ndryshme muzikore, apo festa për fëmijë.
Festimet do të kulmojnë me një festë të madhe në datën 28 nëntor, ku pas ceremonisë së ngritjes së flamurit, në Sheshin e Flamurit, do të zhvillohet një koncert ceremonial në Pallatin e Sportit.
Po në këtë datë do të zhvillohet një koncert në Sheshin e Flamurit, që do të nisë prej orës 17:00 për të vijuar deri në orët e para të 29 nëntorit, gjithçka shoqëruar me një spektakël fishekzjarrësh.
“Të gjitha këto do të bëhen vetëm me organizimin dhe mbështetjen financiare të Bashkisë së Vlorës.”- deklaroi kreu i Kulturës dhe Turizmit në Bashkinë e Vlorës, Ilir Metaj.
Ndërkaq konfirmohet se Bashkia e Vlorës dhe drejtuesit e qeverisjes vendore do t’i përmbahen kësaj axhende të përpiluar, duke mos marrë pjesë në aktivitetet e parashikuara nga qeveria, mes të cilave vizita e presidentit Nishani në 27 nëntor në Vlorë.
“Në datën 27 nëntor ne kemi programin tonë të përcaktuar. Kemi axhendën tonë, nësë qeveria shpik axhenda të orës së fundit për të mbushur në letër atë që mungon, por që faktikisht dhe praktikisht nuk mund ta zëvendësojë dot asgjë, kjo është puna e qeverisë.”- tha Metaj