Festival femeror po cilesor?

Festival femeror, po cilesor?
Gjashtë emra shpallen fitues të "Fondi Publik për të Rinjtë". Të gjitha janë konkurrente femra që vijnë me pak ose aspak kontribute në regjinë e teatrit.

Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shpalli dje gjashtë fituese të projektit teatror "Fondi Publik për të rinjtë 2010". Nga 13 projekte, juria me anëtarë Rajmonda Bulkun, Erion Kamen, Herida Duron, zgjodhi fitues projektet: "Përse nuk rri për mëngjes" të autorëve Ray Cooney dhe Gene Stone, me regji të Rozina Kostanit; "Nusja dhe vjehrra" autor Carlo Goldoni, regjia Alma Hoti; "Le të bëjmë seks" autor Valentin Krasnogorov, regjia Elma Dorezi; "Për mua, atë dhe të tretin?" me autor Aqif Mulliqin, regjia Sonila Kapidani; "Muzika e dytë" e Marguerite Duras, regjia Najada Elmazi; "Andi dhe Norman" e Neil Simon, me regji të Andia Xhungës.

Në fund, një çmim special prej 200.000 lekësh për monodramën "Pikëllim" të Klodiana Kadillarit. Përgjegjësja e sektorit të Promovimit të Artit në Ministrinë e Kulturës, Herida Duro thotë se vepra e Klodiana Kadillarit është vlerësuar për mënyrën sesi e ka trajtuar figurën e Nënë Terezës, nga fëmijëria dhe përgjatë misionit të saj gjatë të bamirësisë.


A duhet një juri që vlerëson projekte teatrale të japë çmime me motivacion sikur të ishte komision i vlerësimit të figurave?

Është bindës ky motiv për të kuptuar përse vepra e Kadillarit duhej vlerësuar mbi atë të Armela Demajt, pasi të dyja vajzat kanë konkurruar me projekte për Nënë Terezën? Nga ana tjetër Kadillari është me fat që i thuhen dy fjalë për projektin, sepse për gjashtë projektet fituese juria ka një dhënë vlerësime të përgjithshme dhe sipërfaqësore: "Veprat janë vlerësuar për zbërthimin që i kanë bërë platformës regjisoriale, zbërthimin teknik të secilit detaj, të anës regjisoriale, por edhe të personazheve, skenografisë, kostumografisë".
Janë vlerësime të atyre lloj jurish ku anëtarët nuk janë njerëz të fushës përkatëse, të këtë rast të teatrit.

Herida Duro, e cila qysh më 28 qershor është marrë me të gjitha procedurat e konkursit, në fund prezantohet si anëtare e jurisë. Aq më tepër kur formimi i saj i takon artit muzikor. Aktorja Rajmonda Bulku deri më tani ka pak përvojë si aktore e skenës së teatrit. Kame ka qenë dikur konkurrent dhe fitues nga Fondi Publik për të Rinjtë". Edhe pse bëhet fjalë për një projekt që i jep një dorë regjisorëve të rinj, emrat e fituesve të këtij edicioni duket se e përmbysin këtë rregull.

Aktorja Rozina Kostani që prej 10 vitesh është mësimdhënëse në Akademinë e Arteve e lëndës së Mjeshtërisë së Aktorit, para tre muajsh pati përvojën e saj të parë të plotë si regjisore në Teatrin e Metropolit me komedinë "Më e vërtetë se e vërteta" të Martial Courcier. A duhet të ishte konkurrente Kostani përkrah ish studentëve të saj të cilëve nuk u është dhënë mundësia ta prekin skenën ndonjëherë? Apo Sonila Kapidani, që përveç përvojës si pedagoge e fjalës artistikë në Fakultetin e Artit Skenik, ka marrë pjesë edhe dy herë të tjera në Festivalin e Regjisorëve të Rinj, me dramën "Muzika 2" të Marguerite Duras në vitin 2005 dhe vitin e kaluar me veprën e Kin Dushit, "Banorët e shkallës pesë". Kapidani ka punuar si regjisore edhe për veprat: "Kujtime nga Çajupi" një përshtatje e dy veprave të "Pas Vdekjes" dhe "14 vjeç dhëndër", "Këmbanat e muzgut" me autor Teodor Laçon, "A durohet kështu pa burrë", komedi nga Kristo Floqi etj.

E ka kaluar provën edhe projekti i Alma Hotit e cila u shpall fituese e edicionit të katër të festivalit më 2009. Pas kësaj Hoti realizoi me studentët e Akademisë shfaqjen "Jerma" të Frederico Garcia Lorca-s, një realizim i dobët, që nuk mund të krahasohej me projektin e financuar nga Ministria e Kulturës vitin e kaluar, shfaqja "Shtëpia e Bernarda Albës".
Andia Xhunga ka pasur me festivalin e të rinjve një eksperiencë në vitin 2007, me veprën "Bebet e Kazanovës", ndërsa Najada Elmazi, vitin e kaluar u prezantua me dramën "Morsa" të Luigi Pirandello-s.

E vetmja konkurrente që merr pjesë për herë të parë në këtë aktivitet është Elma Dorezi. Ajo ka pasur mundësi të realizojë disa shfaqje në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit. Së fundi Dorezi realizoi shfaqjen "Pinoku" me fëmijë me aftësi të kufizuara.
Të gjithë konkurruesit përfitojnë nga 5.500.000, mbështetja është e njëjtë për të gjithë fituesit edhe pse në vijën e startit të garës disa kanë më tepër përparësi. Përgjegjësia e Ministrisë, Herida Duro, thotë se më të mirët përfitojnë më shumë mundësi. "Dashur pa dashur janë këta më të mirët, përderisa arrijnë dhe gjejnë produksione private, apo mbështetje nga shteti për të vënë në skenë produksione", shprehet Duro, që siç duket nuk e ka fjalën për cilësinë artistike, por për aftësinë për të thithur fonde, kur përdor fjalët "më të mirët", "produksion privat" për projekte që akoma nuk kanë hyrë në fazën e prodhimit.

Qyshse është hapur fondi për të rinjtë, është shpallur si mision i tij mbështetja për ata të rinj që duan të afirmohen dhe jo ata që arrijnë t'i gjejnë vetë financat.

Duket se strategjia e këtij projekti po transformohet rrugës dhe po i shmanget misionit të vërtetë.
Po vihet re që në këtë konkurs nuk respektohen as afatet. Shtyhen datat e pranimit të aplikimeve, ndryshohen datat e festivalit, ndryshohen anëtarët e jurisë. Megjithatë, si shumë aktivitete të tjera teatrore që lindin, por nuk krijojnë dot një identitet të tyren, festivali do të ndryshojë imazh sa herë që të ndërrohet komisionet.

Edicioni i këtij viti pritet të mbahet në fund të muajit nëntor.

Festival pa strategji

Qysh prej krijimit më 2005, Festivalit Teatror të të Rinjve i është ndërruar shpesh emri, misioni, objektivat, mënyra e organizimit. Fillimisht u mendua si "Festivali i Regjisorëve të Rinj", më tej "Festivali i Teatrit të të Rinjve". Ndryshuan çmimet nga viti në vit, një herë çmime që vlerësonin regjinë, skenografinë, aktorin/aktoren më të mirë, spektaklin më të mirë. Duke iu referuar vitit të kaluar, çmimet janë më tepër për individët. Nga viti në vit është reduktuar fondi. Nga njëra anë nuk ka një mënyrë organizimi standard, një strategji të qartë ku duhet të arrihet dhe nga ana tjetër, ata të rinj që kanë fituar në vite nuk ndjekin një konsekuencë në krijimtarinë e tyre. Përpjekjet lindin dhe vdesin individuale, nuk janë rezultat i dëshirës për të ndjekur një kërkim në teatër e për rrjedhojë dhe një komunikim të vazhdueshëm me publikun. Festivali është një aktivitet i shkëputur nga skena e Teatrit Kombëtar dhe nga skenat e tjera të hapësirës teatrore. Shfaqjet bëhen aty, ndahen çmimet dhe fituesit shpesh humbasin pa lënë gjurmë.

"Lule të kuqe, lule të zeza", 7 vjet nga premiera

Sot, ora 19.00, në kinemanë e Arkivit Qendror Shtetëror shfaqet filmi "Lule të kuqe, lule të zeza" (2003), i regjisorit Mevlan Shanajt, skenar të Natasha Lakos.

Liljana, një grua e lirë dhe e pavarur, braktiset nga i shoqi. I njëjti fat prin edhe të bijën e sapomartuar, Anën. Shanaj ka bërë një film për dramat njerëzore dhe vetminë. Me aktorët: Yllka Mujo, Elia Zaharia, Mevlan Shanaj, Enver Petrovci, Bujar Lako, Kastriot Çaushi, Petrit Malaj, Gentian Demaliaj, Vasjan Lami, Kled Kapexhiu, Ingvar Hakanson etj. Muzika është shkruar nga Kujtim Laro.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama