Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” do të shfaqen 237 filma dhe dokumentarë që përcjellin mesazhin e ndryshimit. Gjithkush që ka dyshime në moton e sivjetmë të “DokuFest-it” do të sqarohet qysh në natën e hapjes kur në ekranin e madh të festivalit do të shfaqet dokumentari që shpërfaq më së miri krejt filozofinë e thirrjes “Ndrysho- Mos u Mshef”. Nga Shqipëria filmi që përcjell më së miri këtë mesazh është “Anija” e Roland Sejkos, e përzgjedhur bashkë me 20 filma nga Ballkani për t’u shfaqur në DokuFest.
Ndërkohë “Everyday Rebellion” që sjell rrëfimin e formave moderne, kreative, paqësore dhe civile të mosbindjes së qytetarëve nëpër vende të ndryshme të botës, do të hapë edicionin e 13-të të “DokuFest-it”. Dokumentari me regji të vëllezërve iranianë Arash T. Riahi dhe Arman T. Riahi, është njëri nga 237 filmat nga 56 vende të botës që do të shfaqen në 6 programe garuese dhe atyre speciale që do të shpërfaqin ndryshimin e përditshëm në shoqëritë e botës dhe mosbindjen duke dalë në sipërfaqe, duke mos u fshehur.
Drejtori artistik i “DokuFest-it”, Veton Nurkollari, shprehet se këtë vit festivali sjell filmat nga filmbërës në ngritje e deri tek mjeshtrit e filmit. “Këtë vit ‘DokuFest’ është plot me filma të cilët na tregojnë që asnjë art tjetër nuk është në gjendje të na bëjë të qajmë, të na gëzojë, të na dërgojë në vende horror dhe të na bëjë të çohemi dhe të dëshirojmë ta ndryshojmë botën në të cilën jetojmë, të gjitha në të njëjtën kohë”. Në kategorinë e garës së dokumentarëve të Ballkanit që është edhe gara kryesore e festivalit janë përzgjedhur 20 filma, njëri prej të cilëve është dhe filmi “Brenda ka dritë” nga Rea Surroi dhe Dardan Selimaj që bashkë me “Anijen” e Roland Sejkos, përfaqësojnë filmin shqiptar. Filmat e tjerë vijnë nga vendet e rajonit. Fiks 12 dokumentarë janë në garën ndërkombëtare dhe po kaq në garën e dokumentarëve të shkurtër dhe garën kombëtare të filmave. Në tërësi të gjithë filmat janë të ndarë në 20 programe. “ShBA është shteti në fokus këtë vit dhe do të prezantohet me 30 filma, përfshirë shfaqjen e disa dokumentarëve klasikë si ‘Harlan County USA’ nga Barbara Kopple, ‘Hoop Dreams’ nga Steve James dhe ‘Hearts and Minds’ nga Peter Davis”, shkruhet në komunikatën e “DokuFest-it”.