Tirane, 20 Tetor/ATSH-Megi Zonja /.- Festivali "Different Trains", është tashmë një event i shkruar në traditë, pasi ju jep mundësinë artistëve qe jetojne jashte Shqiperise të shprehen në skenën e vendit te tyre . Fryma e bashkëpunimit, respekti ndaj kolegëve dhe veprës artistike të interpretuar, miqësia dhe cilësitë artistike e bëjnë këtë ngjarje muzikore te veçante për publikun e vendit, artistët dhe artedashësit.
"Different Trains" ka mbledhur në vite artistë brilantë shqiptarë të njohur në skenat e botës dhe artistë të huaj me reputacion ndërkombëtar në skenën shqiptare për të interpretuar së bashku.
Miq te rinj e të vjetër bashkohen për të ndarë pasionin ndaj muzikës.
Një program shume te larmishem do të krijojë një atmosferë të veçantë midis artistëve në skenë dhe publikut shqiptar. Programi në formacione nga duo deri në oktet, vjen nga vullnet për të ndarë skenën së bashku.
Nga klasicizmi i një Beethoveni të ri, tek impresionizmi dhe ritmet blues të Ravel, duke kaluar nga romantizmi absolut i Schumann apo lirizmi i Puccinit, për të mbërritur në kryeveprat e pashtershme muzikore, monumente si Okteti i Mendelssohn apo Kuinteti i Mozart, festivali sjell një program të larmishme duke krijuar një urë mes artistëve dhe auditorit.
Muzika të jep mundësinë të kalosh disa pengesa të personalitetit në njohjen e njerëzve dhe të shkosh në thelbin e tij, në ndjeshmërinë e natyrës njerëzore. Nuk ka gjë më të bukur se sa ta ndash këtë me artistë të mëdhenj.
Datat e koncerteve si më poshtë:
19, 21, 26Tetor
Universiteti i Arteve,Tiranë
23Tetor
Teatri Kombëtar,Tiranë
24Tetor
Teatri Cajupi,Korçë
/f.n/