Ndaj unë vendosa t’u përgjigjem të gjithëve me këtë opinion timin. Po e bëj edhe për një arsye tjetër mjaft të rëndësishme këtë shkrim, që “organizatorët” të mos thonë pas ndarjes së çmimeve që poeti Agim Doçi “shkruan kështu se nuk mori çmim!...”. Festivalin me publikun dhe teleshikuesin e lidhin spikerat. Mjaft dobët. Ta pasigurt në tekst dhe më e keqja me të dhëna të pasakta. Një fodullëk që për t’u bërë “interesant” djaloshi Nik Xhelili ndërhynte me një arrogancë kur gabonte vetë ai. Dy valetat, apo folëset që Nika i konsideronte ndihmëset e tij, punonin ftohtë deri në ngathtësi skenike.
Kjo sepse nuk ka regjisor skenik. Nata e parë padyshim kishte edhe sukseset e saj. Kishte suksesin e Nora Nishliut dhe të Altin Gocit. Nderim për të madhin Ferdinand Deda dhe “transferim” meritash tek i biri-Eltoni, që, me dhimbje e them, nuk solli asgjë të re. Pse ky “pompim” vlerash? Fjalët më të mira mund të them edhe për Samanta Karavellën, Marjeta Billon dhe Rudina Deliaj. Si gjithmonë të mrekullueshëm vëllezërit Endri dhe Stefi Prifti. Befasi e bukur ishte garimi i këngëtarit fisnik dhe të mirënjohur Bashkim Alibali. Poezitë e T. Fllokos, A. Duka dhe A. Tufa mjaft elegante dhe jetësore. Skenografia e mjeshtrit B. Zahaj e shkëlqyer. Ndriçimi tejet i gjetur dhe i këndshëm. Figura në transmetim fal regjisorit Osman Mula e qartë dhe mjaft e këndshme. Urime gjithë ekipit të autobusit e kameramanëve në sallën e koncertit.
Çfarë ndodhi në natën e parë
Nuk mund të lejohen emërtime dhe shifra që nuk përfaqësojnë realen. E palejueshme të dal nga goja e spikeres “zhvleftësimi” i titujve të Artistit të Popullit dhe Mjeshtrit të Madh Avni Mula, duke thënë pa pik përgjegjësie “artist i merituar”...Nuk mund të hapet Nata e Parë e këtij festivali të 50-të jubilar, me shifra të thata. Shyqyr që kishin regjistruar para 3 vitesh A. Grimcin dhe asnjë emër tjetër të poetëve dhe artistëve themelues. Nuk dëgjova emrat e Haxhi Ramës, A. Banushit, L. Qafëzezit, D. Bubanit, Gjok Becit, Hysni Milloshit, Xhevahir Spahiut etj. Si mund të bëhet ky festival jubilar dhe të mungojnë talentet e padiskutueshme të këngës së lehtë shqiptare si Anjeza Shahini apo L. Ejlli, Keisi Tole, O. Boka, E. Mula etj. Këta zëra të mrekullueshëm që në Eurosong kanë përfaqësuar denjësisht vendin dhe këngën tonë me vlera? Si vendoset një “rregull” absurd që autorët e teksteve të shkruajnë e t’u lejohen vetëm 2 tekste.
Po natyrshëm lind pyetja për Saraçin: “A është festivali i këngës apo i poezisë?”. Kompozitorët e nderuar tanë, drejtohen tek poetët më të suksesshëm për të arrirë cilësinë e këngës, apo jo?! “Dënuan” bashkëpunimin midis Mjeshtrit të Madh L. Zhegut, me autorin e këtij shkrimi, duke bërë censurë që as në kohën e diktaturës nuk aplikohej e të ndalohej Jorganxhi, Doçi, Papingji e i paharruari A. Boshnjaku të bënin nga 3-4 poezi. Madje atëherë këngët ishin më të arrira se këto të sotmet. Puna e shkëlqyer e mjeshtrit Zhani Ciko, që realizoi festivale luksoze dhe hapi dyert e këngëtarëve kosovarë, bëri që publiku të duartrokiste vendimet e jurisë. Mos harroni që Maestro Ciko, organizonte juritë e rretheve, juritë jashtë trojeve shqiptare, jurinë e të rinjve, jurinë e shtypit dhe të kritikës e në fund edhe jurinë e publikut në sallë. Jepeshin çmime për interpretimin më të mirë, për tekstin apo orkestrimin më të bukur e deri pastaj tek Çmimi i Madh.
Personaliteti i nderuar i atij institucioni, RTSH, zotri Marash Hajati, për vite me radhë xhelozoi dhe vendet fqinj me cilësinë dhe mënyrën e organizimit të këtij festivali që ishte dhe duhet të jetë nderi dhe lavdia e këngës së kultivuar shqiptare. Ky “aktuali”, Petrit Beci, si nuk gjeti kohë të konsultohej me NE, themeluesit e këngës së muzikës së lehtë, por vendosi disa “pionier” si bashkëskenaristë dhe liderë artistik, që kënaqin vetëm egot e veta personale dhe dëshirat e Becit.
Sa keq!Juria e nderuar kam besim që do gjykoj objektivisht, por me përjashtim të një këngëtari pa “këllqe gjykimi”, a nuk mund të miratonte në atë panel jurie Mjeshtra të Mëdhenj të këngës si K. Tushe, I. Libohova, M. Nallbani, M. Laze, R. Dilo, Sh. Merdani, M. Konçi etj. Apo “tremben” nga personaliteti i të sipërpërmendurve që nuk mund të gjykojnë të varur nga dëshirat e atyre që drejtojnë sot këtë festival!? Këto ndjesi e perceptime mendova të hedh në këtë shkrim paraprak vetëm për Natën e Parë të Festivalit të ’50-të. Natyrisht, lus Zotin që të mos jetë kështu Nata e Dytë, e Tretë dhe Katërt. Gjithashtu lutem që “kënga më e dobët” të mos jetë Juria! Mirupafshim në komentet e mëpastajme për Festivalin e 50-të të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar, festival të cilin e kemi pritur me një padurim e dashuri ekstreme!