Emra si Greta Mahmutaj, Bashkim Alibali, Samanta Karavello, Marjeta Billo, Rudina Delia, Rona Nishliu e vetmja që përfaqëson këtë vit Kosovë në festival, Elton Deda, Evans Rama, vëllezërit Prifti etj, ishin pjesë e natës së parë të festivalit. Këngëtari Evans Rama me këtë interpretim live duket se nuk u prezantua ashtu si pritej. Një gabim dhe kënga u ndërpre, duke bërë që ai të fillonte sërish. Ky ishte dhe gabimi më i dukshëm në këtë festival që u trumbetua live nga drejtuesit e tij.
Këngët që kaluan në natën finale u përzgjodhën nga juria e përbërë nga Zhani Ciko, Zana Shuteriqi, Edmond Xhani, Aldo Shllaku, Ndriçim Xhepa, Redon Makashi dhe Robert Rakipllari. Vendimi i tyre çoi në natën finale këngëtarët Gerta Mahmutaj, Bashkim Alibali, Endri dhe Stefi Prifti, Rona Nushliu, Rudina Delia, Marjeta Billo, Hersi Mahmutaj, Elton Deda dhe Altin Goci. Edhe pse këtë vit ai përkon në 50 vjetorin e tij, për shumë të tjerë Festivali i Këngës në RTSH prej vitesh e ka humbur atë madhështinë e tij të dikurshme, kur cilësohej si ngjarja më e rëndësishme e këngës së lehtë shqiptare.
Vite të tëra me një interpretim playback bënë që shumë vlera të mos ishin më të pranishme në skenën e tij, gjë që u duk dhe këtë vit. Ndërsa këtë vit edhe pse ai u soll i gjithi live, sërish për emra që janë specialistë të muzikës ai duhej të kishte dhe më shumë si aktivitet muzikor. Këtë vit drejtimin e festivalit e ka marrë në dorë Martin Leka, regjinë Osman Mula, skenarin Pandi Laço e Edlira Birko, ndërsa udhëheqës artistik është Shpëtim Saraçi. Në natën e parë të edicionit të këtij viti i ftuar ishte këngëtari afrikan i muzikës dance Edy Wata. Disa nga këngët e ti më të njohura janë: “Jam”, In Your Mind”, “Thw Bomb”, “I Love My People”, “My Drem”, etj. Në natën e dytë të festivalit do të ngjitet në skenë një tjetër emër i njohur i muzikës dance, këngëtarja britanike Katherine Ellies, e njohur dhe si Kathy Wood, Arrola dhe K.Ellies.
Nata e dytë e festivalit, 14 këngë në konkurrim
Gjysëm finalistët e dytë që do të ngjiten sonte në skenën e festivalit për tu përballur me interpretimin live janë Toni Mehmetaj, Dr. Flori, Kamela Islamaj, Frederik Ndoci, Marsida Saraçi, Bojken Lako, Sindi Berisha, Mariza Ikonomi, Kujtim Prodani, Iris Hoxha, Saimir Braho, Goldi Halili, Xhensila Myrtezaj, Elhaida Dani. Këngët do të përzgjidhen edhe sonte juria për të qenë pjesë e natës finale. Në natën finale 29 dhjetor votimi i tyre do të jetë i drejtpërdrejtë, çka ua shton ca më tepër përgjegjësinë për zgjedhjet e tyre.
Në natën finale të Festivalit të Këngës në RTSH do të shkojnë njëzet këngë, të cilat do të jenë në konkurrim për çmimin e parë në festival, njëkohësisht dhe për të përfaqësuar Shqipërinë këtë vit në Festivalin Europian të Këngës. Shqipëria u përfaqësua në këtë festival me këngëtaren Aurela Gaçe, ndërsa këtë vit do të jetë mbrëmja e datës 29 dhjetor e cila do të përcaktojë se kush do të jetë fitues i këtij viti, ku festivali është në 50 vjetor. Krahas garës, e cila do të zhvillohet përgjatë dy netëve (dy netët e para dhe nata e katërt), është parashikuar edhe një natë e tretë, e cila do t’i kushtohet tërësisht nostalgjisë. Plot 26 këngë, të krijuara mes viteve 1962-2000 do të ngjiten në skenën e Pallatit të Kongreseve.