Festivali i Librit dhe i artit do te Celet me 23 Prill

'Festivali i Librit dhe i artit' do te Celet me 23 Prill

Festivali i Librit dhe i artit” quhet ngjarja e madhe kulturore, që do të hapë siparin e saj në datën 23 prill 2014, në ditën ndërkombëtare të librit, në mjediset e Muzeut Kombëtar. Një aktivitet me përmasa të mëdha që përfshin dy fusha tejet të rëndësishme të kulturës: Artet pamore dhe botimet shqiptare, i cili do të zgjasë 4 ditë, deri më 27 prill 2014.

 

Ky event do të realizohet nga Shoqëria e Librit Shqip, shoqëri që nisi të ekzistojë dy vjet më parë, nën drejtimin e të ndjerit e të mirënjohurit Ardian Klosi dhe pjesëmarrjen e disa prej botuesve më seriozë shqiptarë, për t’ju përmendur disa: Shtëpia Botuese Toena, Instituti i dialogut dhe Komunikimit, Skandërbeg Books, Omsca, Kuteli, Botimet Dudaj, Botart.

 

Janë ftuar të gjithë botuesit shqiptarë, të Kosovës e Maqedonisë dhe janë më shumë se 45 botues që do të paraqiten me librat e tyre, autorët e promovimet.

 

Pjesa e arteve pamore, e pagëzuar me emrin artistik e shumë simpatik, Pamur, do të kurohet nga i mirënjohuri profesor Vladimir Myrtezaj. Tema e arteve pamore është “një galeri, një autor”. Të gjithë korentet artistike në vendin tonë dhe Kosovë do të kenë mundësi të shfaqen në Tiranë.

Janë parashikuar gjithashtu disa njolla të tjera artistike në aktivitet që do të gjejnë vend brenda hapësirave ku do të zhvillohet ngjarja, si psh grupe muzikore të rinjsh liceistë, apo një festival i poezisë.

 

Qëllimi kryesor është t’i japim sa më shumë jehonë duke ftuar të gjithë njerëzit, të të gjitha moshave e gjinive, të madh e të vogël, fëmijë e shkollarë, të vijnë të na vizitojnë në këtë Festival, për herë të parë i këtij lloji në Shqipëri, i cili pritet të jetë i mbushur me aktivitete të shumëllojshme, që nga ato të artit pamor, animime muzikore e deri te forumet për letërsinë, promovime librash, lexime nga aktorë që presim të mbushin auditoret me fëmijë e të rinj…dmth të synojmë të gjithë së bashku ta bëjmë këtë aktivitet tonin, gjithëpërfshirës e transparent.

 

Ky festival do të gjenerojë dy çmime:

1. Autori i vitit do të nderohet me çmimin Ardian Klosi

2. Puna më e mirë në artet pamore do të nderohet me çmimin Danish Jukniu

 

Nën suportin e Ministrisë së Kulturës, Galerisë së Arteve Tiranë, Galerisë së Arteve Kosovë , rrjetit TRADUKI dhe suportin mediatik të Top Channel, do të ofrohet për të gjithë publikun një event i cili premton argëtim dhe plot surpriza.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama