Dhe pak ditë na ndajnë nga Festivali i 52-të i Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Deri më tani është krijuar një skemë paraprake se çfarë do të ndodhë gjatë tri netëve të festivalit, përkatësisht në datat 26-27 dhe 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Prezantuesit do të jenë Diellza Kolgeci dhe Enkel Demi.
Një bashkëpunim dhe përfaqësim i Shqipërisë dhe i Kosovës. Diellza Kolgeci është nga Kosova, me profesion avokate dhe e cilësuar si ikonë e modës, ajo njihet dhe si aktore e këngëtare. Ftesa për të qenë pjesë e këtij festivali, Diellzës i është bërë nga skenaristja Alda Bida dhe regjisori Petri Bozo, më të cilët ka bashkëpunuar para 10 vjetësh.
Fakti që ky festival shihet në të gjithë Europën dhe që është i vetmi festival “live” në Shqipëri, bëjnë që Dellza ta marrë prezantimin e tij shumë seriozisht. Gazetarja Alda Bida, së cilës i është besuar skenari i këtij aktiviteti tregon për mediat se cili do të jetë objektivi i saj këtë vit.
“Gjithmonë kam qenë kundër skenareve të ngarkuar. Do më pëlqente që dhe këtë vit të ruaja pak atmosferën e humorit, që prezantuesit të kenë elemente të humorit, në mënyrë që publiku të mos reagojë ftohtë ndaj fjalëve të prezantuesve”.
Ajo çka i pëlqen Aldës është që në këtë festival vendoset në mënyrë kolegjiale dhe jo më, të vendosë vetëm një person. “Struktura e re e festivalit dhe sjellja e 16 këngëve është diçka e re, por ne do të luajmë pak me tekstet e dikurshme”. Alda Bida bashkëpunimin me RTSh-ën e ka nisur qysh në disa spektakle të mëparshëm si: Mis Shqipëria, Mis Globe, etj.
Një nga elementët e rëndësishëm të Festivalit të Këngës, që ngjall gjithnjë kuriozitet është skenografia. Edhe këtë vit, i është besuar Adnan Kastratit, i cili e ka bazuar skenografinë e këtij viti mbi një dekor teknologjik. Frymëzuar nga arti abstrakt i piktorit holandez Piet Mondrian, skenografia do të jetë një ndërthurje midis figurave gjeometrike, në këtë rast katrorit dhe ekraneve që do të ndryshojnë sfondin për secilën performancë.
Fillimisht Kastrati ka punuar për realizimin e kësaj skenografie në letër, e më pas me zbatimin e saj në terren, pikërisht në sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve, ku do të prezantohet dhe festivali. Idetë e tij, ai i ka mbështetur dhe në artin abstrakt të Mondrian-it.
“Kjo skenografi do të mbështetet në idetë e piktorit Mondiran dhe do të zhvillohet në plançet. Te podiumi kryesor nëpërmjet lupave dhe teknologjisë do të pasqyrohen dhe elementët e tjerë të dekorit. Kjo, dhe nëpërmjet ekraneve që janë në të gjithë sallën e Pallatit të Kongreseve. Është një koordinim i teknologjisë dhe i pikturës”, thotë skenografi Kastrati. Sipas tij, është hera e parë që vendi ku do të interpretojnë këngëtarët ka kaq shumë ngjyra.
“Skenografia do të vihet në shërbim të këngëtarit, në mënyrë që të shpjegojë atë që ata do të këndojnë. Vetë piktura ka kuadrate të mëdha që përsërisin njëra-tjetrën dhe nëpërmjet lupave që regjisori po punon besoj se do të sheshojnë dhe tekstin e këngëve. Çdo këngë do të ketë një lloj videoklipi. Ky videoklip do të zhvillohet në bazë të tekstit të këngës, nëse kënga do të jetë melankolike apo ritmike”.
Skenografisë nuk do t’i mungojnë as pjesët dekorative, por kësaj herë në më pak, vetëm në dy pjesët kryesore të skenës. Kurse nga shorti i hedhur për përcaktimin e radhës se këngëve që do të këndohen në edicionin e 52-t të Festivalit të Këngës në RTSH tashmë janë vendosur dhe se cilët janë tetë këngëtarët që do të interpretojnë natën e parë dhe cilët do të jenë natën e dytë. Për tri net, më 26, 27 dhe 28 dhjetor, gjashtëmbëdhjetë këngëtarë do të ngjiten në skenën e Festivalit, tetë në natën e parë dhe tetë në natën e dytë.
Ndërsa finalen do e prekin të gjithë artistët konkurrues. Juria që do të vlerësojë këto këngë do të prezantohet gjatë netëve të festivalit. Vjet Festivalin e 51-të të Këngës në RTSh e fitoi Bledar Sejko dhe Ardian Lulgjuraj me këngën “Identitet”, në të cilën u prezantuan dhe në Eurosong.