Si e gjetët operën pas 10 vjetësh?
Opera? Siç ka qenë. Nuk ka ndryshuar asgjë.
Qendrimi në vend nuk është edhe aq pozitiv, apo jo?
Ndryshime duhen bërë, nga ana e strukturës në radhë të parë. Por këtë e dinë edhe ata që drejtojnë besoj. Pavarësisht të gjithave, kam nostalgji për operën, sepse jam rritur këtu. Nëna ime, Nermin Daja, ka qenë pianiste e operës për 40 vjet. Dhe miqtë e vjetër nuk harrohen lehtë. Nuk shuhet një jetë. Edhe pse jetojmë prej shumë vitesh jashtë, unë dhe nëna ime (që jeton me mua) kemi mbajtur lidhje të ngushta me artistët e TKOB-it dhe marrim gjithnjë informacion. Jam habitur kur mësova se janë vënë opera si “Aida”, “Fidelio”…, të cilat janë të vështira edhe për teatro të mëdha si “Metropolitan”, apo “La Scala”.
Pse ky kthim kaq i vonë?
Nuk kam pasur dokumente në Amerikë dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam luftuar për këtë gjë. Kjo, për shkak të një gabimi trashanik të avokatit tim. Por në të njëjtën kohë kam bërë masterin në Nju Jork (Mannes College of Music), në një nga kolegjet më të njohura dhe më të vështira në botë dhe menjëherë kam nisur karrierën time si profesionist.
Si ju priti Nju Jorku?
Nju Jorku ka qenë shumë i mirë për mua, për shumë arsye, jo vetëm artistike, edhe sociale. Jam rritur si njeri. Më ka ndihmuar të jem modest. Por nuk është e thjeshtë, pasi konkurrenca është shumë e madhe. (Vetëm për rolin e Don Xhovanit dhe të Belcores kanë bërë audicione rreth 50 vetë). E mira e Amerikës është që askush nuk ta ha hakun. Mund të ecësh nëse ke talent, nëse je i zgjuar dhe nëse ke dëshirë për të ecur. Vullneti në radhë të parë. Në të kundërt, të merr vorbulla e jetës dhe humbet. Ka shumë njerëz që largohen sepse nuk e përballojnë dot këtë ritëm.
Ju si e keni përballuar?
Sakrifica është fjala e parë që më vjen në mendje, në shumë nivele, por kënaqësia është e madhe gjithashtu. Arti është i vlerësuar shumë dhe për mua kjo rrugë që kam zgjedhur nuk është thjesht një punë. Është një mënyrë jetese. Sepse e dashuroj këtë punë. Nuk zgjohem në mëngjes me idenë se sot kam një koncert, do marr ato lekë dhe kaq. Mundohem të ndërtoj jetën time shoqërore në kontekstin e artistit.
Si e keni organizuar aktivitetin artistik, si i mbani lidhjet në një vend aq të madh?
Sigurisht me anë të një menaxheri. Të kesh një menaxher artistik është esenciale, pasi konkurrenca është e madhe. Thjesht të mësosh që një teatër, një opera, e një shteti tjetër ka hapur një audicion për një rol, është shumë e lodhshme. Kjo është puna e menaxherëve dhe është e pashmangshme. Madje rëndësia e tyre është rritur aq shumë, saqë nuk të pranojnë as në audicion nëse nuk ke një menaxher. Krijon idenë e seriozitetit. Nëse nuk ke menaxher nuk ke të drejtë të trokasësh, apo të dërgosh materiale.
Keni interpretuar role si Don Xhovani, Belcore, pra role karakteri…
Mua më ndjekin këto role që nuk kërkojnë vetëm një zë të mirë, po edhe një lojë skenike të arrirë. Kërkojnë përgatitje fizike. Don Xhovani është një rol ëndërr që kam pasur. Ndonjëherë më dukej utopi realizimi i këtij roli. Më parë kisha kënduar skena të kësaj opere, në Akademi, por atëherë isha 21-22 vjeç. Çdo herë që do ta luaj atë rol, do të jetë diçka e re, pasi këto janë karaktere, të cilat nuk përfundojnë kurrë. Nuk përfundon kurrë hulumtimi brenda tyre.
Si është Figaro?
Çdo notë ka një moment regjie. Nuk është një rol statik. Çdo gjë është konceptuar në detaje. Figaro është një nga ato rolet që i kam dëshiruar gjithnjë. Sa herë këndoj Figaron aq më shumë kam kërkesa ndaj vetes, sepse Figaro nuk është një rol, por një koncept. Ai është personi rreth të cilit vërtitet gjithçka. Edhe në vepër thotë “Unë jam faktori që bëj të funksionojë ky qytet”. Kaq mjafton për të kuptuar rolin e Figaros në opera. Në çdo gjë që ndodh ka dorë Figaro.
Sa gjurmë lë një rol në jetën tuaj jashtë skene?
Sigurisht që këto gjëra ndodhin në skenë, unë nuk mund të veproj kështu në jetën time. Gjithsesi lë atë gërvishtjen në ndërgjegjen tënde, me të mirat dhe të këqiat e veta. Që në momentin që fillojnë provat, jetoj rolin, si në skenë edhe në shtëpi. Ulem dhe përsëris çdo frazë, çdo recitatim, arie. Roli është një fletore shënimesh, ku shkruan vazhdimisht, pa u ndalur. Duhet të jetosh me rolin, që të fillosh të kuptosh se çfarë ka dashur të thotë kompozitori, apo libretisti. Duhet të lexosh, të kuptosh pse është Figaro ai që është, pse është ai faktori dhe jo një tjetër. Nuk është fisnik, por i rrotullon të gjitha…
Të qënit bariton ju privon nga ca role, kryesisht romantike, “privilegjin” e të cilëve e kanë tenorët, ju vjen keq?
Tri rolet që kam dashur gjithnjë të realizoj që fëmijë, kanë qenë “Don Zhuani”, “Berberi i Seviljes” dhe “Eugjen Onjegin”. Dy të parat i kam realizuar. Nga Onjegini kam interpretuar vetëm pjesë. Dhe është një rol i mrekullueshëm, romantik, një këndvështrim krej ndryshe nga dy të parët. Kështu që kam fatin të luaj një galeri rolesh shumë të larmishme. Ndaj dhe nuk më ka shkuar asnjëherë ndër mend të lakmoj rolin e nje tenori. Sikur të mundja të realizoja gjithë ato role që ka baritoni…
Përveç angazhimit operistik në Nju Jork, ju kemi parë të merrni pjesë edhe në ngjarje me karakter folklorik…
Për 17 vjet në Nju Jork, në Lehman Center for the Performing Arts, zhvillohet festivali i muzikës folklorike nga qendra “Nënë Tereza”. Dy vitet e fundit kam prezantuar këtë festival. Është një veprimtari e mrekullueshme, ku sheh breza të rinjsh, që vijnë nga e gjithë Amerika, që nuk kanë lindur në Shqipëri, që flasin një gjysmë shqipe, që këndojnë dhe kërcejnë muzikë shqiptare. Shumica janë amatorë, por është bukur të shohësh atë punë që bëhet për të ruajtur kulturën, gjuhën.
Alma Mile : Gazeta Shekulli