Figurat e artit dhe letersise Te falet Nazime Visha

Figurat e artit dhe letersise: Te falet Nazime Visha

Emrat më të njohur të letrave dhe artit në vend  bëjnë thirrje për faljen e Nazime Vishës. Përmes një letre që u bë publike në emisionin “Studio e Hapur”, Dritero Agolli, Ismail Kadare, Inva Mula, Luljeta Lleshanaku, Rudolf Marku, Tedi Papavrami kërkojnë të tregohet mëshirë për Nazime Vishën, e dënuar për vrasjen e të dashurit që e dhunonte.

“Le të tregojmë një gjest mëshire, duke e falur këtë vajzë që ka aq shumë nevojë për ngrohtësinë e vatrës familjare, për shkollim, për edukim qytetar. Dhuna që kjo vajzë ka pësuar që në moshën 13-vjeçare, si edhe akti tragjik që ka kryer, janë dënim i mjaftueshëm për çdo jetë njerëzore”, shkruhet në letër.

Pjese nga letra

Motivimi i kërkesës sonë ka si bazë arsyet humanitare që lidhen pikësëpari me moshën në të cilën shtetësja në fjalë ka konsumuar veprën penale për të cilën është dënuar, mjedisin problematik ku është rritur, mospraninë e Shtetit dhe të shoqërisë atëherë kur asaj i është mohuar e drejta të ketë një adoleshencë normale.

Vitet e fundit në Shqipëri është vënë re një rritje shqetësuese e krimeve kundër grave dhe vajzave. Kjo klimë përveç që ndikon negativisht në imazhin e Shqipërisë, tregon se shoqëria jonë ka nevojë urgjente për një emancipim rrënjësor dhe për njohjen reale të të drejtave të gruas. Gjendjen shqetësuese e tregon edhe “Raporti mbi hendekun gjinor 2013” i World Economic Forum, i cili e rendit Shqipërinë në vendin e fundit në Europë dhe në të 108-in në botë.

Gratë dhe vajzat shqiptare meritojnë një shoqëri të ndërtuar me idealet e larta qytetare të respektit të personit, të barazisë gjinore dhe të vlerësimit maksimal të rolit të femrës.

Në këtë rrebesh krimesh kundër femrës shqiptare, një adoleshente që ende s’kishte arritur moshën madhore, e shkatërruar psikologjikisht nga dhunimi personal dhe kufizimi e lirisë që kur ishte fare fëmijë, në kushte trysnie ekstreme dhe braktisjeje të gjithanshme zgjodhi rrugën më të gabuar për të shpëtuar nga mënxyra që i kishte rënë mbi krye.

Le të tregojmë një gjest mëshire duke e falur këtë vajzë që ka aq shumë nevojë për ngrohtësinë e vatrës familjare, për shkollim, për edukim qytetar, për reintegrim në shoqërinë tonë. Dhuna që kjo vajzë ka pësuar që në moshën 13 vjeçare si edhe akti tragjik që ka kryer, janë dënim i mjaftueshëm për çdo jetë njerëzore.

Me nderim

Dritero Agolli

Ismail Kadare

Inva Mula

Luljeta Lleshanaku

Rudolf Marku

Tedi Papavrami


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama