Fillojne arrestimet! Cfare fshihet ne dosjet e Kryeprokurorit...

Fillojne arrestimet! Cfare fshihet ne dosjet e Kryeprokurorit...

Urdhër-arresti për Zyhdi Dajtin, përkrah atij të Florenc Hoxhës, rriti tensionin mes shefit të Ekzekutivit dhe atij të Prokurorisë. Strategjia e Llallës për të ekuilibruar arrestimet mes radhëve të PS e PD, dhe cilat janë dosjet e nxehta që presin përgjigje

 

Nën presionin e vazhdueshëm të politikës për më shumë hetime dhe arrestime, shefi i Prokurorisë, Adriatik Llalla bëri një lëvizje prej “politikani”. Pasditen e së mërkurës, kur e gjithë vëmendja ishte përqendruar tek rënia e Lazaratit, Prokuroria firmosi dy urdhër-arreste për dy zyrtarë të lartë; Florenc Hoxhën e Bashkisë dhe Zyhdi Dajtin e qeverisë. Kryeinspektorët e dy barrikadave të kundërta u lidhën kësisoj prej fatit të përbashkët në arrestim, edhe pse dosjet penale për ta ishin të ndryshme. Me këtë akt, kryeprokurori ia transferoi presionin Policisë së Shtetit, që do t’i duhej tashmë të arrestonte edhe një ndër zyrtarët më të kuotuar të qeverisë “Rama”. Kjo lëvizje e prokurorisë nuk mund të kalonte pa pasoja, sikurse ndodhi realisht. E ndërsa Florenc Hoxha u arrestua në orët e vona të mbrëmjes së enjte, “homologu” i tij Zyhdi Dajti pati kohën e mjaftueshme që të vetëdorëzohej qetësish në komisariatin e Vlorës, ku dha edhe një konferencë për mediat. Kjo situatë nuk është përcjellë pa debate, mes prokurorisë dhe policisë, e cila rrezikoi të përsëriste precedentin e “21 Janarit” me këtë hezitim për zbatimin e vendimit të Gjykatës. “E kemi shpallur person në kërkim”, -ishte përgjigja e policisë në orët e para të mëngjesit të djeshëm, ndërsa konflikti u zgjidh nga vetë Dajti, i cili u dorëzua në komisariatin e Vlorës, në kohën kur ekranet po transmetonin “live” konferencën për shtyp të kryeministrit Rama për Lazaratin.

 

Akuzat për ndërtimet; keq me leje, keq pa leje!

 

Prokuroria njoftoi dje se hetimet për kreun e Inspektoratit të Bashkisë, Florenc Hoxha, kishin nisur në janar 2013 dhe periudhën shtator-tetor 2013. Ndaj tij janë depozituar katër kallëzime të ndryshme, tre nga qytetarë dhe një nga Policia e Shtetit, e cila akuzonte kreun e Inspektoratit Urbanistik të bashkisë Tiranë se nuk kishte marrë masa për rreth 20 objekte pa leje të ndërtuara në territorin e kryeqytetit. Kallëzimet e tjera flasin për prishjen e një objekti në proces legalizimi dhe gjobitja e pronarit, 3 ditë pas aksionit të prishjes, mosndërhyrja në rastin e një objekti pa leje, edhe pse fqinjët e kishin denoncuar në Inspektorat dhe dëmtimi i një tjetër prone të fituar me vendim gjykate. Ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, që drejton prej tri vitesh Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, do të përballet tashmë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pas hetimeve që kanë zgjatur të paktën prej një viti. Në të kundërt, kreu i INUK, Zyhdi Dajti ishte nën hetim vetëm prej 11 ditësh. Në njoftimin e shpërndarë dje nga Prokuroria thuhet se procedimi i parë penal kundër tij është regjistruar më 9 qershor 2014 dhe i dyti më 10 qershor 2014. Kallëzimi i parë ka ardhur nga një kompani ndërtimi, pasi INUK kishte pezulluar punimet e një pallati në rrugën e Elbasanit, ndërsa i dyti, nga Bashkia e Tiranës për bllokimin e punimeve në Bulevardin e Ri. “Në cilësinë e Kryeinspektorit të INUK, Zyhdi Dajti ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke nxjerrë akte të pavlefshme dhe duke i dëmtuar paditësit të drejta dhe interesa të ligjshme”,-thotë Prokuroria, e cila e akuzon Dajtin se ka vepruar në kundërshtim me vendimet e gjykatave dhe në tejkalimin e kompetencave, duke hyrë edhe në “bahçen” e Florenc Hoxhës. Por më shumë se nga akuzat, Zyhdi Dajti duket i prekur nga “barazimi” që Prokuroria i ka bërë me Florenc Hoxhën. Në një deklaratë për mediat, në hyrje të komisariatit të Vlorës, Dajti e cilësoi të turpshëm këtë vendim të Prokurorisë. “Ajo ç’ka më bën përshtypje është mënyra e turpshme se si Prokuroria e Përgjithshme ka vepruar në këtë rast, duke kërkuar ndalimin tim, paralelisht me arrestimin e vonuar të një personi që prej vitesh duhej të ishte arrestuar, të një hajduti ordiner, që për vite me radhë ka ushtruar presion dhe dhunë mbi qytetarët e Tiranës”, -deklaroi Dajti. Ushtarak prej 20 vitesh, derisa u tërhoq nga Rama në Bashkinë e Tiranës, Dajti u kthye në një personazh publik gjatë fushatës së prishjeve me tritol të ndërtimeve pa leje. Antagonist me Florenc Hoxhën edhe për shkak të përplasjeve të imponuara nga politika, Zyhdi Dajti e cilësoi atë si personin që ka lejuar lulëzimin e ndërtimeve pa leje në Tiranë.

 

Stinë acari mes Llallës e Ramës

 

Që Kryeprokurori nuk ka fituar ende besimin e kryeministrit, ky është një fakt i mbështetur në dhjetëra deklarata publike. Por urdhër-arresti i lëshuar prej tij për një “besnik” të afërt të Ramës pritet të nxehë edhe më tepër marrëdhëniet mes shefit të qeverisë dhe atij të Prokurorisë. Vetëm pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama paralajmëroi denoncime të reja për ish-ministrat e qeverisë “Berisha”, që sipas tij kanë abuzuar me detyrën. Kryeprokurori nga ana e tij e ngriti temperaturën me deklaratën “bombë” që dosjet e “sirtarit” të tij do të ndryshonin të ardhmen e vendit. Dyshimet më të mëdha rreth kësaj marrëdhënieje me plot të panjohura lidhen së tepërmi me atë që do të ndodhë, nëse Llalla do ta kthejë “kosën” edhe në oborrin e Ramës. Rasti i Zyhdi Dajtit është testi i parë i këtij lloji. Gjatë ditës së djeshme, qeveria preferoi të heshtë lidhur me këtë vendim, edhe pse qëndrimi për Prokurorinë u bë publik njëfarësoj përmes deklaratës së vetë Dajtit. Kryeministri ngulmon tek mefshtësia e organit të akuzës, lidhur me një sërë dosjesh të depozituara tashmë për ish-zyrtarë të lartë të qeverisë “Berisha”. Si dhe përsërit paralajmërimin për hapjen e kantierit të reformës në drejtësi. “Ka filluar puna për hartimin e kësaj reforme, ndërkohë nuk janë ligjet që e kanë penguar prokurorinë, lidhur me çështje që ia kemi vënë në dispozicion, fare të qarta”, tha Rama në një deklaratë publike, teksa shprehte pakënaqësinë për Prokurorin e zgjedhur në kohën e Berishës.  “Të tjerë ish-ministra dhe ish-zyrtarë të lartë do të paraqiten në prokurori për hetime. Sigurisht volumi është i madh, por ne nuk do të shmangemi”,- shtoi më tej Rama. Një luftë nervash, ende e pashpërthyer në formën e një konflikti të pakthyeshëm luhet në aksin Kryeministri-Prokurori e Përgjithshme, sa kohë që ende nuk ka asnjë rezultat për dosjet mbi zyrtarët e qeverisë së shkuar. E në këtë kontekst, është mjaft e qartë që kryeministri nuk e ka pritur mirë vendimin për arrestimin e Zyhdi Dajtit. Premtimi se nuk do të hezitonte të denonconte edhe të vetët, duket se e ka mbajtur larg një deklarate me “spec” mesditën e djeshme.

 

Ç’po ndodh në Prokurori?

 

Kur kryeprokurori Llalla deklaroi se shpejt do të kishim dosje të bujshme, shumë menduan se mos ishte ndikuar nga fjalimet plot nerv të kryeministrit Rama. Megjithatë, dy muaj pas kësaj deklarate, prokuroria dha sinjalet e para për të treguar se basti publik i kryeprokurorit duhet fituar. Dosja e parë që përfshin dy zyrtarë të rëndësishëm përfundoi me arrestimin e Zyhdi Dajtit dhe Florenc Hoxhës. E pa u shuar ende “zhurma” e krijuar për rastin “Dajti”, prokuroria bëri një tjetër lëvizje, këtë radhë për pezullimin nga detyra të kryetares së AMA-s, Endira Bushati. Ndaj saj ka nisur një hetim për shpërdorim detyre, argument ky i mjaftueshëm sipas akuzës për të kërkuar pezullimin e saj nga detyra për shkak të pengesave që mund të vijnë nëse znj.Bushati vijon të jetë në detyrë. Një zgjidhje kjo e shpejtë e një konflikti që zgjaste prej kohësh mes mazhorancës dhe kryetares së AMA-s. Prej disa muajsh, prokuroria ka në dorë tre dosje për ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, i akuzuar nga ministrja aktuale, Mimi Kodheli. Abuzimet me reklamat, keqpërdorimi i ushtrisë apo edhe përgjimi i ish-opozitës janë disa nga akuzat publike të artikuluara ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. Këtyre dosjeve u shtohet edhe trafiku i drogës nëpërmjet infrastrukturës së ushtrisë, që sipas raportit të komisionit hetimor të drejtuar nga deputetja Ermonela Felaj është kryer në fund të vitit 2013. Për të mbështetur këtë akuzë, komisioni administroi dëshminë e një ushtaraku që kishte punuar në bazën e Gjadrit dhe ishte transferuar prej andej sapo kishte njoftuar ulje-ngritjet e avionëve që ngarkoheshin me “mall” të dyshimtë. Së fundmi, prokuroria ka në dorë dosjen e famshme me emrin “Lazarati”. Provat që po mblidhen prej disa ditësh në terren do t’i bashkohen një tjetër dosje të hetuar nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka përgjuar ata që cilësohen si baronët e vërtetë të drogës në Lazarat. E teksa kjo çështje sapo ka nisur, nuk kanë munguar akuzat e mazhorancës se “Lazarati” u bekua nga qeveria e shkuar, e cila duhet të hetohet për lidhjet e mundshme me trafikun e narkotikëve. Mes këtyre dosjeve të vështira, Llallës do t’i duhet të hedhë hapat njësoj si një akrobat mbi litar, për të ekuilibruar kafshimet sa majtas, djathtas në hetimet e tij. Pas goditjes së dy netëve më parë, të gjithë janë me sytë nga Prokuroria për të kuptuar se kush e ka radhën! Kryeprokurori vetë duket më në hall se të gjithë për të marshuar në linjën “përtej së majtës e së djathtës”.

 

Dosja e Lazaratit

 

Në tetor të vitit të shkuar, prokuroria italiane vuri në dispozicion të drejtësisë shqiptare një dosje të plotë me ata që konsiderohen “baronë” të kanabisit të Lazaratit. Përgjime, filmime, fotografi, emra personash si dhe aktiviteti që ata kryejnë, janë disa nga materialet e dosjes italiane, hetimet e së cilës po ndiqen tashmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Asokohe, kryeprokurori urdhëroi ngritjen e një strukture të posaçme nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por me operacionin e fundit në Lazarat, situata ka ndryshuar katërcipërisht. Pas rënies së “republikës së kanabisit”, i takon tashmë Prokurorisë të udhëheqë hetimin për arrestimin e mbi 50 njerëzve, që akuzohen si bosët e kanabisit dhe trafikut të tij jashtë kufijve të vendit. Kuptohet që shumica prej tyre, nuk ndodhet në Lazarat.

 

 Kapitulli për ish-pushtetarët

 

Me një “borxh” në shpatulla ndaj demokratëve, muajt e fundit Kryeprokurori është gjendur gjithnjë e më tepër nën presionin e mazhorancës aktuale, që së bashku me furinë e dosjeve, kërkon publikisht edhe rezultate. Kallëzimi i parë penal që u dorëzua në prokurori ishte ai ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, i akuzuar nga qeveria e majtë si përgjegjës për një sërë skandalesh. Përgjimi i opozitës, abuzimet me pronat e ushtrisë, afera të dyshimta me spotet televizive, si dhe keqpërdorimi i forcave të ushtrisë ishin disa nga akuzat që janë artikuluar ndaj ish-ministrit Imami dhe stafit të tij.  Pas Imamit janë kallëzuar në prokurori dhe ish-drejtues të Policisë së Shtetit e Ministrisë së Brendshme, si dhe një sërë zyrtarësh të niveleve të ndryshme të qeverisë së shkuar. Për të mos shtuar më pas edhe dosjet për të tjerë ish-ministra, të paralajmëruar nga Rama.

 

Korrupsioni në Drejtësi

 

Gjatë vitit të shkuar, por edhe në muajt e parë të 2014-s, përpjekjet e prokurorisë për të hetuar “vëllezërit” e gjyqësorit kanë qenë krejt modeste. Në fund të 2013, një gjyqtar dhe një prokuror u arrestuan pas denoncimit publik të emisionit “Fiks Fare” për një aferë korruptive në Gjykatën e Pukës. Ish-kryetari i kësaj gjykate, Shtjefën Lleshi dhe ish-prokurori i rrethit, Pëllumb Prençi u vunë në pranga nën akuzën e korrupsionit. Ata ia dolën të rifitojnë lirinë pas pak javësh, kjo falë Gjykatës së Apelit në Tiranë. Por përpjekjet e institucioneve për të luftuar fenomenin e korrupsionit nuk kanë ndalur këtu. Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzoi në prokurori gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Gjin Gjoni, i cili është edhe anëtar i KLD-së, për fshehje pasurie dhe falsifikim dokumentesh. Kjo dosje ndodhet ende në Prokurori, sikurse edhe kallëzimet e tjera të ILDKP-së.

 

Trafiku i drogës me avion

 

Është një tjetër dosje me dy kahe, që ndodhet në duart e Prokurorisë së Përgjithshme. Pas akuzave të ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës, Prokuroria regjistroi procedimin penal për të verifikuar mundësinë e trafikut të drogës me avion. Në qendër të vëmendjes u vendos aeroporti i Gjadrit, ndërsa rënia e avionit në Divjakë e bëri edhe më të besueshme këtë histori. Në një deklaratë publike, kryeprokurori Adriatik Llalla deklaroi se ka prova që në territorin e vendit është kryer trafik droge me avionë të vegjël. Ai iu referua informacioneve të mbledhura nga institucionet e inteligjencës në vend, por edhe hetimeve të kryera në terren nga Prokurorët. Ky hetim ndërlikohet edhe më tej nga konkluzionet e Komisionit Hetimor Parlamentar, sipas së cilit, trafiku i drogës me avion nga Gjadri është kryer në kohën e qeverisjes së PD-së.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama