Ka nisur zyrtarisht puna për ndërtimin e stadiumit të ri në Tiranë, "Arena Kombëtare". Kompania që ka siguruar të drejtën për të ndërtuar këtë impiant, pasi ka marrë lejen në Policinë e Tiranës, ka filluar punën për prishjen e impiantit ekzistues "Qemal Stafa", i cili do t'i lërë vendin atij modern.
Fillimisht, fadromat kanë filluar prishjen e ndërtimeve rreth e rrotull stadiumit ekzistues, ne pjesët pas portave. Bizneseve u është bërë e ditur prej kohësh që duhej të largoheshin nga ambientet e rreth stadiumit, ndërsa disa prej tyre të përfitojë kompensime financiare përkatëse.
Pas prishjes së këtyre ndërtimeve, do të fillojë edhe puna konkrete për shembjen e impiantit në vetvete, i cili është më kompleks. Më parë do të çmontohen pjesë të cilat mund të zhvendosen drejt stadiumeve të tjera në Shqipëri si impianti i ndriçimit apo stolat.
Procesi i shembjes dhe ndërtimit të stadiumit të ri parashikohet të zgjatë rreth dy vjet dhe objektivi është që në vitin 2018, të arrihet të luhet ndeshja e parë në "Arenën Kombëtare".