Filma si njehere e nje kohe

Filma si njëherë e një kohë
Grupmosha të ndryshme, të rinj e të moshuar, kanë shansin që të shijojnë nga afër në natyrë ekranin e madh ku jepen filma falas. Sipas kalendarit të "Javës së kinemasë" do të shfaqen çdo ditë filma të ndryshëm, prodhime shqiptare dhe të huaja.

Korçarët, të lidhur me traditën e xhirove të orëve të pasdites, mund të shijojnë shëtitjet e tyre në natyrë, në vende të caktuara nga ana e bashkisë, ku kanë edhe shansin të përjetojnë efektin dhe shijen që lë një film artistik. Gjithçka është e përqendruar te vendi ku më parë ka qenë kinema "Luksi". Aty, para 80 vjetësh, korçarët rendnin të blinin biletat për të shijuar filmat që shfaqeshin në atë kohë. Ndaj është zgjedhur ky vend me një simbolikë kaq të fuqishme, për t‘u vendosur një ekran, nëpërmjet të cilit do të shfaqen filma për një javë. Interesi për të ndjekur filmat që janë planifikuar të shfaqen falas për publikun ka qenë i lartë, pasi në këto ditë të nxehta, pasditet e freskëta korçare gjallërohen edhe nga aktivitetet e shumta kulturore. Qytetarët kanë nisur të ndjekin filmat që prej dy ditësh po shfaqen në këto kinema verore të improvizuara, për të shtuar larminë e aktiviteteve dhe për të gjallëruar jetën shpirtërore të qytetit të serenatave, me qëllim që sezoni veror të jetë i mbushur me veprimtaritë e sferës kulturore, që janë më të preferuarat në këtë periudhë, si një vend çlodhjeje, por edhe pasurimi të botës së brendshme. Deri më datën 25 korrik, në ekranet e vogla të kinemave verore të vendosura në vendet publike do të shfaqen për qytetarët, por edhe për turistët filma të njohur, produksione të viteve të fundit, por edhe komedi shqiptare.

Tematika e larmishme e filmave ka përfshirë disa nga sukseset botërore të ekranit kinematografik, por edhe ato produksione që në vendin tonë janë vlerësuar në vite si më të mirat. Filmat si "Troja", "Përrallë nga e kaluara", "I dashur armik", "Zonja nga qyteti", etj. vijnë falas për publikun korçar. Fakti se qyteti ka pasur një traditë të kinemave të para në vend, me dy të tilla që e krahasonin para dekadash Korçën me Parisin, si kinema "Luksi" dhe "Majestik", ka rikthyer vëmendjen ndaj kësaj tradite të vjetër, edhe pse magjia e ekranit dhe filmit, nuk është shuar asnjëherë nga tërheqja që krijon, duke thithur qindra artdashës drejt botës kinematografike. Brenda promovimit të traditave të hershme dhe kulturës qytetare, bashkia ka përcaktuar disa javë të veçanta për sezonin turistik, ku në çdo javë, kjo traditë e pasur kulturore e qytetit vjen me një risi.

Në të përfshihet muzika, kënga, kinemaja, fotografia, arti figurativ dhe një sërë festash të tjera të mëdha dhe të veçanta për zonën, siç kanë qenë karnavalet e simpoziumi i skulpturës. Kjo javë, që mban emrin e "Javës së filmit", do të ketë deri në mbylljen e saj ekrane të shumta ku do të shfaqen filmat, në disa nga lulishtet e qytetit, ku atje të ulur në stolat e këtyre miniparqeve dhe mes gjelbërimit, mund të ndjekësh edhe një histori dramatike, historike apo komike, që vjen nga ekrani. Lulishtet "Vangjush Mio" dhe "Themistokli Gërmenji", por edhe zona të tjera në të gjithë qytetin këtë javë do të pasurohen nga filmat, që ofrojnë më shumë argëtim. Sipas të dhënave nga bashkia e qytetit për këtë sezon deri në fund të tij, ka një kalendar të pasur veprimtarish kulturore dhe artistike.

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama