Portugali-Francë ndoshta nuk ishte finalja që të gjithë kishin menduar, por sot tifozët dhe fansat e sportit më të bukur në botë do të ndjekin këtë duel, i cili pritet të jetë mjaft interesant dhe spektakolar. Por duke u rikthyer mbrapa në histori, Portugali-Francë është një ndeshje që ka ofruar shpeshherë emocione të mëdha, prandaj uebsajti i UEFA-s ka sjellë në kujtesë 6 duelet historike mes tyre.
* 1959: Francë-Portugali 5-3
Golat: Fonten 3´, 54´, 58´, Grile 11´, Myler 22´ / Matateu 36´, 76´, Kavem 41´
Pas 13 golave të shënuar në Kupën e Botës 1958, Zhyst Fonten është pa dyshim ylli i ndeshjes që këto dy kombëtare luajtën në "Stade de Colombes". Fonten realizon shumë shpejt, duke ndihmuar Francën që të realizojë edhe dy gola të tjera brenda 20 minutave të ardhshme, ndonëse Matateu dhe Kaven rihapën ndeshjen brenda pjesës së parë. Gjithsesi, me fillimin e të dytës, dopieta e Fontenit brenda dy minutave (54 dhe 58) i dha fund shpresave për përmbysje të Portugalisë, ndonëse Matateu realizoi një tjetër gol, për të festuar dopietën personale.
* 1975: Francë - Portugali 0-2
Golat: Nene 21´, Marinjo 64´
Fitorja e fundit e Portugalisë kundër bluve daton pikërisht 41 vite më parë. Në tokën franceze, luzitanët bëjnë një paraqitje fantastike, kjo ndoshta edhe për faktin se të zotët e shtëpisë tradhtohen nga tifozeria e St.Etienit (takimi u luajt në stadiumin e tyre), sepse të gjithë ata ishin duke planifikuar koreografinë e pak ditëve më pas, duke qenë se në këtë impiant bënte vizitë Bajerni i Mynihut, për gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Prandaj, me fare pak tifozë që t'i mbështesnin, francezët nuk kanë shtysën e duhur për të ndalur Nenenë dhe Marinjon që t'i mundnin me nga një gol për pjesë.
* 1984: Portugali - Francë 2-3 (pas kohës shtesë)
Golat: Domergu 24´, 114´, Platini 119´ / Rui Zhordao 74´, 98´
Pa dyshim një nga ndeshjet më spektakolare të historisë së Europianëve. Deri në minutën e 74 kur Rui Zhordao barazonte avantazhin e shpejtë të Zhan-Fransua Domergu, i cili do ta dërgonte ndeshjen në shtesë, i gjithë takimi kishte qenë një monolog francez. Riu Zhordao surprizon sërish, kur në minutën e 98 përmbys situatën, por në momentin deciziv, vetëm 6 minuta nga fundi, Domergu dhe Mishel Platini vendosin që t'i ngrijnë buzëqeshjen portugezëve, duke ripërmbysur takimin dhe duke fituar biletën për në finale.
* 1996: Francë - Portugali 3-2
Golat: Xhorkaef 24´, 75´, Pedros 76´ / Kouto 23´, Rui Kosta 31´
Në "Parkun e Princave" kishte aq shumë talent në fushë, sa të dyja këto kombëtare mund dhe të meritonin t'i shkonin deri në fund Europianit të vitit 1996. Luzitanët në avantazh me Kouton me kokë në të 23-tën, shohin kundërpërgjigjen e menjëhershme të Xhorkaefit për francezët, pas një kombinimi me Zidan. Por Rui Kosta vetëm 7 minuta më vonë rikthen në avantazh iberikasit dhe me rezultatin 2- 1 mbyllet pjesa e parë. Gjithsesi, francezët nuk vdesin kurrë dhe brenda 60 sekondave, përmbysin gjithçka, me Xhorkaefin dhe Pedrosin, kur kishte mbetur vetëm çerek ore nga fundi i ndeshjes.
* 2000: Francë - Portugali 2-1 ("golden goal")
Golat: Henri 51´, Zidan 117´ (p) / Nunjo Gomes 19´
Portugalia dhe Franca u sfiduan edhe njëherë tjetër në Bruksel, për të vendosur se cila prej tyre do të shkonte në Amsterdam, për të luajtur finalen, në Europianin "Belgjikë-Holandë 2000". Dhe për të disatën herë në histori, Franca do të ishte ajo që do të përmbyste, kur pas avantazhit portugez të Nunjo Gomeshit në fillim të pjesës së parë, ishte Tierri Henri që barazoi në fillimin e të dytës. Takimi shkoi në kohën shtesë, kur Abel Ksavier dënon Portugalinë, pasi i dhuron Francës një penallti, në minutën e 117, pasi prek topin me dorë. Nga pika e bardhë Zidan nuk gabon dhe ndeshja përfundon falë rregullit "golden goal".
* 2006: Portugali - Francë 0-1
Goli: Zidane 33´ (p)
Një "deja vu" në Mynih. Një tjetër gjysmëfinale mes Francës dhe Portugalisë, këtë herë për Botërorin 2006, por sërish një ndeshje e vendosur me penallti. Një faull i Rikardo Karvajos e dënuar me penallti në dëm të Henrisë pas gjysmë ore lojë dhe goditja e saktë e Zidanit nga 11-metrat mjafton për të dërguar Francën në finale, kundër Italisë, por përballë "axurrëve" penalltitë do të ishin fatkeqe për ta.