Zinedin Zidan po përjeton një mo ment të jashtëzakonshëm si trajner, edhe pse është vetëm në muajt e parë të karrierës së re.
Francezi e mori skuadrën në një situatë kritike, pasi ishte eliminuar nga Kupa e Mbretit, kishte dalë nga gara për titullin kampion në Spanjë dhe i vetmi objektiv kishte mbetur Champions-i.
Edhe pse me një grup lojtarësh të përçarë, ai arriti të rikthejë harmoninë dhe të ketë një ecuri të shkëlqyer. Aktualisht, merengesit shpresojnë ende te titulli kampion, me një diferencë prej vetëm një pike nga kryesuesit e Barcelonës dhe kanë siguruar finalen e Champions- it.
"Bileta" për në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve ka qenë vendimtarja për të ardhmen e Zizusë. Media spanjolle bën me dije se presidenti Florentino Perez ka pasur një takimin me kreun e pankinës, duke i dhënë besimin për edicionin e ardhshëm.
Ai do të vazhdojë të drejtojë skuadrën dhe do të ketë dorë të lirë për merkaton e verës. Zinedin do të bëjë listën e lojtarëve që dëshiron të afrohen dhe, mbi të gjitha, të gjithë ata që nuk i ka në plane.
Lista - Me konfirmimin e tij për edicionin e ardhshëm, një pjesë e lojtarëve kanë nisur të bëjnë gati valixhet për t'u larguar. I pari është Hames Rodrigez, që nuk preferohet aspak nga Zidan. Madje, ai është shndërruar në alternativën e tretë si zëvendësues.
Isko dhe Kovaçiç janë dy mesfushorë të tjerë që gjithashtu nuk kanë pasur hapësira në dispozicion, për shkak se francezi nuk i pëlqen.
Me paratë që do të përfitohet prej tyre, do të investohen edhe për realizimin e objektivave. Për qendrën e mesfushës kërkon Pol Pogbanë, por listën e kryeson Eden Hazard, që ka dhënë sinjale të qarta për t'u larguar nga Çelsi. Përveç tyre, synohet edhe një goditje cilësore për krahun e djathtë të mbrojtjes.
Ndryshe nga çfarë ishte përfolur kohët e fundit, asnjë prej yjeve të repartit të avancuar nuk do të shitet, pavarësisht interesit të madh që ka pasur.