Kristiano Ronaldo kundër Antuan Grizmanit sërish kundër njëri-tjetrit për fronin Europian, por me fanella të ndryshme. Nëse më 28 maj të dy luanin për Ligën e Kampioneve, respektivisht me bluzat e Realit dhe të Atletikos, sot do të kenë uniforma dhe shokë skuadre të ndryshëm.
Nëse Milano luhej në rang klubesh, sot, më 10 korrik, në Paris, luhet për krenarinë kombëtare, për kampionatin europian, duel që parashikohet i flaktë, spektakolar, por sërish me ata të dy protagonistë, Ronaldon dhe Grizmanin, dy numrat 7. Përveç dy liderëve dhe dy golaeadorëve, finalja do të ketë edhe protagonistë të tjerë, si për shembull dueli i talenteve të mëdhenj, Sançez-Pogba.
Nëse kjo sfidë do të luhej në letër, të paktën sipas medias angleze, në fund ato që do të fitonin me një diferencë shumë të ngushtë do të ishin "gjelat", me rezultatin e përgjithshëm 81-78. Specialistët e "Daily Mail" i kanë dhënë secilit prej protagonistëve të sotëm nga një notë, nga 1-10, dhe në fund, rezultati flet në favor të të zotëve të shtëpisë.
(P) Rui Patricio 6
Portieri i luzitanëve ka pësuar 5 gola në këtë turne, tre prej të cilëve në barazimin (3-3) kundër Hungarisë, ndeshja e fundit e grupit. Nuk është pjesë e elitës së portierëve sepse ka shumë probleme në dalje, sidomos në goditjet standarde.
(F) Hugo Loris 8
Më shumë sesa mbrojtja, është ai saraçineska e prapavijës së "gjelave" dhe për ta besuar këtë mjafton të kujtosh pritjen fenomenale në fluturim kundër Gjermanisë, duke i mohuar një gol të sigurt Kimishit, pas goditjes me kokë, e cila ruajti rezultatin në 2-0. Me pak fjalë, Loris sa vjen e përmirësohet me kalimin e moshës, ndërsa në këtë turne numëron vetëm 4 gola të pësuar.
(P) Sedrik Soares 6
Mbrojtësi i djathtë i Sauthemptonit është një nga zbulimet e këtij Europiani, sepse vrapon aq shumë, sa në Portugali po bëhet çështje studimi, se nga i buron e gjithë kjo forcë. Por ai nuk është një lojtar perfekt, sepse nëse shkëlqen në fazën sulmuese, në detyrat difensive lë shumë për të dëshiruar, ndonëse në një finale e rëndë- sishme është që të vraposh dhe ai di ta bëjë mirë këtë gjë.
(F) Bakari Sanja 7
Mbrojtësi i djathtë i Sitit nuk është më i ri, sepse me 33 vite mbi shpatulla, kjo mund të jetë një nga mundësitë e fundit për të, për të fituar diçka të rëndësishme me kombëtaren, mundësia e fundit për të shtuar në kurrikulumin e tij një kampionat europian.
(P) Pepe 8
Një dëmtim bëri që të humbte gjysmëfinalen me Uellsin, por ai nuk do ta humbasë kurrë duelin e sotëm. Sivjet, më shumë sesa për cilësitë e tij mbrojtëse, ka mahnitur me qetësinë që ka treguar në fushë, sepse një "rebel" si ai është vështirë që t'i mungonte kartonit të kuq. Në këtë turne është parë shumë i qetë, mjaft i saktë, por ndoshta goditjet e tij më të mira i ka ruajtur për finalet e sotme.
(F) Loran Koshielni 8
Ndoshta, mbrojtësi më i mirë i këtij turneu. Edhe pse i është dashur të luajë pa krahun e tij të djathtë, Rafael Varan, Koshielni nuk e ka përjetuar keq rrotacionin e shpeshtë në qendër të mbrojtjes, duke u alternuar me Raminin dhe Umtitin. Ai di të përshtatet, ka qenë i pagabueshëm, por mbi të gjitha është edhe një kërcënim në zonën e rreptësisë kundërshtare, në goditjet standarde.
(P) Bruno Alvesh 6
Mbrojtësi veteran mahniti me paraqitjen e tij përballë Uellsit. 34-vjeçari po i afrohet fundit të karrierës me Portugalinë, por pa dyshim që nuk do të kishte fund më të lumtur sesa me ngritjen e trofeut.
(F) Samuel Umtiti 7
Pas debutimit të tij ndërkombëtar kundër Islandës, në çerekfinale Umtiti ka nisur të tregojë se Barcelona nuk i ka shpenzuar më kot 25 milionë euro për të. Ish-mbrojtësi i Lionit ishte gati perfekt ndaj Gjermanisë, duke treguar se di të përballojë presionin e ndeshjeve të mëdha.
(P) Rafael Guerreiro 7
Një fotokopje e shokut të krahut të majtë, Soaresit. Një makinë luftë në sulm, por me mjaft defekte në mbrojtje. Gjithsesi, mbështet në fazën ofensive, arrin që t'i japë shumë hapë- sira Ronaldos dhe Nanit. Sot do të ketë provimin e tij të maturës, pasi përballë, për 90 apo 120 minuta, do të ketë një si "klient" Grizman, ndaj të cilit do të duhet shumë kujdes në detyrat mbrojtëse.
(F) Patris Evra 7
Një futbollist që nuk ka nevojë për prezantime. Edhe pse 35- vjeçar, ai vazhdon të jetë padron i korsisë së majtë te Franca, ku nuk kursehet të bëjë jo vetëm punën difensive, por edhe atë ofensive. Për më shumë, në zonën kundërshtare është gjithmonë një që duhet pasur frikë dhe për ta vërtetuar këtë mjafton të pyesësh Shvajnshtaigerin.
(P) Renato Sançes 8
Një mesfushor energjik që luan kudo, por mbi të gjitha e udhëheq topin me një siguri për t'u pasur zili. Ndonjëherë kjo e shtyn edhe të gabojë, por 18-vjeçari duket se do të jetë ai që do të trashëgojë rolin e liderit te kjo Portugali, pas Ronaldos. Për shumë ndoshta ishte një objekt i panjohur, por me atë çfarë ka treguar në Francë, të gjithë e kanë kuptuar arsyen e shpenzimit të çmendur nga ana e Bajernit, prej 35 milionë eurosh. Një mesfushor modern. Dueli mes tij dhe Pogbasë pritet të jetë një spektakël më vete.
(F) Pol Pogba 8
Pati një fillim Europiani të vështirë, por ai është si një makinë me naftë, e cila bëhet e frikshme pasi nis të marrë shpejtësi. Jo më kot, me paraqitjet e ofruara në fazën me eliminim direkt, Zhoze Murinjo dhe Junajtid besojnë se ia vlen të paguash çmendurinë e 115 milionë eurove. Me teknikën dhe forcën që ai gëzon, por mbi të gjitha nëse përsërit pjesën e dytë të bërë me Gjermaninë, për Portugalinë do të ketë telashe të mëdha.
(P) Danilo Pereira 7
Një inxhinier digash në fushën e blertë. Ai di të jetë në kohën dhe në vendin e duhur. Ka një fizik të hekurt, nuk tërhiqet kurrë prapa kur i duhet të ndalojë. Taktikisht perfekt, por sidomos i jep shumë garanci Sançesit dhe Marios që të mendojnë me më qetësi për fazën sulmuese.
(F) Blaiz Matuidi 6
Një makineri multifunksionale. I kërkon të bëjë punën e pisët dhe ai ta zbaton me përpikmëri, i kërkon të ndihmojë sulmin dhe di të jetë i rrezikshëm. Një lojtar polivalent, i cili gjithsesi sot do të ketë një detyrë jo pak të vështirë kundër Ronaldos dhe Nanit, ndonëse Matuidi tashmë ka eksperiencën e duhur, por edhe mushkëri e muskuj për të përmbushur me sukses këtë finale Europiani.
(P) Zhoao Mario 7
23- vjeçari që ka hyrë në orbitën e Interit dhe të Junajtid është një mesfushor qendre, por ai është përshtatur mjaft mirë edhe në krahë të mesfushës, sipas nevojës së trajnerit Santos. Ka një ritëm loje të frikshëm, por në të njëjtën kohë është edhe një kërcënim për kundërshtarin, kur shpërthen me top në këmbë. Ai mund të jetë arma e fshehtë e luzitanëve në finalen e sotme.
(F) Musa Sisoko 6
Ka treguar pak në këtë Europian për të merituar bluzën e titullarit, por kundër Gjermanisë ai konfirmoi se kur është në një ditë të mirë, është një "çekiç" për kundërshtarët. Ndaj Deshamp beson t'i japë një tjetër shans nga minuta e parë, me Portugalinë.
(P) Kristiano Ronaldo 9
31-vjeçari ka pasur një karrierë në rang klubesh të bombarduar me trofe prestigjiozë, duke fituar gjithçka ofron kjo arenë. Por kjo mund të jetë vera që mund ta shenjtërojë atë në një legjendë, në një të pavdekshëm, sepse duke fituar edhe Europianin me Portugalinë, ai do të meritonte më shumë sesa thjesht një statujë në qytetin e vogël të lindjes. Edhe pse pak i fikur dhe shumë nervoz në fillim të turneut, Kristiano Ronaldo u ndez në ndeshjen më të rëndësishme, në gjysmë- finalen kundër Uellsit, duke shënuar golin e parë dhe duke i ofruar Nanit të dytin. Fundja, lojtarët e mëdhenj duken në ndeshjet e rëndësishme, por kjo e sotmja, kundër Francës, është pa dyshim ndeshja e karrierës së tij dhe "CR7" do të kërkojë me çdo kusht që të jetë protagonist absolut.
(F) Antuan Grizman 9
Pa dyshimin më të vogël, ylli i kësaj vere franceze. Grizman kryeson renditjen e golashënuesve të Europianit, me 6 gola, të gjithë vendimtarë për suksesin e Francës. Dopieta e tij kundër gjermanëve kampionë bote konfirmon se ai ka arritur pjekurinë për të marrë për dore, përveç klubit të tij, Atletikos së Madridit, edhe kombëtaren, pse jo një komb të tërë, që sot pret suksesin.
(P) Adrien Silva 6
I lindur në Francë, Silva numëron vetëm 14 prezenca me Portugalinë, por duke parë qetësinë, efikasitetin dhe gatishmërinë për të luajtur për skuadrën, ka lënë Zhoao Mutinjon në pankinë, atë që mendohej se do të ishte një nga "snajperat" e pazëvendësueshëm të Portugalisë. Dhe sot, portugezi i natyralizuar do të mundohet të bëjë të qajë sportdashësit e vendlindjes së tij.
(F) Dimitri Paje 8
Kundër Gjermanisë u duk sikur e la benzina, por ai la një gjurmë të fortë në turneun francez. Në grup ishte udhëheqësi absolut i "gjelave" me golat kundër Rumanisë e Shqipërisë në grup, por edhe atij me Island- ën që blindoi suksesin.
(P) Nani 8
Fernando Santos surprizoi të gjithë botën duke i dhënë Nanit çelësat e sulmit. Një sulmues krahu si ai po tregon një instinkt vrasës në qendër të zonës. Me këtë rol të ri, Nani i lejon Kristiano Ronaldos që të jetë më i lirë, pa detyra të përcaktuara taktike.
(F) Olivie Zhirud 7
Kritikat ndaj tij nuk do të mungojnë kurrë, por të paktën në këtë Europian ka arritur që të shndërrojë vërshëllimat në duartrokitje, duke parë tre golat e realizuar prej tij. Nuk është e lehtë të zëvendësosh një si Benzema, por ndoshta ai e ka bërë detyrën e tij, sepse kur duhet Zhirud ka treguar se golat di t'i shënojë gjithmonë.
Përgatiti: JETON STAMOLLA