Tifozët e Kukësit mendojnë se tre huazimet e bëra nga skuadra e Skënderbeut janë një arsye më shumë për të besuar te kualifikimi, por trajneri i Austrisë së Vjenës e zbeh hovin që kanë marrë verilindorët. Në konferencën për shtyp, përpara ndeshjes Torshten Fink tha se 3 futbollistët mund të jenë shumë mirë në aspektin individual, por u duhet më shumë kohë për t'u përshtatur me ekipin e ri. Megjithatë, ai vlerësoi maksimalisht ekipin e Kukësit duke thënë se është një ekip me krenari dhe nuk të lejon të bësh futboll sulmues sepse është agresiv.
Huazimet
"Jemi informuar mbi faktin që Kukësi ka marrë 3 futbollistë të rinj nga skuadra e Skënderbeut dhe e dimë që janë të fortë individualisht. Megjithatë, mendoj se nuk mund të përshtaten me sistemin e lojës për 1 javë. Duhet më shumë kohë për një futbollist. Megjithatë, ne jemi Austria e Vjenës dhe nuk kemi frikë".
Ndeshja
"Sigurisht që do të jetë e vështirë, por ne jemi të motivuar për faktin që rikthehemi të luajmë në futbollin ndërkombëtar. E dimë sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne. Lojtarët duan të bëjnë maksimumin, por nuk duhet ta nënvlerësojmë kundërshtarin. I kemi parë të dyja ndeshjet e tyre në Europa Ligë në turin e parë dhe treguan krenari dhe dëshirë. Ata janë një ekip cilësor dhe me traditë në Europë.
Për më tepër, bëjnë futboll agresiv dhe nuk të lënë të luash siç do. Ne i kemi marrë masat për të mos pasur surpriza. Duhet ta fitojmë patjetër këtë sfidë dhe të shkojmë më të qetë në Shqipëri për të zhvilluar ndeshjen e dytë. Nuk duhet të pësojmë gol dhe të jemi të përqendruar gjatë gjithë ndeshjes. Kjo mendoj se është receta e duhur për ta fituar këtë ndeshje".
GENTJAN ALINANI