Pasi kanë zbuluar se firma AKTOR e kontraktuar për punimet në aksin Tiranë-Elbasan ishte duke çmontuar kantierët dhe po largonte makineritë me qëllim largimin drejt Greqisë, me dhjetëra punëtore u ngritën në protestë. Ata kanë bllokuar largimin e mjeteve duke kërkuar të paguhen para se kjo firmë të largohet.
Punonjësit të grumbulluar në fshatin Bradashesh në Elbasan pohojnë se nga viti 2013 nuk paguhen e me largimin e firmës nuk do t’i marrin më paratë e tyre.
Janë tre firma nënkontraktore që janë marrë me punimet e rrugës Tiranë-Elbasan dhe sipas përgjegjësve të tyre nuk janë marrë paratë nga firma Aktor e për pasojë nuk kanë paguar as punonjësit.
Protestuesit kanë deklaruar se nuk largohen dhe nuk do ti lejojnë mjetet të lëvizin derisa të shlyhen të gjitha detyrimet që ka firma ndaj tyre.
“Tani blloku këto kanë qenë të ndaluar faktikisht por neve nuk kemi qejf që këto të ikin se që në Gusht të 2013 ne nuk jemi paguar, kemi punuar tek firma Aktori që më 2013 dhe deri më sot ne nuk jemi paguar kemi paguar TVSH këtij shteti kemi paguar taksa, sigurime të gjitha sipas rregullave”, shprehet një punonjës.
“Ne kemi nxjerrë dhe urdhra bllokimi nëpërmjet gjykatave si rregull këto makineri këto asete duhet të jenë të bllokuara deri sa të shlyhet detyrimi ne Shqipëri realisht këto po largohen”, - thotë një punonjës tjetër.
“E vërteta është kjo rruga që kur janë bërë zgjedhjet e ka ecurinë zero. Ata bëjnë sikur punojnë bëjnë dhe sikur paguajnë ju e shikoni vetë sepse ju jeni gjithë që udhëtoni në këtë rrugë”, shprehet punonjësi.
Ndërkohë ende nuk ka një reagim nga ana e firmës Aktor. Protesta ka nisur në mbrëmje kur punëtorët janë lajmëruar se firma greke ishte duke çmontuar kantierët e po lëvizte mjetet e rënda në drejtim të Greqisë.