Firmoset TAP-i Rama Shqiperia do ti jape gaz rajonit

Firmoset TAP-i, Rama: Shqiperia do t'i jape gaz rajonit

Nënshkruhet në Baku të Azerbajxhanit marrëveshja përfundimtare për ndërtimin e gazsjellësit “TransAdriatik”. I pranishëm në nënshkrimin e këtij projekti të rëndësishëm ishte dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama i cili shoqërohej nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri. Rama e ka cilësuar TAP-in si një mundësi, jo vetëm për zhvillimin e tregjeve në Shqipëri, por dhe gazifikimin e rajonit. “TAP-i është një projekt i madh i cili do të marrë përmasa të jashtëzakonshme atëherë kur të japë mundësi të reja në projektet e përbashkëta mes Shqipërisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi për të promovuar TAP-in, i cili do të shpërndajë gazin në tregjet e reja nga korridori jugor i gazit, deri në rrjedhën e pasme të tij”, - ka deklaruar Rama, raporton agjencia azere e lajmeve, “Trend”.

 

Sipas tij, ky projekt mund të kthehet në burim zhvillimi për gjithë rajonin. “TAPi mund të jetë ( dhe ne synojmë ta bëjmë këtë me ndihmën e Azerbajxhanit dhe partnerit tonë strategjik, Turqisë ) një burim zhvillimi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi, dhe të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore, një rajon që i bashkohet epokës së re të paqes dhe të bashkëpunimit”,- theksoi Rama. Më tej kreu i qeverisë shqiptare ka deklaruar se ky nuk është vetëm një shans për zhvillimin e tregut kombëtar të Shqipërisë, që kërkon mbështetje dhe kontribut të veçantë të Azerbajxhanit. Rama ka pohuar se Shqipëria duhet të bëhet një ‘nxitës’ i gazifikimit për shumë vende të rajonit të cilat ende nuk kanë tregje të tilla dhe infrastrukturën e nevojshme.

“Për Shqipërinë, TAP-i është jo vetëm një grup mundësish, por edhe një sërë detyrimesh. Qeveria jonë do të paraqesë burimet e nevojshme njerëzore e materiale dhe kuadrin institucional për garantimin e suksesit për projektin TAP-in”,- tha kryeministri shqiptar. Ka munguar në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras. Shkak i anulimit të udhëtimit drejt Bakut është bërë një defekt në avionin qeveritar grek. Drejtori menaxhues i TAP-it, Kjetil Tungland, tha se tashmë synohet ndërtimi i tubacionit brenda afateve kohore dhe brenda kufijve buxhetorë. Sipas tij, TAP-i dhe Shah Deniz do të sigurojnë diversitetin dhe sigurinë e furnizimit me gaz për Evropën si dhe do të forcojnë rëndësinë strategjike të vendeve përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Rreth vitit 2019, Shah Deniz pritet të furnizojë me 16 miliardë metra kub gaz në vit Evropën.

 

Dokumenti i firmosur përfshin një vendim investimi mbi Shah Deniz si dhe në projektet Trans Anatolian dhe Trans Adriatik, të cilat të kombinuara së bashku kushtojë 35 miliardë dollarë. Azerbajxhani njoftoi përzgjedhjen e projektit TAP për transportin e gazit natyror në Evropë në qershor të këtij viti. Tubacioni prej rreth 870 km gjatësi do të lidhet me gazsjellësin TANAP në afërsi të kufirit grekoturk dhe do të përshkojë Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të dalë përsëri në tokë në Italinë e Jugut. Sipas Ministrisë së Energjisë, faza e parë e ndërtimit të TAPit në pjesën shqiptare që ka të bëjë me ndërtimin e rrugëve tokësore, nis në qershor të vitit 2014. Faza e dytë, ajo e ndërtimit të tubacionit pritet të nisë në fillim të qershorit për të vazhduar me fazën e tretë dhe të katërt të ndërtimit të stacioneve të kompresorëve dhe pjesës detare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama