Ky rekomandim i Vatikanit ishte i mirëpritur jo vetëm nga kleri i dioqezës, por dhe nga Urdhrat e ndryshëm të rregulltarëve, të cilët vepronin edhe në trojet shqiptare, si: Benediktinët, Dominikanët, Françeskanët, Kongregacionet e ndryshme etj.
Urdhri i Etërve Françeskanë, i cili në trojet shqiptare vepron që në shek. XIII, në këtë sugjerim, e kishte kuptuar jo vetëm si një obligim i lëshuar nga Selia e Shenjtë, por si nevojë e kohës, për arsye se populli shqiptar, gjatë pushtimit osman, kishte qenë i privuar nga shkollimi në gjuhën shqipe, si në fshatra, ashtu dhe në qytete.
Në prag të shkatërrimit të perandorisë osmane, kur bëhet fjalë për eterit françeskanë, nisje e mbarë për shkollimin e brezave të rinj për t’u bërë meshtarë, ishte hapja Kolegjit në Troshan të Zadrimës, në vitin 1880, nga misionarët: At Mariano Pizzochini nga Palmanova, (Udine) dhe At Gian Pierro Ferrari, nga Bergamo. Nga ky Kolegj, pas pesë viteve shkollim, gjenerata e parë, prej gjashtë nxënësve shqiptarë, qenë dërguar në vitin 1886, për studime të mëtejshme, në Bosnjë për t’u bërë meshtarë të Urdhrit Françeskan. Ata ishin: Martin Nënshati, Mëhill Blinishti, Simon Gjadri, Pashk Mitroviqi (Mazreku), Sebastian Paliçi dhe Jozef Fishta, i cili në kushtimin e përkohshëm për françeskan, mori emrin Gjon (Johanes) dhe në kushtet e përjetshme, Gjergj (Georgius). Të gjithë këta kandidatë për meshtar, në fillim qenë sistemuar në Guçja Gora, afër qytetit të Travnikut, për të kryer sprovën e rishtarisë, duke kaluar më vonë në Kolegjet studimore, si: Kraljeva Sutjeska, Drevente, Gorica Livno etj. (dok. 573, dt. 15 tetor 1886).
Fishta, student i dalluar
Duke gjurmuar në arkivat e etërve françeskanë në Bosnjë, nga një mori emrash të studentëve, të bie në sy emri Joanes (Ivo në gjuhën kroate) Fishta, i cili mbante në vete, do të thosha, disa cilësi të veçanta në krahasim me studentët shqiptarë dhe ata vendas.
Gjergj Fishta, i lindur në Fishtë të Zadrimës, më 22 tetor vitit 1871, nga baba Ndok Simoni dhe nëna Prene Lazer Kaçi, të paarsimuar, i ardhur nga një vend i prapambetur, për shkak të pushtimeve të egra osmane, ku shkollimi ishte një mollë e ndaluar, madje dhe i dënuar me ligj, sipas dokumentacionit shkollor, rezulton nxënësi më i dalluar në studime filozofike, në Kraljevo Sutjeska, në vitet 1888-1889, si dhe gjatë studimeve teologjike, në Gorica-Livno, në vitet 1889-1893.
Duke shfletuar dokumentacionin shkollor të studimeve filozofike, në Kraljeva Sutjeska, dok. 936, të datës 28 shkurt 1889, për vitin shkollor 1988-‘89, gjejmë shënimet vlerësuese, sipas lëndëve studimore si vijon: Metafizika, shkëlqyeshëm (Eminens); Matematika, shkëlqyeshëm; Histori Universi, shkëlqyeshëm; Fizika, shkëlqyeshëm. Po të njëjtat vlerësime i gjejmë edhe për vitin shkollor 1889, dok. 937, datë 26 qershor 1889, duke përfshirë tani dhe gjuhën latine, ku Fishta vlerësohet me eminent. Ky lloj vlerësimi, pra - eminent, i jepej edhe gjatë kohës së rishtarisë, në Guçja Gora, në vitin 1886-‘87, për lëndët si: Doktrina Fetare, Sintaksa dhe Gramatika Latine, Kronologjia, Aritmetika etj. (dok. 573 dhe dok. 608). Duke bërë një krahasim vlerësues ndaj studentëve vendas, të bie në sy fakti, se shumë prej tyre, nuk e gëzojnë shkelmimin e Fishtës.
Fishta, duke ndjekur këtë lloj linje edhe gjatë studimeve teologjike në Livno, dukej, sikur i kishte lënë vetes detyrë, se dhe tani e tutje, do të vazhdojë të jetë studenti më i dalluar nga të gjithë të tjerët.
Duke shfletuar dokumentet, nr. 468, datë 27 qershor 1891, dhe dok. nr. 569, datë 22 qershor 1892, për vitin e parë të studimeve teologjike, radhitur sipas lëndëve studimore, rezultojnë këto shënime: Teologjia Dogmatike, shkëlqyeshëm (eminens); Përkthime biblike nga Besëlidhja e Vjetër, shkëlqyeshëm; Eksegjeza (zbërthimi i teksteve biblike); shkëlqyeshëm; Gjuha Hebraike (8), Teologjia Fundamentale, shkëlqyeshëm, etj., (dok. 468, datë 4 shkurt 1891). Ndërsa për semestrin e tretë dhe të katërt, sipas dok. 668, datë 6 shkurt 1893, gjejmë këto vlerësime: Teologjia e Moralit, shkëlqyeshëm dhe E Drejta Kanonike, shkëlqyeshëm.
Në Arkivin e etërve françeskanë në Gorica Livno, si përmbledhje e të gjitha mësimeve shkollore, gjejmë dhe diplomën shkollore të Fishtës, lëshuar më datë 6 shkurt, viti 1893. Komisioni përkatës, për mbrojtjen e diplomave, jep këto vlerësime përfundimtare për Fishtën: Morali, shkëlqyeshëm; E Drejta Kanonike kishtare, shkëlqyeshëm dhe Dogmatika, shumë mirë. Të mos të jetë Diploma plotësisht e shkëlqyer, mund të kenë ndikuar përplasjet që Fishta ka pasur gjatë kësaj kohe, me eprorin e sjelljeve disiplinore Çengiq, i cili njëherazi ishte dhe profesor i lëndës së moralit. Pastaj duhet marrë parasysh dhe fakti se Fishta ndiqte studimet e veta në gjuhën jo amtare.
Duhet theksuar se dokumentacioni shkollor në të ardhmen pritet të jetë edhe më i plotë.
Puna studimore e Fishtës është vlerësuar lart edhe nga eprori i provincës të etërve françeskanë në Bosnjës, At Andria Buzuk, i cili do shprehej se kishte një konsideratë të madhe për të, duke e vlerësuar si një talent të madh, me një inteligjencë të jashtëzakonshme.
Fishta dhe rebelimi i tij
Ana tjetër e medaljes, që duhej të evidentohej për çdo nxënës të Kolegjit, ishte ajo e sjelljeve disiplinore. Në këtë drejtim, vlerësimet për Fishtën, sipas dokumentacionit përkatës, janë jo fort të mira. Ana disiplinore e tij, gjatë kohës së rishtarisë në Guçja Gora, sipas dok. nr. 607, 608, 609, 1886/‘87, vlerësohej me notën mesatare, ndërsa gjatë kohës së studimeve filozofike në Kraljeva Sutjeska, kur magjistër për sjelljet disiplinore ishte At Augustin Çengiq, vlerësimet ishin shumë të dobëta.
Këto dukuri problematike të Fishtës nuk ishin ndryshuar as gjatë studimeve në Kolegjin Gorica Livno. Madje këtu situata kishte marrë përmasa dhe përkeqësimi duke vajtur deri te mosbindja e studentëve shqiptarë si grupim, ndaj magjistrit Augustin Çengiq.
Kjo shprehje e mosbindjes, sipas dokumenteve të kohës, nuk ishte si pasojë e një karakteri arrogant të Fishtës, dhe të studentëve të tjerë shqiptarë, zgjimi i ndjenjave të nacionalizmit kroat, i cili ishte infiltruar brenda Kolegjit. Kuptohet se personeli brenda Kolegjit mund të ishte imun ndaj ndikimit të rrymave nacionaliste sllave nga jashtë Kolegjit, të cilat kishin marrë përsipër largimin e perandorisë austro-hungareze dhe formimin e një mbretërie të zgjeruar sllave në Ballkan, dhe ku si mollë sherri, për realizimin e planeve ekspansioniste, sipas tyre, ishte populli shqiptar. Kjo ndjenjë e rilindjes kroate kishte përfshirë dhe një pjesë të studentëve vendas të këtij Kolegji e sidomos magjistrin e tyre Augustin Çengiq, i cili studentët shqiptarë kishte filluar t’i quante Arnautë dhe banorë të Serbisë. Çështja në fjalë, kishte perceptuar deri në ankimin e shqiptarëve në Kurjen Gjenerale françeskane në Romë.
Fishta, duke qenë i bindur se këto dukuri, për të dhe shqiptarët, ishin sa fyese aq dhe përçmuese, në marrjen e kushteve të përjetshme të rregulltarisë, në vitin 1890, sipas dok. nr. 447, të datës 23 shkurt 1991, ndërroi emrin nga Johanes, në Eneas Silvius Georgius, Fishta. Me këtë akt veprimi dëshiroi të shprehë shenjën e krenarisë për popullin e tij, i cili akoma dergjej nën perandorin osmane. Emrat e lartpërmendur të Fishtës, janë personifikues, të njerëzve të mëdhenj, si të humanistit, Papa Pio II, me emrat Enea dhe Silvio (Piccolomini). Ky Papë në historinë tonë kombëtare njihet si ai, i cili qe nisur për në Raguzë për ta kurorëzuar Gjergj Kastriotin si Atlet i Krishtit, dhe vdiq në vitin 1464 në Ankona të Italisë, pa arritur ta finalizojë misionin e tij. Ndërsa, emri i fundit Gjergj (Georgos, në greqishte “bujk”) në aspektin fetar, personifikim i Shën Gjergjit, martir i shek. V, dhe në anën kombëtare, emri i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti
Me kohën, dy emrat e parë erdhën duke u eliminuar, duke mbetur vetëm emri Gjergj, me anë të të cilit ne sot e njohim Poetin tonë Kombëtar.
Ky rebelim i Fishtës dhe i studentëve të tjerë shqiptarë nuk mund të cilësohet si shenjë e mosdëgjesës, as shenjë e mosmirënjohjes, ndaj provincës françeskane të Bosnjës, për ndihmën e dhënë, por shenjë e mbrojtjes së identitetit dhe dinjitetit njerëzore, e cila për momentin cenohej nga individë të caktuar. Kjo dëshmohet dhe nga fakti se, eprori në fjalë, në fillim të vitit 1893 ishte shkarkuar nga detyra, dhe fakti tjetër qe, kur studentët shqiptarë, gjatë përplasjeve që patën, gëzonin përkrahjen e pakursyer të provincialit të etërve françeskanë të Bosnjës, At Andria Buzuku, për të cilin At Justin Rota, duke cituar, mësuesin Kolë Zezaj, shprehej se rrjedh nga familja e lashtë shqiptare Buzukjane.
Përfundimi
Fishta, falë Zotit, ishte një talent i lindur. Fara e këtij lloj gjeniu mori zhvillimit e veta, duke u gjetur një tokë të pëlleshme e të begatshme, siç ishin ambientet studimore në Kolegjet e etërve françeskanë në Bosnjë, ku ia pati rasti të njihej me autorët e letërsisë së vjetër, latine, greke dhe italiane si Dante, Goldoni, Manzoni, Pascoli. Në këto ambiente ku rritej dhe zhvillohej, pati dhe fatin e mirë, që të ketë për mësues, rilindësit e spikatur të botës kroate si: Grga Martiq, Andria Kaçiq Mioçiq etj., të cilët lanë gjurmë të thella jetësore, në shpirtin e shqiptarit, teologut, poetit, prozatorit, diplomatit, At Gjergj Fishta.