Monedha e përbashkët evropiane ka rënë ndjeshëm ndaj dollarit amerikan pas fitores së partisë kundër masave shtrënguese në Greqi në zgjedhjet e përgjithshme. Euro menjëherë ra nën 1.1088 – niveli më i ulët ndaj dollarit që prej më shumë se 11 vitesh.
Lideri i Syrizës, Aleksis Cipras është zotuar për zhvillimin e negociatave të reja lidhur me borxhin prej 240 miliardë euro që Greqia ka marrë nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Por, nga ana tjetër ai ka theksuar se kërkon rinegociata dhe jo konfrontim me liderët ndërkombëtarë. Cipras ka foluar për negociata me përfitim të dyanshëm dhe nga ana tjetër e ka cilësuar trojkën BE-BQE-FMN si një gjë të kaluar për Greqinë.