TIRANë, 14 Nëntor/ATSH/- Ambasadori i Francës në Tiranë, Bernard Fitoussi shprehu të shtunën dhimbjen për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Paris, ku humbën jetën 128 persona nga sulmet terroriste ndërsa 200 të tjerë janë plagosur. Në një konferencë për mediat, kryediplomati francez tha se me këtë ngjarje "Franca është në luftë me ISIS".
"Janë gjithsej 128 viktima deri tani, por bilanci mund të rëndohet më tej. Jemi tërësisht të tronditur sepse këta nejrëz nuk bënë asgjë të keqe thjesht gjendeshin aty ku unë e familja ime kemi zakonin të shëtisim. Barbarët vranë edhe rreth stadiumit të Francës gjatë ndeshjes miqësore Francë-Gjermani. Koha është për zi kombëtare, dhimbje e prehje shpirtërore", tha Fitoussi.
Më tej, diplomati francez tha se është e qartë se shteti islamik i ka deklaruar luftë Francës. "Vendi ynë ka kaluar kriza të shumta e sulmuar nga armiq të shumtë, por armiqtë e Francës janë zhdukur, ndërsa Franca mbetet aty", u shpreh Fitoussi. Ai vuri në dukje Franca, kur sulmohet nuk ka frikë, dhe nuk mposhtet asnjëherë.
"Presidenti Françoi Hollande e tha të qartë se Franca do të jetë e pamëshirshme me kriminelët, porositësit e mbështetësit e tyre. Nuk mund të terrorizohet Franca", e vijoi deklaratën kryediplomati francez, Fitoussi.
Ai shprehu mirënjohjen edhe për popullin dhe autoritetet shqiptare për mbështetjen e ofruar në këtë moment tragjik. "Kur Franca sulmohet njeh miqtë e saj të vërtet dhe shqiptarët janë ndër miqtë më të shtrenjtë që ka Franca", deklaroi Fittousi.
Ambasadori francez njoftoi edhe për zhvillimin e homazheve ditën e hënë në orën 18.00 para Muzeut Kombëtar, ku ne nderim te viktimave do te mbahet 1 minute heshtje . Pritet të marrë pjesë edhe ambasadori gjerman në Tiranë, Hellmut Hoffmann./a.gjonaj/f.n/