Tashmë çdo konkurs për Orenc Gracën është 100 pikë në 100 të mundshme. Ai është vetëm 9 vjeç dhe ka arritur të fitojë pesë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare deri në dhjetor të vitit 2012. Quhet Orenc Graca dhe është në klasën e tretë të shkollës së muzikës “Onufri” në Elbasan. Gjithkush që do ta shikonte e më pas do ta dëgjonte, do të dashurohej me këtë talent në piano. Ai nuk është vetëm një pianist i mirë, është edhe një nxënës shumë i mirë në mësime, i gjallë dhe mjaft aktiv. Familja e mbështet në gjithçka dhe tashmë rruga drejt suksesit është një lojë për të. Në 5 pjesëmarrje është vlerësuar në maksimumin e pikëve, kur ka vetëm dy vjet që ka njohur pianon. Mësuesja e tij, Violeta Sulkuqi, tregon se janë të rrallë nxënësit si Orenci. Ndërsa nëna e tij, Lusena Graca, është ajo që ka zgjedhur rrugën për të birin. Ajo është përkushtuar në maksimum që i biri të bëhet pianist dhe të ndjekë rrugën e artit.
Lusena ka qenë nxitësja kryesore dhe madje i ka zgjedhur edhe instrumentin muzikor qysh në klasën e parë. Kjo, edhe për faktin se në familjen e saj ka muzikantë dhe këtu do të përmendnim kushërirat e para, motrat Libohova që janë edhe një nxitje për të, që i biri të ndiqte muzikën. E gjithë familja është e angazhuar që Orenci të japë maksimumin e tij në piano. Në fakt ai është një fëmijë që kërkon maksimumin nga vetja dhe e realizon në perfeksion çdo pjesë, duke arritur rezultate maksimale. “Mund të them që Orenci dallohej për prirjet e tij qysh më moshën 3-vjeçare. Në kopsht, ai u angazhua menjëherë në një kompeticion që është bërë, maratona e kopshteve të qytetit me këngë dhe kërcim. I gjithë ky angazhim e dalloi nga fëmijët e tjerë.
Nuk doja ta lija përgjysmë këtë dëshirë të tij. Kështu vendosa ta dërgoj në shkollën e muzikës. Aty duhet të zgjidhte instrumentet. Zgjodha pianon, pasi është një instrument dinjitoz dhe fëmijën e shikoja më mirë aty”, shprehet nëna e talentit vetëm 9 vjeç. Sipas saj, janë mësuesja Violeta Sulkuqi dhe drejtori i shkollës, Astrit Lopari, ata të cilët me angazhimin e tyre e kanë bërë më të lehtë ndjekjen e rrugës së talentit për djalin e saj. Familja e ndjek në çdo aktivitet dhe dëshiron që Orenci të japë maksimumin në piano. Sa i përket të ardhmes, Lusena shprehet se vizioni i saj për të birin është shumë larg. “Të vazhdojë përpara dhe të bëhet një pianist i famshëm”, është dëshira e përbashkët për një talent që shkëlqen.
Ndërsa mësuesja e tij, Sulkuqi, shprehet se që në fillim të shkollës Orenci spikati për talentin e veçantë. “Ky talent më ngacmoi për të bërë një punë të diferencuar, për ta ndihmuar dhe zhvilluar këtë pianist të vogël që po rritet. Ka një shprehje shumë të natyrshme të muzikalitetit dhe një komunikim perfekt. Transmeton shumë natyrshëm muzikalitetin e të gjitha stileve të pjesëve që ka luajtur deri tani. Është një fëmijë i aktivizuar edhe në fusha të tjera, si në këngë, në recitime, balet dhe ka spikatur edhe aty duke fituar çmime”, shprehet mësuesja. Por, sa i përket sekretit që Orenci të arrijë këto rezultate, mësuesja tregon se përveç talentit që e ka të lindur, Orenci bën një punë sistematike, si në shtëpi, ashtu edhe në shkollë. “Tek ai janë të kombinuara talenti, pasioni dhe puna. Kemi gjetur formulën e përbashkët familje, mësues dhe nxënës për të arritur në një periudhë kaq të shkurtër këto rezultate”, tregon Violeta Sulkuqi.
Që në klasën e parë, 9-vjeçari spikati nga nxënësit e tjerë gjatë realizimit të pjesëve, si për sa i përket vështirësisë së materialit ashtu edhe nivelit të realizimit të tyre. Është aktivizuar në të gjitha koncertet e shkollës. Ka realizuar me nivel të lartë të gjitha performancat e tij. Orencit nuk i mungojnë edhe çmimet për punën e kryer. Në pjesëmarrjen e parë në konkursin ndërkombëtar EPTA, ai spikati dhe u vlerësua me çmimin absolut për kategorinë e tij, pra me 100 pikët maksimale. Në klasën e dytë ishte sërish pjesëmarrës në këtë konkurs, i cili gjykohet nga një juri e huaj, pedagogë dhe pianistë nga Kanadaja, Anglia, Italia e Gjermania, ku sërish u vlerësua me çmimin absolut prej 100 pikësh. Në konkursin përfundimtar, po nga EPTA që realizohet me fituesit, ai u vlerësua me çmimin “Karola Grindea”, e cila është edhe themeluesja e këtij konkursi në Angli. Ka marrë pjesë edhe në dy konkurse jashtë kufijve. Në Prishtinë, me të gjitha instrumentet dhe fitoi sërish në kategorinë e tij çmimin absolut 100 pikë dhe vendin e tretë në Grand Prix me të gjithë fituesit nga të gjitha instrumentet.
Po kështu, më 6 tetor mori pjesë në një konkurs internacional në Bitola të Maqedonisë. Sërish u vlerësua me çmimin absolut 100 pikë. Aty iu propozua nga një anëtare e jurisë, pianiste e njohur, nxënëse e Emil Gilels, pianist i madh rus, pjesëmarrja në një konkurs ndërkombëtar në Bullgari. Konkursi i fundit, ku Orenci mori sërish vlerësim absolut, u zhvillua me rastin e 66-vjetorit të shkollës artistike “Jordan Misja”. Ky ishte edhe takimi i tretë kombëtar me duete pianistike të organizuar nga EPTA Albania Tiranë 2013. Në të gjitha konkurset, ku Orenci ka marrë pjesë, është vlerësuar maksimalisht.