Fjala e plote e Kadarese Jo referenca te Enver Hoxhes si Don Kishot

Fjala e plote e Kadarese: Jo referenca te Enver Hoxhes si Don Kishot

(Fjalimi i plotë i Kadaresë në shenjë të marrjes së çmimit ‘Asturias’ Don Kishoti, ky shqiptar)

Lartësia Juaj,

Është një kënaqësi e veçantë të jem i pranishëm në këtë sallë dhe të marr fjalën këtu. Kënaqësia është e dyfishtë ngaqë e gjithë kjo ndodh për shkak të letërsisë, universit që unë i përkas.

Ka patur dhe vazhdon të ketë dy mendime krejtësisht të kundërta për letërsinë. Njëri, i vjetër, pakëz naiv, që besonte se letërsia, ashtu si gjithë artet, mund të bënte mrekullira për botën; mendimi tjetër, modern, rrjedhimisht aspak naiv, se letërsia dhe arti nuk i shërbejnë askujt, veç vetvetes. Në të dy këto mendime, e vërteta dhe jo e vërteta janë të përziera. Megjithatë, si njeri i artit unë kam prirjen të besoj te mrekullia.

Ka një model për këtë paradigmë: miti i Orfeut. Është quajtur me të drejtë miti më i misterioz i njerëzimit. Thelbi i tij ka të bëjë me mundësitë e artit. Orfeu arriti që me artin e tij të bëjë gjëra të pabesueshme dhe, ndonëse nuk arriti dot të kapërcente murin e vdekjes, më pranë se kushdo iu afrua së pamundurës.

E përmenda mitin e famshëm për të ardhur te një mrekulli shumë herë më e rëndomtë në dukje, por e së njëjtës natyrë. Njëzet vite më parë, në vendin tim komunist në qoftë se dikush do t’i thoshte dikujt se ka gjasë që një ditë, një shkrimtar shqiptar do të marrë një çmim në Spanjë, për më tepër të dorëzuar nga princi trashëgimtar, ky dikush do të shpallej aty për aty i çmendur, do të prangosej e do të çohej në çmendinë. Dhe kjo do të ishte e keqja më e vogël. Sipas një versioni të dytë, ky dikush do të përfundonte në hetuesi dhe pastaj në torturë si një komplotist i rrezikshëm.

Ndoshta mund t’ju duket pak i dramatizuar ky parashikim, por unë do t’jua shpjegoj. Shqipëria, vendi im, dhe Spanja juaj, përveç një miqësie të shkurtër në shekullin XV, nuk kanë patur kurrë asnjë lidhje. Ndërprerja e plotë u bë në shekullin e kaluar, kur vendi im komunist, i shquar për prerje marrëdhëniesh, (ky ka qenë, si të thuash, specialiteti i tij), preu çdo lidhje me Spanjën.

Por si çdo gjë në botë, ashtu edhe mrekullia e letërsisë e ka një traditë. Në kohën e ngrirë për të cilën fola më lart, atëherë kur midis vendit tim dhe Spanjës nuk shkonte as vinte askush, një kalorës i vetmuar, duke shpërfillur ligjet e botës e kapërcente sa herë të donte kufirin e pakapërcyeshëm. Besoj se e merrni me mend se për kë e kam fjalën: Don Kishotin.
Ishte i vetmi që regjimi komunist, – ai që gjënë më të lehtë në botë kishte ndalimin, – nuk e ndaloi dot. Don Kishoti, qoftë si libër, qoftë si personazh i jetës, ishte aq i njohur në Shqipëri, sikur ta kishte pjellë ajo vetë.

Dikush mund të gjente një shpjegim për këtë paradoks: Don Kishoti ishte i marrë, dhe jo më pak i marrë ishte shteti shqiptar, ndaj ishte e logjikshme që dy të çmendurit të merreshin vesh. Duke kërkuar ndjesë për krahasimin e lajthitjes së fisme të Kishotit me lajthitjen e keqe të shtetit tim, më lejoni t’ju them se nuk ka qenë kështu dhe se krahasimi lidhet me tjetër gjë.

E bëra këtë hyrje të gjatë për të ardhur te tema kryesore e fjalimit tim të shkurtër: pavarësia e letërsisë. Don Kishoti e kapërcente kufirin shqiptar sepse ishte, veç të tjerash, i pavarur. Kur një shkrimtar shqiptar, për veprën e shkruar kryesisht në një truall dhe kohë komuniste, vjen të marrë çmim nga një mbretëri Perëndimore, kjo ndodh se letërsia për nga natyra është e pavarur.

Tema është e vjetër. Ka qenë dhe mbetet, ndoshta, shqetësimi numër një i këtij arti. Në ndryshim nga pavarësia e shteteve, pavarësia e letërsisë është globale. Ndaj dhe mbrojtja e saj e tillë është, globale. Kjo nuk e bën më të lehtë. Përkundrazi.

Pavarësia e letërsisë dhe arteve është një proces në zhvillim. Mendja jonë është vështirë të kapi përmasat e vërteta të saj. Të mësuar me pavarësinë që lidhet kryesisht me shtetet, kombet, e gjer me individin njerëzor, nuk e kemi lehtë të shkojmë më larg. Të shkosh më larg do të thotë të kuptosh se mosvarja e artit nuk është një çështje luksi, një dëshirë për ta përkryer artin. Ajo është një kushtëzim objektiv pra, e detyrueshme. Përndryshe ky univers paralel nuk do të qëndronte në këmbë. Ai prej kohësh do të binte.

Përftimi, siç thashë, është i vjetër. Prej kohësh është e njohur shprehja „republika e letrave” . Tundimi për ta parë letërsinë si botë shpirtërore, natyrisht, por me atribute lëndore gjithashtu: hapësirë, kohë, lëvizje, është i njohur , por kjo nuk mjafton. Ne e pranojmë si botë paralele referenciale, por, kur vjen puna te vizioni i plotë i saj, mendja jonë e ngushtë, konformiste e ka të vështirë ta pranojë paralelizmin, pra pavarësinë e vërtetë.

Themi e pavarur dhe aty për aty instinkti ynë i vjetër na çon tek e kundërta. Ne nuk i shmangemi dot mendimit se arti, ndonëse mund të mos varet nga shtetet, doktrinat, moda, varet megjithatë nga diçka. Dhe mendja na shkon te bota jonë reale, thënë ndryshe, vetë jeta jonë. Mendimi se letërsia varet nga jeta është gati i zyrtarizuar planetarisht. Unë do të bëja pyetjen që në vetvete ngjan heretike: a është e vërtetë kjo? Përgjigja tani për tani s’mund të jetë veç e dyzuar: nuk përjashtohet që arti të ketë lidhje me jetën, por vetëm pjesërisht.

Më lejoni në pjesën përmbyllëse të fjalës sime ta shpjegoj fare shkurt këtë gjysmë herezi.

Në qoftë se e pranojmë botën e letërsisë dhe arteve si botë paralele, referenciale, kemi pranuar se ajo është një botë rivale. Si rrjedhojë e kësaj, meqenëse rivaliteti çon zakonisht në konflikt, duam apo s’duam do të pranojmë se midis këtyre dy botëve, jetës dhe artit, do të ketë konflikt.

Dhe konflikt ka. Herë të shpallur, herë të pashpallur. Në këtë përballje bota reale ka armët e saj kundër artit: censurën, doktrinat, burgjet. Arti gjithashtu ka mjetet e tij, fortesat, veglat, së fundi, armët e tij , shumica të fshehta. Bota reale qëllon të jetë e pamëshirshme, mizore. Arti gjithashtu nuk është një engjëll dhe mund të jetë i pamëshirshëm, mizor. Një poet romantik gjerman i përfytyronte tercinat e Dante Aligherit herë si heshta kërcënuese e herë si vegla torture për ndërgjegjet e rënduara nga krimi.

Por, lufta midis dy botëve është më e ndërlikuar se ç’duket. I njëjti poet gjerman ka ngulur këmbë se disa e kanë bezdisur me armiqësinë e tyre e të tjerët me dashurinë e tyre. Sado paradoksale të duket, të shumtë janë ata që padashur e luftojnë artin, pikërisht atëherë kur kujtojnë se e duan.

Siç shihet, pavarësia e letërsisë dhe artit bëhet përherë e më e vështirë. Megjithatë ne shkrimtarët jemi të bindur se arti nuk do të ngrejë kurrë flamurin e kapitullimit. Meqenëse përmenda këtë fjalë të trishtueshme, besoj se duhet t’i kthehem prapë vizionit të dy botëve që rrijë ballë për ballë në pritje të fitores: botës reale dhe asaj të artit.

Ka shumë dallime midis tyre, por ka një dallim kolosal që qëndron mbi gjithë të tjerat. Dallimi është ky: ndërsa në konfliktin e saj me artin bota reale qëllon që acarohet aq fort saqë turret ta shkatërrojë artin, në asnjë rast, e përsëris, në asnjë rast letërsia dhe arti nuk e sulmojnë jetën reale, për ta dëmtuar, por përkundrazi, luftojnë që ta bëjnë më të bukur, më të jetueshme. Ky është dallimi absolut midis tyre. Dhe në këtë rast një dallim i tillë nuk është gjë tjetër veçse konfirmimi më sublim i pavarësisë së vërtetë të artit.

Ju faleminderit.

 

Një ndjesë lexuesve dhe Kadaresë për shpifjen e A. Canit

Në numrin e së shtunës, si argument kryesor, Mapo Libri kishte një shkrim të Astrit Canit, shqiptar që jeton në Itali, përkthyes, kushtuar Petro Zhejit dhe shkollës shqiptare të përkthimit. Diku nga fundi ai përmendte edhe shkrimtarin Ismail Kadare dhe se si ai, sipas A. Canit, gjatë fjalës së marrjes së çmimit “Princi i Asturias” ka thënë se diktatori Hoxha ishte një Don Kishot. Në rrokopujën e punëve të një gazete të përditshme, e aq më shumë të numrit të së shtunës, një edicion special i zgjeruar i Mapos, redaktorëve u ka shpëtuar ‘lajthitja’ e artikullshkruesit. (Pra, fakti së, në fakt, kadare në fjalim nuk e ka thënë aspak e askund këtë). Por jo lexuesve, të cilët sa me telefonata e sa me emaile pas botimit të shkrimit në fjalë kërkonin sqarime për këtë ‘gafë’. Redaksia u kërkon ndjesë këtyre lexuesve, kadareofilë me siguri, por edhe shumë të tjerëve që ndoshta e kanë kapur këtë ‘rrëshqitje’ tonën e kanë nënqeshur me të duke vazhduar jetën. Sigurisht, i kërkojmë ndjesë të sulmuarit ad hominem, shkrimtarit Ismail Kadare. Me sa duket, ai edhe ne, ndoshta përgjithmonë, duhet të mësohemi me këto stërkeqje e stërpikje të një zhgani të mirërreshtuar tashmë, që shpresojnë se një pikë helm sot e një pikë nesër do ta helmatisin kupën me të cilën shuguron letërsia e vërtetë, e do ta thyejnë pasqyrën ku shtrigës së shëmtuar duhet me patjetër t’i duket vetja bukurane.

Më poshtë po japim të plotë fjalimin e shkrimtarit, mbajtur gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit “Princi i Asturias”, një ndër më të lartët në botën e letrave.


 
Fragmenti i shkrimit të Astrit Canit

 I thirrun me tërhekë çmimin Asturias, shkrimtari jonë ma i famshëm, deklaroi në prani të parisë së Spanjës se diktatori jonë ishte nji don kishot. Në kët mënyrë, vërtetoi se nuk përfaqësonte frymën e romanit dhe se e kishte keqkuptue thelbsisht shejtninë e Don Kishotit, duke i dhanë figurës së Don Kishotit të njejtin konotacion negativ që i pat dhanë interpretimi komunist, pra jo kuptimin që i jep fryma e romanit. Duke na tregue se simbioza e tij me diktaturën, nuk ka sosë kurrë si e tillë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama