Pasi t´i qërojmë nga fjalori ynë të gjitha fjalët e huaja u dashka të bëjmë edhe një qërim tjetër; u dashka të nxjerrim me mashë çdo fjalë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, të thartë, të shëmtuar dhe të lëmë brenda vetëm fjalë të buta, të ëmbëla dhe të bukura. Po c´te bëjmë ahere kur është nevojë e domosdoshme të përshkruajmë një gjë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, te thartë, të shëmtuar? Apo mos duhet ta përshkruajmë me fjalë të buta, të ëmbla, të bukura? Tamam, ja këtë na kërkon një këndonjës dhe kjo ka një emër, quhet eufemizëm dhe njerëzit që e praktikojnë quhen eufemistë. Pas kësaj metode në vend të fjalës së ashpër TRADHTAR duhet përdorur fjala e butë PATRIOT. Ahere nga eufemizma, katili bëhet jetëdhënës, vjedhësi dhuronjës, maskarai i ndershëm, budallai i mençur, i poshtri i lartë, i ligu i mirë, i shtrembëri i drejtë, prishësi ndreqës, e keshtu tutje. Jo, jo more vëllezër, s´kemi nge të bëjmë shaka e të tallemi me këndonjësit tanë. Çdo gjë ka emrin që i përket. Do t´i japim atë emër e jo tjetër. S´kemi hapur sheqerxhianë(ëmbëltore) për të shitur ëmbëlsira, po kemi nisur një gazetë ku duhet të japim pikturën e gjendjes së Shqipërisë, ashtu siç është, ashtu si e shohim, si mos më keq, nuk ua bëjmë dot këtë favor, se s´kemi nge për zbukurime. E vetmja nge për ne është vërtetësia. A janë të vërteta ato që themi? Këtu është e tërë puna. Posa janë të vërteta kanë bukurinë e tyre. Vetëm kjo bukuri na intereson (…).