Fjalë dhe fraza të cilësuara si “Fluturuese” janë ato që kanë kaluar nga një brez në tjetrin, në trajtën e tyre fillestare dhe, ndonëse janë shqiptuar shumë kohë më parë dhe në rrethana të caktuara, ato na duken gjithmonë aktuale. Në mënyrë të përmbledhur, me fare pak fjalë, ato shprehin me saktësi e në mënyrë të kondensuar esencën e fenomeneve. Prandaj, fjalët “Fluturuese” përdoren shpesh në letërsinë artistike, në publicistikë dhe në të folmen e përditshme. Lexuesit ndeshen me fraza të tilla: “Ai u përdor si Kokë Turku”, “Lëkundje Hamletike”, “Lau duart si Pilati”, “U shit për tridhjetë aspra”, “Mollë sherri”, “Kutia e Pandorës”, “Mustaqet e Çelos”, “Zaret u hodhën”, “shteti jam unë”, “Avokati i Djallit” e të tjera – të gjitha këto kanë një histori më vete. Në këtë numër të revistës “JAVA” po botojmë disa prej tyre:
KOKË TURKU
“Kokë Turku” është quajtur (frëngjisht tète de turc) një lloj dinamometri që vendoset në panaire, në raste festash dhe që shërben si një lojë argëtuese. Ky lloj dinamometri ka një kokë prej gome, për të zbutur goditjet. Kjo kokë e mbështjellë është e ngjashme me çallmat turke të shekujve të shkuar, prandaj edhe e quajnë “Kokë Turku”. Goditja me grusht e kësaj koke bën që shigjeta në shkallën e dinamometrit të ngjitet lart e të tregojë shkallën e forcës së atij që godet. Pra, “koka e turkut” ha goditjet për llogari të të tjerëve.
Kjo figurë përdoret në publicistikë e në bisedat e përditshme: “Ta pësosh si kokë turku”, “Të përdoresh si kokë turku”, me kuptimin: të hash goditje kot, ta pësosh për të tjerët ose të marrësh goditje për të larguar vëmendjen nga fajtori i vërtetë, të shkosh si qeni në vreshtë, ose për dhjamë qeni.
E PREMTJA E ZEZË
E premtja e zezë është e lidhur me motivin biblik të kryqëzimit të Jezusit. Por, në mënyrë konkrete ajo gjeti shprehjen e vet në një ngjarje të njohur tashmë si “kriza më e gjerë e më e thellë e shekullit XX”. Është fjala për ditën e premte, 25 prill, të vitit 1929, në SHBA. Një ditë më parë, më 24 prill, u dukën shenjat e një krize të madhe ekonomike, e cila me shpejtësi mori përmasat botërore.
Kriza tronditi gjithë vendet kapitaliste të zhvilluara dhe u cilësua si më e madhja e shekullit. Në bursën e Nju Jorkut e gjetkë, spekulantët arritën të krijojnë panik në tregun e letrave me vlerë dhe pastaj të gjithë sistemit monetar, me një rënie drastike të kursit të këmbimit të parasë. Të nesërmen e asaj dite, të premten, paniku arriti kulmin, prandaj edhe u quajt “e premte e zezë”. Atë ditë pësuan falimentim të plotë mijëra e mijëra firma të mëdha kapitaliste në Amerikë e gjetkë dhe kriza ekonomike përfshiu të gjithë sektorët jetikë. Vetëm në SHBA 15 milionë punëtorë humbën punën.
Kështu pra, data 25 prill 1929 mbeti në kujtesën e amerikanëve si një ditë e trishtuar, një e premte e zezë, dhe prej atëherë, çdo ngjarje me pasoja të mëdha negative, krahasohet dhe cilësohet si e premte e zezë.
Për ne shqiptarët, e premtja lidhet edhe me një ngjarje tepër të rëndë në historinë tonë – me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill 1939. Ajo ditë ishte, gjithashtu, e premte.
EMINENCË GRI
Ky emërtim iu ngjit për herë të parë kardinalit francez Fransua Ke Kler, këshilltar personal i kardinalit të njohur Reshelje. Influenca e Fransua Le Klerit në veprimtarinë e Resheljesë ishte shumë e madhe dhe shpesh herë vendimtare. Ai luante rolin e një kardinali-hije, njeri i cili rrinte në sfondin e të gjitha ngjarjeve. Për t’u dalluar nga Resheljeja, që dilte me mantelin vishnje të kardinalit, këshilltari i tij Fransua Le Kler vishte një rrobë me ngjyrë gri.
Duke u nisur nga ky rast konkret, emërtimi “eminencë gri” filloi të përdoret sa herë është fjala për të cilësuar njerëz, veçanërisht këshilltarë të zyrtarëve të lartë, të cilët ushtrojnë fuqinë në prapaskenë, rrinë si hije, por që luajnë rol përcaktues e ndonjëherë edhe vendimtar në politikën e madhe.
BOJKOTIM
Origjina e kësaj fjale dihet me saktësi, sepse lidhet me emrin e një njeriu që ka jetuar në shekullin XIX. Prej atëherë ky emër hyri në letërsinë politike botërore, si edhe në bisedat e përditshme.
Në fund të viteve 70-të të shekullit XIX, udhëheqësi irlandez Çarls Stjuart Parnell u vu në krye të manifestimeve masive kundër pushtimit anglez. Ai u bëri thirrje fshatarëve të mbrojnë të drejtat e tyre në tokat e marra me rente nga lendlordët anglezë.
Duhet, thoshte ai, që çdo lendlord që përpiqet të përzërë fshatarët nga tokat, për shkak se nuk kanë mundësi të paguajnë taksat e larta, të izolohet e të vihet në gjendje pa rrugëdalje. Ai hodhi parullën që asnjë irlandez të mos marrë me rente ato toka ku janë përzënë bashkatdhetarët e tij. në qoftë se ndonjëri e merrte tokën dhe shkonte e ngulej në të, bashkëfshatarët e tij duhet ta izolonin e të mos e takonin as në rrugë, në treg apo në kishë, duke krijuar rreth tij një gjendje përçmimi dhe vetmie.
Shpejt irlandezëve iu erdhi rasti ta vënë në jetë këtë këshillë të Parnellit. Koloneli anglez me emrin Bojkot, arendator dhe përfaqësues i lordit anglez Irna, në rajonin Lajo, kishte fituar urrejtjen e përgjithshme të popullsisë së krahinës. Ai kishte vendosur masa të rrepta për fshatarët që punonin në çifligjet e anglezëve dhe kërcënonte me varje të gjithë ata që nuk i bindeshin. “Lidhja e Tokës” – një organizatë irlandeze e fshatarëve irlandezë – hodhi parullën: “toka irlandeze – irlandezëve”. Organizata i shpalli luftë Bojkotit. Kur kapiteni thirri policinë për të përzënë nga tokat ata që nuk kishin paguar rentën, populli u ngrit kundër “ruajtësve të rendit” dhe i mposhti.
Policët ikën dhe u strehuan në shtëpinë-kështjellë të Bojkotit. Të nesërmen të gjithë shërbëtorët dhe punëtorët që punonin për Bojkotin u larguan prej tij dhe asnjëri nuk pranoi të punojë për të. Tregtarët nuk pranonin t’i shisnin asgjë dhe postierët nuk i çonin letrat. Çdo lidhje me Bojkotin u ndërpre dhe kështu, më në fund, kapiteni Bojkot u detyrua të lërë Irlandën.
Termi “Bojkot” u përdor për herë të parë në një gazetë irlandeze, në nëntor 1880, për të treguar braktisjen dhe izolimin si mënyrë lufte. Bojkotimi i tokave të pronarëve u bë një mjet lufte efektive e fshatarëve kundër pushtuesve. Ky term u përhap pastaj në Angli, në vendet e tjera të Europës dhe më vonë në Amerikë. Tani “Bojkoti” është bërë edhe një armë e luftës politike, kundër qeverive që shkelin ligjet.