Fjalet e duhura per t’i shpjeguar erosin femijeve

Fjalet e duhura per t’i shpjeguar erosin femijeve
Erosi mbetet një tabu në shtëpi. Të bërit dashuri mësohet nga interneti, edhe pse 44% e fëmijëve pohojnë se duan të flasin me prindërit për këtë problem. Fëmijëve u duhen shpjeguar që në vegjëli këto gjëra. Në moshën 5-vjeçare duhen shmangur monologët mbi pjesët intime, ndërkohë që kur mbush 8 vjeç, fëmija duhet paralajmëruar për ndryshimet që do të ndodhin në trupin e tij gjatë pubertetit. Akademia e pediatërve amerikanë jep disa këshilla për prindërit

Gjithmonë duket sikur është shumë shpejt, ose shumë vonë. Në fakt janë prindërit ata që mendojnë se fëmijët e tyre nuk kanë moshë, që janë të vegjël, ose të rritur për të folur rreth këtyre gjërave. Pavarësisht se kohët kanë ndryshuar, çështja e seksit mbetet tabu për prindërit. Për këtë arsye fëmijët janë të detyruar të mësojnë vetë, si atëherë, ashtu edhe tani, vetëm se sot ekziston interneti dhe kjo i ndryshon shumë gjërat nëse flasim për seksin, seksualitetin, e pse jo edhe për dashurinë. Në epokën e erosit virtual, seksi është një lëndë shumë e vështirë, ku 12-vjeçarët, të cilët ndoshta nuk kanë dhënë apo nuk kanë marrë kurrë një puthje, janë shumë kureshtarë dhe postojnë çdo ditë në internet fotografi çiftesh duke u puthur. Pikëpyetja më e madhe për ta është nëse këto puthje janë apo jo të vërteta... Cila është mosha e duhur e fëmijëve për të folur për seksin? Cilët janë termat, fjalët dhe shembujt e duhur për të folur mbi temën e seksit me këtë brez fëmijësh dhe adoleshentësh, të cilët që nga fëmijëria rrezikojnë të përballen me çdo lloj skene “të nxehtë”, apo çdo lloj imagjinate erotike?

Faktikisht tema në fjalë është kaq “urgjente”, saqë Akademia e pediatërve amerikanë ka bërë një përmbledhje këshillash për prindërit, pavarësisht maleve me libra të shkruar në çdo pjesë të botës për këtë problem. Një grup shkencëtarësh dhe ekspertësh të moshës evolutive kanë rishikuar etapat e edukimit seksual familjar, gjithnjë duke pasur parasysh faktin se sa shumë kanë ndryshuar këta “fëmijë-sapiens” të rinj. Një nga këshillat më të vlefshme që japin studiuesit është se prindërit duhet të flasin patjetër me fëmijët për seksin, madje që kur ata janë të vegjël, sepse kjo do t’i ndihmojë kur të rriten që të kenë ide të qarta për dashurinë dhe veçanërisht “të mos e parashikojnë moshën e herës së parë”. Prindërit nuk kanë pse shqetësohen për një pyetje të tillë, për shembull “Mami, si kam lindur unë?”, kur e bën një fëmijë 4-vjeçar. Duhet të përpiqen ta shpjegojnë sa më qartë përgjigjen. Kur fëmija të jetë 8 vjeç është e nevojshme që prindërit ta paralajmërojnë për ndryshimet që do të ndodhin në trupin e tij gjatë moshës së pubertetit, ndërkohë që kur të mbushë 12 vjeç duhet t’i shpjegojnë se si të bëjë pyetje, madje edhe ato intime. Kur fëmija të mbushë 13 vjeç, prindërit duhet t’i shpjegojnë shumë gjëra për seksin dhe dashurinë.

Për prindërit gjërat janë më të thjeshta kur fëmijët janë të vegjël, sepse për fat të mirë ekzistojnë librat, përrallat, historitë dhe titujt e ndryshëm që shpjegojnë shumë aventura. Ka nga ata prindër që përdorin figurat dhe filmat për t’ju përgjigjur pyetjeve kureshtare të fëmijëve, të tjerë bazohen te mesazhet shkencore: “Ja kështu ke ardhur ti në këtë botë”. E njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me fëmijët e adoptuar, ose ata që kanë dy nëna dhe dy baballarë: prindërit e tyre nuk duhet të kenë frikë. Ata mund të përdorin pemët e ilustruara, që padyshim do t’ua lehtësonte pak komunikimin. Heshtja e madhe në familje vjen menjëherë pas asaj periudhe që shqetëson shumë pediatrit dhe psikologët, kur fëmijët janë pranë moshës së pubertetit dhe nuk e kanë idenë se çfarë ndodh me ta. Megjithatë sipas një psikoterapeute për fëmijë, të rriturit që arrijnë ta kapin vërtet situatën janë të paktë. “Do të thosha janë 30% e prindërve kundrejt 70% e atyre që shtiren sikur e injorojnë problemin, pasi mendojnë se fëmijët arrijnë t’ia dalin vetë mbanë, siç u ka ndodhur atyre kur kanë qenë të vegjël”. Por kur 44% e adoleshentëve pohon se “do t’u pëlqente të flisnin për këto probleme me prindërit” dhe 34% e adoleshentëve thotë pa ndrojtje se e kanë mësuar seksin përmes internetit, atëherë është e qartë se diçka nuk shkon...

“Më bën përshtypje që revolucioni seksual i viteve ‘70 e ka ndryshuar kaq shumë jetën e grave dhe të çifteve, ndërkohë që mes prindërve dhe fëmijëve vazhdojnë të mbizotërojnë turpi dhe heshtja e vazhdueshme. Për mendimin tim këta fëmijë kanë nevojë më shumë se kurrë për edukim sentimental, sepse janë viktima të një informacioni të parakohshëm, ku seksi i vetëm është ai që gjendet nëpër videot pornografike dhe ‘Youtube’, ndërkohë që nuk dinë asgjë për dashurinë, për ndjenjat e vërteta që burojnë nga trupi. Në pyetësorët që bëjmë për adoleshentët nëpër shkolla, shumë prej tyre pohojnë se në grupet e bashkëmoshatarëve ekziston një mik ose mikeshë, me të cilin kanë shkuar, pra kanë bërë seks sa për të marrë eksperiencë, por këto përvoja nuk kanë të bëjnë fare me dashurinë”, thotë psikoterapeutja.

Kur informacioni është kaq i parakohshëm, si t’ua shpjegojnë fëmijëve me fjalët e duhura që ata të binden dhe të presin çastin e duhur? A vlen për fëmijët që termat e organeve gjenitale t’i zëvendësojnë me një fjalë më “miqësore”, gjë të cilën e këshillojnë edhe pediatrit amerikanë? Një mjek dhe psikoterapeut për fëmijë, temës së seksit mes prindërve dhe fëmijëve i ka kushtuar një libër, që titullohet “Mami çfarë është dashuria”. Ja si shprehet ai në lidhje me çështjen në fjalë: “Të përdorësh emrat e saktë, siç janë ato të filozofisë, nuk është kurrë e gabuar, madje shpjegimit mund t’i shtoni edhe diçka nga vetja, si për shembull seksi ka lidhje me një zemër që rreh fort dhe një mendje që dashurohet marrëzisht. Personalisht mendoj se edukimi seksual nuk është diçka që mësohet, por më tepër një marrëveshje që prindërit duhet ta gjejnë brenda vetes për t’i trajtuar këto tema së bashku me fëmijët. Një edukim duhet të niset gjithmonë nga shembujt e përditshëm, konkretisht si flitet për dashurinë, natyrshmërinë për lakuriqësinë, apo mosturpërimin nga ledhatimet. Për fëmijët librat janë ndihmë shumë e madhe, jo vetëm sepse mund t’i lexojnë së bashku me prindërit, por edhe t’i shfletojnë vetëm, duke gjetur në këtë mënyrë përgjigjet e pyetjeve që bëjnë”.

Gjërat ndryshojnë kur fëmijët hyjnë në adoleshencë, në atë moshë të bukur kur jeta është e mbushur plot sekrete, mister dhe dyert e dhomave që deri dje ishin të hapura për prindërit, tani kyçen. “Për t’i folur sot një 12-vjeçari për seksin duhet të njohim mirë fillimisht teknologjinë. Një pjesë e mirë e marrëdhënieve të tyre ka lidhje të forta me aftësitë informatike. Edhe fenomeni i ‘sexting’ neologjizëm i formuar nga fjalët seks dhe ‘texting’, që konsiston në dërgimin e fotove seksi personale në internet, duke i hapur kështu dyert takimeve të rrezikshme me të panjohurit, na tregon se sa të varur janë adoleshentët ndaj këtij ambienti të panjohur, që nga njëra është i zhytur në seks, ndërsa nga ana tjetër është totalisht injorant karshi dashurisë”, bën të ditur psikoterapeuti. Ekziston edhe një tjetër aspekt injorant, që në fakt pediatrit amerikanë i mëshojnë shumë, sidomos kur flasin për pubertetin: “Sot janë meshkujt që kanë më shumë vështirësi në marrëdhënien me trupin e tyre. Janë të pakta vajzat që mamatë nuk u flasin për ciklin menstrual, ndërkohë që askush nuk i informon djemtë për ndryshimet hormonale që ndikojnë shumë si në pamjen e jashtme, ashtu edhe në luhatjet e humorit, marrëdhëniet seksuale, etj.”, thotë ai.

Drejtoresha e një materniteti e zhvendos çështjen në fjalë në një këndvështrim tjetër dhe thotë se mënyra më e mirë për të folur për seksin me fëmijët dhe adoleshentët është pikërisht “mospërdorimi i fjalëve”. “Ekziston një edukim sentimental që lind në familje dhe zhvillohet përmes marrëdhënies që prindërit kanë mes tyre dhe fëmijët duhet ta shohin këtë gjë. Shembulli i tyre, që në këtë rast janë prindërit, respekti reciprok që ata kanë, sensualiteti e shumë faktorë të tjerë nuk janë gjë tjetër veçse një edukim seksual. Pastaj lidhja me trupin e fëmijëve, përqafimet, përkëdheljet, edhe këto ndikojnë në edukimin seksual. Kjo mënyrë është njësoj si të jesh në brendësi të një alfabeti të shëndetshëm ndjenjash. Dashuria duhet të ndikojë që djemtë të rriten të shëndetshëm dhe nuk do ta ndiejnë nevojën që të largohen nga shtëpia për të gjetur dikë që t’i dojë, por do të presin momentin e duhur për të provuar seksin. Në këtë mënyrë mund të mbrohen edhe nga zhgënjimet që ndonjëherë lënë shenjë për gjithë jetën”, përfundon ajo.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama