Çdo gjuhë përbën një pjesëz të botës. Fjalët nuk shërbejnë vetëm për të komunikuar realitetin, por për ta krijuar atë, sepse gjithçka që ekziston gjendet te gjuha dhe ajo që nuk flitet më vdes, nuk jeton. Idetë, emocionet, ndjenjat, institucionet e njeriut, por edhe gjërat, objektet, vendet në të vërtetë janë vende të qenies së fjalës, rregull ky i vendosur nga koha. Në këtë kuptim çdo gjuhë është një trashëgimi, siç thoshin njerëz të famshëm dikur, midis tyre edhe Ferdinand de Saussure, krijuesi i linguistikës moderne. Po ashtu çdo gjuhë që zhduket është një pasuri që humbet, një pjesë e njerëzimit që hesht përgjithmonë.
Pikërisht shprehjeve që po zhduken linguisti amerikan i ka dedikuar librin e tij të fundit “The Last Speakers: The Quest to Save the World’s Most Endengered Languages”. Libri përbën një udhëtim magjepsës dhe aventurash mes fjalëve që planeti rrezikon t’i lërë që të zhduken përgjithmonë. 248 gjuhë origjinale të Amerikës Latine, nga të cilat 64 në Brazil dhe 53 në Meksikë, rrezikojnë të zhduken në pak vite. Alarmi vjen nga UNESCO.
Nga Siberia në rrafshnaltat boliviane, nga Guineja e Re deri në ishujt linguistikë të Perëndimit. Gjuhët që sot rrezikojnë të jenë të zhytura në detin e globalizimit dhe monolinguistizmit që ai ofron trajtohen gjerësisht në libër. Sigurisht rrjedhojat e gjithë kësaj që po ndodh nuk mund të jenë asgjë tjetër veçse një reduktim i zërave të planetit dhe një ngjitje galoponte e anglishtes. Një formatizim i mendimit që sakrifikon diversitetin në emër të prakticitetit. Ky është paradoksi i sotëm. Komunikojmë gjithmonë e më shumë, por fjalët për ta bërë këtë veprim sa po vijnë e po zvogëlohen.
Dhe kështu, ditë pas dite shumë komunitete adaptojnë gjuhët dominuese, duke lënë që të vdesin ato të tyret. Sot janë shumë arsyet që po i shtyjnë gjuhët të zhduken, duke përbërë një rrezik mjaft të madh për historinë e njerëzimit. E nuk ka lidhje vetëm me atë që do zhduket, por duhet të marrim parasysh pasojat. Bashkë me të do të zhduket edhe një kapitull i rëndësishëm i jetës dhe historisë së atij fisi që e ka folur për kaq shumë vjet. Me sa duket fati i gjuhëve është shumë i lidhur me atë të specieve, me të ashtuquajturat biodiversitete. Shumë janë pothuajse të panjohura, ashtu si emrat e tyre. Dijet në fushën e botanikës, kimisë, farmakologjisë, agrikulturës do të zhduken përgjithmonë me folësit e fundit mbi Tokë.
Sepse jo gjithçka mund të përkthehet. Dhe një gjuhë nuk vlen më pak apo më shumë se tjetra. Në këtë kuptim, fakti që anglishtja është gjuha që dominon sot në botë, nuk përbën një avantazh, por një problem. Pikërisht kushti titulloj një shkrim i rëndësishëm i shfaqur disa kohë më parë në “Herald Tribune” që u dedikohej ndryshimeve linguistike të dominimit imperial amerikan. Me pak fjalë, a jemi të sigurt se do jemi në gjendje të komunikojmë vetëm me pak gjuhë në dispozicion? Kjo pyetje që qëndron në thelb të librit Harrison i përgjigjet me një ‘Jo’ të madhe. Gjuhët në rrezik zhdukjeje duhet dhe mund të shpëtohen. Duke u përpjekur t’i rrisim vlerën, prestigjin, apelin në sytë e atyre që e flasin, por edhe në ato të të tjerëve. Me pak fjalë duke rritur kuotën e tyre në tregun botëror të gjuhëve. T’i japësh çdo gjuhe vlerën që i takon është një detyrë që na takon të gjithëve.
Jo të gjitha gjuhët mund t’u thonë gjithçka të gjithëve, por secila mund të ketë diçka për të thënë. Karli V, që nuk arriti kurrë të mësonte latinisht, por që dinte goxha për globalizimin, duke qenë se në perandorinë e tij dielli nuk perëndonte kurrë, thoshte se duhej të fliste spanjisht me zotin, italisht me të dashurën, frëngjisht me mikun, gjermanisht me ushtarët, anglisht me rosat, hungarisht me kuajt dhe po ashtu tjetër gjuhë me djallin. Ndoshta për të shpëtuar idiomat në rrezik duhet marrë shembull nga indigjenët e ngushticës së Torresit, një prej parajsave të antropologjisë që mendojnë se ky problem zgjidhet duke e bërë më bashkëkohore gjuhën e tyre, duke krijuar fjalë të reja për të përkthyer terma të tillë ndërkombëtarë si kompjuteri. Në fakt, problemi është i njëjtë gjithandej. Kur mungojnë fjalët, mungojnë mendimet.
Armiku kryesor
Një nga shkaqet e zhdukjes së gjuhëve është globalizimi që ka shekuj që thellohet. Në një botë që bëhet gjithnjë e më shumë e ndërvarur, gjuhët më të vogla rrezikojnë të shtyhen, derisa madje edhe të shuhen nga zhdukja. Disa gjuhë janë shtypur prej qeverive, të cilat pëlqejnë vetëm një gjuhë kombëtare në shtetet përkatëse. Profesori Majkëll Kraus i Universitetit të Alaskës dallon që vendet me shumëllojshmërinë më të madhe gjuhësore janë Indonezia dhe Papua-Guineja e Re, ku të paktën ato që sundojnë mbështesin përhapjen e gjuhëve kombëtare dhe zvogëlimin e shumëllojshmërisë. Kërcënime të tjera për gjuhën janë edhe vrasjet e racave shoqërore dhe sëmundjet ngjitëse shfarosëse.
Lindja
Gjuhë të reja kanë lindur gjithashtu gjatë shekujve të fundit. Një nga këto është gjuha tok pisin, e cila është e zhvilluar prej një zhargoni të largët të anglishtes e gjermanishtes dhe tani është gjuha kombëtare e shtetit Papua-Guineja e Re. Si shembuj krahasues të shpërndarjes gjuhësore përmenden Europa me popullsi 661 milionë dhe 225 gjuhë të ndryshme, irian xhaja në Indonezi me popullsi 1 641 000 dhe 265 gjuhë të ndryshme dhe Papua-Guineja e Re me popullsi 4 553 000 dhe 817 gjuhë të ndryshme. Pra, për Europën janë përafërsisht 3 000 000 njerëz për çdo gjuhë të saj, ndërkohë që në Papua-Guineja e Re janë 5 700 njerëz për çdo gjuhë të saj.