Do shkruaj shkurt, pasi punimi që sot kam andjen dhe përgjegjësinë të paraqes, Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, meriton të ketë lexues me interes të freskët dhe ky interes duhet të shkojë tek autori i tij, Begzad Baliu. Meriton përqëndrim ky punim, pasi ai ngacmon njëherësh dy vlera njerëzore: dijen dhe vetëdijen. Dija kërkon vëmendje, kurse vetëdija lyp ndërgjegjësim, dhe pikërisht këtij ndërgjegjësimi, jetik sot për gjindjen tonë, dua t'i mëshoj në këtë cekasë.
Male të banuara prej shekujsh dhe ndër shekuj të përshkuara; vise (apo vêse - homazh Çabejt kjo fjalë!) vêse pra, që sot, paçka se në heshtje tekanjose, janë skena të mundimeve njerëzore, të atyre njerëzve që aty deshën të punonin, të strehoheshin ase të mbijetonin. Shpesh thuhet se të moçmit nuk na lanë ne pasardhësve shqipfolës dëshmi të shkruara që të ushqenin kujtesën mbi kulturën dhe qytetërimin e tyre. A thua dëshmi të tilla priten me u gjetë veç të shkruara, veç në libër apo në berk (nënlëvore e pemës)?
Etnia jonë, në orvatje për t'u orientuar në hapësirë, për të sunduar e përdorur truallin, u dha emra viseve. Maja, pllaja, liqêj e lumej, shêna, theqafje, forcé e mandej kështjella, zona ndeshtrashash e zona të kultivuara, morën ksisoj nga një cilësim, dhe gjithë së bashku përftuan identitet: nomen omen - thonin të lashtit. Me fjalë të thjeshta, skatragjyshët tanë thanë dikur: "Ti ujë vrulltak ke me u quejtë Lumbardha. E mandej ti tokë që si për habi shfaqesh kaq e shtrirë fill pas një mali e buzë një deti, ke me u quejtë Fushëgjanë (siç e pat ndi ndër malsorë të zbritun Gazulli ynë). Apo quhet Velikapolje a Velipojë?! Le të pyesim studiuesin Baliu!
Kështu pra i emërtuan një nga një trojet e veta, e fill pas kësaj i emnuan, i thirrën për emër. Dhe qysh nga ai moment lumi e fusha e mali, e gjithçka tjetër, u bënë të afërt për ta; nuk ishin më pjesë e natyrës së huaj e anonime, por u bënë domen i hapësirës vetanake. U bënë truall i bashkësisë së të parëve tanë. Ja pra që emërvendet për shekuj u shndërruan në rojtarë të kohës së shkuar, të kujtesës së ngjarjeve vendase, të sakrificës e të mundit të njerëzve që s'do ta shohin kurrë veten të cilësuar në librat e historisë, porse ciceronët e tyre të sotëm vijojnë me qenë toponimet. Të tjetërsosh ciceronët domethënë të tjetërsosh historinë. Me të drejtë Çabej thosh se toponimet janë pasuria më e çmuar që ka sot populli shqiptar.
Ky studim i Begzadit u kushtohet, madje u përkushtohet këtyre ciceronëve. Dhe mundohet të hedhë dritë si mbi tanësinë, ashtu edhe mbi grimasat e tyre.
Me tanësi kam parasysh atë sistem binar diakronik që pranëvë toponimin zyrtar dhe atë popullor, që rreket të gjejë pikëpremjen mes mitit dhe shkencës, duke i lënë natyrisht edhe mitit edhe shkencës vendin e vet. Dhe ky punim e ofron bukur mirë këtë vlerë. Me fjalë të tjera, unë gjykoj se autori i tij për këtë çështje i përmbahet metodës së lëvdueshme që themeluesi i toponomastikës shqiptare, dom Nikoll Gazulli, e formuloi qartë duke thënë se "dieja mbí emna vendesh e mbi fise të Shqipënisë sodë mbështetet ndë gojëdhanë (folklore) por me Toponomastikë, mund të két nji perforcim të mjaftueshëm".
Ndërsa me grimasa kam parasysh vëmendjen e veçantë që zenë në këtë studim fjalëformimi i toponimeve, prapashtesat e tyre si dhe homogjenizimi përfundimtar që u jepet - punë mjaft delikate kjo e fundit, për të cilën Baliu nënvizon me të drejtë se "duke qenë toponimi i ndërtuar mbi një strukturë shumështresore gjuhësore dhe jogjuhësore, ai nuk përputhet domosdo me gjuhën letrare, as me gjuhën letrare kombëtare".
Dhe në fakt, po të shihet sot me sy kritik e rivlerësues homogjenizimi i toponimisë në Shqipëri, vërejmë se sanksionime keqane kanë disociuar sintagma të përngjitura prej dorës së kohës e mandej i kanë rrafshuar ato si bie fjala Vadêjsi u bë Vau i Dejës, duke rishfaqur nyjën, duke lakuar veç e veç gjymtyrët e sintagmës e duke asgjësuar hundoren. Pra duke fshirë në çast kujtesën e shekujve, pasi Deja nuk është më Dêja dhe nuk ruan më asnjë continuum me Danjen e kahmotçme.
Patriotizmi i shëndetshëm që përshkon gjithë studimin e Begzad Baliut, përveçse nga kriteret e qëndrueshme shkencore, sigurohet në dorë të parë edhe nga bërthama filozofike e punës së tij. Kjo bërthamë lidhet me konceptimin progresist që ai sjell për rëndësinë e qëmtimit dhe rindërtimit të toponimeve tona. Dhe kjo rëndësi nuk i blatohet më vetëm qerthullit tonë të ngushtë kombëtar, por, duke cituar autorin "gjithë këtë pasuri gjuhësore, kulturore dhe historike ne do t'ia falim një ditë Europës së re, pasi ajo është simotra etnokulturore e antikitetit europian".
Kjo don të thotë të punosh njëmend për të ardhmen. Tek e fundit, historia e gjuhëve dhe kulturave është historia e integrimit të tyre.
Letërsia shqiptare dhe realizmi socialist
Njëzet vjet pas rënies së regjimit diktatorial, mjafton për ta parë ftohtë me objektivitet shkencor letërsinë e realizimit socialist që u shkrua në Shqipëri.
Departamenti i Letërsisë në Universitetin e Tiranës ndërmori këtë aksion diskutimi dhe analiza të studiuesve dhe kritikëve të letërsisë, edhe nga Kosova. Maratona e diskutimeve në Akademinë e shkencave nga mëngjesi në mbrëmje nisi dje nga Floresha Dado me "Qasje teorike ndaj realizmit socialist", me Ali Xhikun "Estetika e realizimit socialist një estetikë e paidentifikuar", me "Utopia letrare" të Sabri Hamitit, me "Institucionet ideologjike dhe autori individual" të Adem Jakllarit, me "Kolektivizimi i subjektit lirik në lirikën e realizmit socialist" të Dhurata Shehrit etj.
Dita e dytë sot vazhdon me analizat e Alekasandër Rusakovit i ftuar nga Universiteti i Shën Petërburgut, të Agron Tufës, Resmie Kryeziut, Luara Smaqit, Kastriot Gjikës etj.
Dramë shqiptare në Teatrin Kombetar
Drama "Një tablo absurde" me autor Ferdinand Hysin do të jetë premiera e ardhshme në Teatrin Kombëtar në muajin dhjetor. TK njoftoi dje se regjisori Milto Kutalit ka filluar punën me aktorët Fatos Sela, Roland Trebicka, Naun Shundi, Olta Daku, Anila Bisha dhe Dritan Boriçi. Duke marrë shkas nga një tablo e njohur e realizmit socialist, Hysi ndërmerr në të vërtetë një udhëtim në periudhën postkomuniste, në gjurmë të autorit të tablosë që me realizimin e asaj vepre e hodhën në një kalvar absurd.
Regjisori Kutali po sjell me këtë vepër "fatin e artistëve që punuan nën diktaturë, të detyruar të bënin atë që nuk ishte brenda shpirtit të tyre artistik"!
Premiere amerikane e drames kosovare
Drama "Lufta në kohën e dashurisë" e autorit nga Kosova Jeton Neziraj jepet premierë sonte në Yale Drama Coalition të Amerikës. Regjinë e kësaj shfaqjeje e ka bërë Danielle Tompson, producente është Aminah Zaghab, luajne aktorët: Abigail Emerson, Faizaan Kisat, Harriet Weaver, Isabel Siragusa, Peter Kaufman, Rachel Payne, Timmia Hearn Feldman dhe William Smith.
"Lufta në kohën e dashurisë" është shkruar në vitin 2007. Në Tetor të po atij viti ka pasur prezantimin e parë në Kent të Londrës, nga teatri nomad. Eshtë përkthyer në disa gjuhë. Kjo është drama e parë e Nezirajt që vihet në skenë në Amerikë.