Një zënkë banale mes dy nxënëseve të shkollës “Petro Nini” në Tiranë, për pak mund tw kishte pasur fund tragjik. Impulsiviteti i adoleshencës dhe tensioni me ish- shoqen e saj, dyshohet se e shtyu 16-vjeçaren K.H të hidhej nga dritarja e tualetit të shkollës e cila ndodhej në katin e dytë. E pyetur nga “Shekulli” drejtoresha e shkollës Teuta Braçaj sqaroi se, gjithçka nisi pas një konflikti mes dy vajzave të vitit të dytë. “Konflikti ka nisur ditën e enjte në ambientet e shkollës. Kur u vura në dijeni të tij i thirra të dyja vajzat. Njërën e mora në drejtori ndërsa tjetrën te sekretaria për t’i dëgjuar të dyja palët dhe për t’i pajtuar me njëratjetrën. Mirëpo, ky pajtim nuk u arrit pasi njëra e pranonte faljen ndërsa tjetra jo.
16-vjeçarja E. shprehej se nuk e falte shoqen e saj për fjalët që kishte thënë për të pas krahëve dhe ishte shumë e acaruar. Për këtë arsye unë thirra edhe prindërit që t’i qetësonin vajzat e tyre. Ndërsa K. H, vajza që u hodh ishte shumë e qetë. “Unë e kuptoj gabimin edhe mami më tha që të mos e shty sherrin”, tha K. gjatë ditës së enjte kur ishte në zyrën time”, u shpreh drejtoresha Teuta Braçaj. Vajzat janë në klasa të ndryshme dhe kanë qenë senatore të klasave të tyre. Aty janë njohur me njëratjetrën në mbledhjet e senatit dhe janë bërë shoqe.
K.H ishte te klasa IIF ndërsa E. Ishte nxënëse te klasa e IIC. Drejtoresha dhe mësueset e shkollës tregojnë se, vajzat janë shumë të sjellshme dhe nxënëse shumë të mira. “Edhe ne kemi mbetur të habitur nga ky veprim. Vajzave unë ju fola gjatë ditën e enjte dhe u thashë se sherri nuk është zgjidhja e duhur për problemet që mund të kemi, pasi kështu veprojnë njerëzit pa nivel që nuk kanë si të merren vesh ndryshe. Nuk na jepte asnjë shenjë se mund të bënte një veprim të tillë. Ajo bisedoi me psikologen e shkollës dhe ishte shumë e qetë. E gjithë grindja ishte bazuar në fjalët që kishin dëgjuar vajzat për njëra-tjetrën nga një palë e tretë. Duke u përpjekur të sqaronin njëra-tjetrën për fjalët që kishin thënë pas krahëve vajzat janë konfliktuar. Ngjarja ndodhi pa nisur ora e parë e mësimit. Mëngjesin e të premtes ne ishim duke pritur nënën e E., vajzës tjetër që të bënim mbledhjen me prindërit e vajzave dhe komisionin e etikes dhe të sjelljes.
Ndërkohë që unë isha duke folur më mësuesen kujdestare dhe mësuesen e psikologjisë si edhe me nëndrejtoreshat dëgjuam lajmin që nxënësja ishte hedhur nga dritarja. Ajo kishte qenë me të ëmën, të cilës i kishte thënë se do të shkonte në tualet”, u shpreh drejtoresha. K.H u hodh nga dritarja e banjës së katit të dytë, e cila ndodhet në anën e majtë të godinës. Pas rrëzimit të vajzës u lajmërua menjëherë urgjenca e spitalit dhe policia. Vajza ishte në gjendje të fliste dhe ishte e ndërgjegjshme për gjithçka. “Më fal drejtoreshë, që e bëra këtë”, më tha kur i shkova afër para se të mbërrinte ambulanca”, tregoi drejtoresha Teuta Braçaj . Nxënësja K.H u transportua menjëherë në spital dhe është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Nuk kishte pësuar asnjë thyerje. Mjekët dyshojnë vetëm për ndonjë krisje të legenit, por asgjë serioze. Vajzës i janë bërë të gjitha kontrollet si eko, grafi dhe skaner.