Faqja e internetit që e prezantoi paketën e fjalimeve u bombardua me komente që kritikonin magjepsjen që vijon të jetë e pranishme mes shumë italianëve për udhëheqësin fashist, ndërsa e majta e kritikoi ashpër këtë metodë të riprezantimit modern të fjalimeve të vjetra. Aplikimi përmban 100 fjalime të Duçes dhe mund të blihet për 79 cent. Ai ishte krijuar nga një 25-vjeçar nga Napoli, Luigi Marino, i cili tha se nuk kishte ndër mend t’i bënte “elozhe” epokës fashiste. Ai në fakt, dëshironte të krijonte një dokument të një “faqeje të trishtë të historisë së vendit.”
“Ditën e parë, aplikimi u shkarkua 55 herë, në ditën e dytë më shumë se 600 herë dhe në ditën e tretë e më pas pati më shumë se 1 mijë shkarkime çdo ditë”, tha Marino. Ai tha se po mendonte të përmblidhte fjalime të tjera udhëheqësish historikë dhe t’i ofronte për shitje. “Për të shmangur debatet, ndoshta do ta filloj me një përmbledhje të fjalimeve të Gandit”, tha ai.
Media italiane tha se popullariteti i fjalimeve të Musolinit ishte tronditës, pasi formati i publikimit “iTunes” është popullor te brezi i të rinjve dhe jo tek “të moshuarit nostalgjikë”. Musolini u vra nga partizanët antifashistë në fund të luftës. Por 65 vjet më pas, suvenirë me portretin e tij vijojnë të shiten me shumicë nga qyteti i tij i lindjes, Predapio.