Fjalori i Oksfordit i gjuhes angleze dhe Shqiperia

Fjalori i Oksfordit i gjuhes angleze dhe Shqiperia
Një koincidencë e bukur: Festimet për 100-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe bleu i fundit i botimit të ri të Fjalorit të Oksfordit të gjuhës angleze, me disa fjalë me interes për gjuhën shqipe dhe për shqiptarët.

 Fjalori i Oksfordit është fjalori më i madh dhe (më i njohur) i gjuhës angleze në botë. Ai pasqyron kuptimet, historinë dhe shqiptimin e më shumë se 500000 fjalëve. Ka mbi tre milionë citate të marra nga burime reale, të cilat ilustrojnë përdorimin e çdo fjale që nga zanafilla e tyre. Fjalori i Oksfordit është autoriteti i pranueshëm i gjuhës angleze qëkur është botuar, 100 vjet më parë. Gjatë gjithë kësaj kohe, ai është bërë pjesë e pazëvendësueshme e kulturës, gjuhën e së cilës dokumenton.

Ishte viti 1857, kur Shoqata Filologjike e Londrës (Philological Society of London), duke vënë re pamjaftueshmërinë dhe mangësinë e fjalorëve të kohës, kërkoi një lloj të ri fjalori, një fjalor gjithëpërfshirës, që të mbulonte tërë historinë e gjuhës angleze dhe që të përfshinte gjithë leksikun (e kohës dhe të vjetruar), që nga shekulli XII. Sidoqoftë, puna për këtë projekt viktorian, dukshëm ambicioz në fillim, eci shumë ngadalë. Vetëm më 1879 pati një marrëveshje me Shtëpinë Botuese të Universitetit të Oksfordit (Oxford University Press) për ta filluar punën seriozisht dhe një mësues skocez (anëtar i Shoqatës Filologjike), Xhejms Mari (James Murray) u caktua si redaktor. Fjalori i Oksfordit në trajtën që njohim sot, është rezultat i përpjekjeve të Marit.

Ishte një ndërmarrje shumë e madhe. Fjalori i Oksfordit u botua në fillim pjesë-pjesë. Bleu i tij i parë doli më 1884 dhe pastaj u desh edhe një gjysmëshekulli për ta plotësuar këtë vepër monumentale, më 1928. Edhe atëherë, u kuptua edhe një herë se duhej një vëllim plotësues (që doli më 1933) për të pasqyruar disa nga fjalët që pashmangshmërisht qenë harruar (sidomos nga shkronjat e para të alfabetit), ndërkohë që puna vijuese për fjalorin vazhdonte. Botimi standard përbëhet nga 20 vëllime të mëdha. Fatkeqësisht, Mari nuk jetoi që ta shihte përfundimin e punës së tij të madhe (ai vdiq më 1915). Për veprën e tij ai u nderua më 1908 me Urdhrin e Kalorësit.

Në fillim të viteve 1990, pas më shumë se 100 vjetësh të botimit të bleut të parë, Shtëpia Botuese e Oksfordit vendosi ta rishikonte në mënyrë të gjithanshme Fjalorin e Oksfordit, në mënyrë që të pasqyronte zhvillimin e vazhdueshëm të gjuhës angleze. Për të parën herë, qëkur Fjalori qe botuar, përkufizimet dhe etimologjitë e shkruara nga Mari dhe kolegët e tij u ndryshuan. Kjo qe një mundësi e shkëlqyer për ta përditësuar fjalorin më të autoritetshëm të gjuhës angleze në botë me shekullin e ri. Projekti i ri është një ndërmarrje aq ambicioze sa edhe origjinali dhe rezultati do të jetë një Fjalor i Oksfordit tërësisht i rijetësuar. Duke ndjekur botimin e mëparshëm origjinal, Fjalori i Oksfordit, i rishikuar rishtas po publikohet pjesë-pjesë drejtpërdrejt onlain (nga linja). I gjithë botimi i vjetër

është hedhur në internet dhe ca nga ca po shndërrohet në origjinalin e tij, nga i vjetër në i ri, në mënyrë pothuajse organike: bleu i parë i tekstit të rishikuar rishtas doli në vitin 2000 dhe që atëherë, kanë vijuar të dalin blejtë e tjerë të rinj, me intervale të tjera të rregullta, duke i zëvendësuar zërat e vjetër me zërat e rinj dhe duke shtuar qindra fjalë dhe kuptime tërësisht të reja. Kjo punë do edhe shumë vjet që të përfundojë.

Bleu më i fundit (i botuar në shtator) përfshin disa fjalë me interes të veçantë për shqiptarët, më kryesorja ndër të cilat është vetë fjala Albanian. Zëri origjinal për Albanian (emër dhe mbiemër) në Fjalorin e Oksfordit u botua më 1933 në vëllimin suplementar (renditja alfabetike origjinale e Fjalorit e pati lënë jashtë fjalën). Zëri nuk është i gjatë; etimologjia është e shkurtër dhe e përciptë; citatet janë të pakta, në kohët e fundit, kryesisht sipas shkrimeve të Edit Durhamit.

Zëri i ripunuar sërishmi është tri herë më i madh. Vetëm etimologjia është sa i gjithë zëri i mëparshëm dhe paraqet hulumtimet shkencore që kanë zënë vend në të gjithë shekullin e kaluar (sidomos në veprën e rëndësishme të Eqrem Çabejt dhe Shaban Demirajt). Historia e toponimit Albania jepet me shumë hollësi dhe transmetimi nëpërmjet greqishtes dhe latinishtes në gjuhën angleze dokumentohet me kujdes, me trajta dhe data të sakta. Zhvillimi kuptimor i emrit të vendit diskutohet: në origjinë, duket se ka treguar një krahinë relativisht të vogël, që tani është një pjesë e Shqipërisë Veriore – Qendrore, me qendër qytetin antik albavopolis (siç dëshmohet nga Ptolemeu në shekullin II të erës sonë) dhe që mendohet se është Zgërdheshi i sotëm, në juglindje të Krujës.

Më pas, emri zhduket nga dëshmitë historike për gati një mijë vjet, për t’u kthyer prapë në dëshmitë bizantine të shekujve XI dhe XII, kohë kur do të përdorej për një krahinë shumë më të gjerë të Shqipërisë Qendrore dhe Veriore, kurse më pas, do të tregonte të gjitha krahinat e Ballkanit Perëndimor, të banuara nga shqipfolës. Çështja e vështirë (dhe ende e pazgjidhur) se nëse format me arb-* ose alb-* janë parësore, shqyrtohet me shumë kujdes dhe jepen etimologji alternative: përkatësisht nga e njëjta rrënjë indo-europiane si latinishtja arvum ‘tokë e kultivuar’, ose nga e njëjta rrënjë indoeuropiane, Alp (emër mali) ndoshta, me një kuptim fillestar ‘vend malor’. Etimologjia e dytë tani shihet si më pak e mundshme nga shumica e dijetarëve.

Në Fjalor jepet se kur është shfaqur emri (Albania) në gjuhët e sotme të Europës Perëndimore: në frëngjisht, në fund të shekullit XIII: Albanie; më 1497, në gjermanisht: Albanien; më 1503, në anglisht: Albania; jepen, gjithashtu, disa trajta të ndryshme të fjalës në vetë gjuhën shqipe: Arbani(1555, te Buzuku), Arbën (1618, te Budi), Arbëni (1706), Arbën (shek. XVII), Arbëri. Përmendet fakti, i habitshëm për anglishtfolësit që në shqipen e sotme emri i vendit është zëvendësuar nga një fjalë krejt tjetër(Shqipëri); dhe në fund, jepet kuptimi për Albanian nga shumë gjuhë fqinje të Ballkanit (historike dhe të sotme), përfshirë greqishten, sllavishten kishtare, bullgarishten, rumanishten, vllahishten dhe turqishten osmane.

Për të parën herë, gjithë ky informacion, i njohur qëkur për shqipfolësit, bëhet gjerësisht i njohur për lexuesit anglishtfolës të Fjalorit të Oksfordit. Në lidhje me kuptimet e fjalës Albanian në gjuhën angleze, jo vetëm që janë përditësuar citimet që ilustrojnë secilin prej tyre, por në çdo rast, kuptimeve u është shënuar një datë më e hershme falë kërkimeve të reja që tregojnë se fjala është përdorur më herët se ç’është menduar në kohën e botimit fillestar. Emri në kuptimin ‘vendës ose banor i Shqipërisë’ është që nga viti 1569 (në botimin e parë del që prej vitit 1596) me një citat nga përkthimi i Hju Gofit (Hugh Gough) për historinë kronologjike të Bartolomei Georgijeviçit, The Offspring of the House of Ottomanno (Pinjolli i dinastisë së osmanëve).

Emri në kuptimin ‘gjuha e shqiptarëve’ i përket vitit 1786 (nga 1813, që del te botimi i parë). Mbiemri në kuptimin ‘që ka të bëjë me Shqipërinë, popullin e saj ose gjuhën e tij’ është që nga viti 1593(në botimin e parë, që nga viti 1596).Këto janë përparime të vogla, por të rëndësishme në dijen tonë leksikologjike (dhe të dhëna të mëtejshme me interes të madh për historinë e Skënderbeut në Anglinë e shekullit XVI).

Bleu i ri i Fjalorit të Oksfordit përfshin, gjithashtu, disa fjalë që janë me interes për shqiptarët dhe që janë tërësisht të reja dhe dalin vetëm për të parën herë.

Albanese, emër dhe mbiemër, huazuar nga italishtja, që ka të njëjtat kuptime si Albanian, por që në të vërtetë, është pak më i vjetër: për herë të parë dëshmohet më 1562 në përkthimin e Xhon Shutit

(John Shute) të një historie (italiane) për luftërat e Skënderbeut (‘George Castrioth some tyme named Scanderbeg, prince of the Albaneses‘/Gjergj Kastrioti, i quajtur edhe Skënderbeg, princ i shqiptarëve). Megjithëse tani fjala është e rrallë, ajo ka qenë përdorur mjaft gjerë më parë: për shembull, nga bashkëkohësit e Shekspirit, poeti Edmënd Spenser (Edmund Spenser) dhe dramaturgu Tamës Marlloui (Thomas Marlowe) dhe më vonë, nga Bajroni në shënimet e tij për “Çailld Haroldin” (Childe Harold) (1819):’[The] Albanese struck me forcibly by their resemblance to the Highlanders of Scotland’

/ Shqiptarët më bënë shumë përshtypje me ngjashmërinë e tyre me malësorët e Skocisë (duket se fjala ka qenë shumë e pëlqyer për Bajronin).Sot, parapëlqehet, sigurisht Albanian; sidoqoftë, shembujt më të fundit me Albanese në të gjitha kuptimet e emrit dhe të mbiemrit tregojnë se fjala nuk është e vjetruar.

Albano-, pjesë e parë e fjalëve të përbëra, me të cilën formohen mbiemra dhe emra që tregojnë lidhje me Albania, p.sh. Albano-Italian, Albano-Greek, Albano-Yugoslav etj. (përkatësisht shqiptaro-italian, shqiptaro-grek, shqiptaro-jugosllav) është që nga viti 1816 (shembujt më të hershëm janë Albano-Illyrian dhe Albano-Epirotian / përkatësisht shqiptaro-ilir dhe shqiptaro-epirot) në përkthimin e Uiliam Uolltonit (William Walton) të Gijom de Vodonkurit (Guillaume de Vaudoncourt), Memoirs on the Ionian Islands, including the Life of Ali Pacha (Kujtime për ishujt jonianë, përfshirë jetën e Ali Pashës). Vodonkuri qe gjeneral dhe historian ushtarak francez dhe i shkroi kujtimet e tij në frëngjisht, çka sugjeron se fjala mund të jetë krijuar në fillim sipas gjedhes (modelit) së gjymtyrës identike frënge.

Arbëresh, emër dhe mbiemër, huazuar drejtpërdrejt nga Albanian tregon banorët shqipfolës të Italisë së Jugut dhe të Sicilisë. Fjala dëshmohet së pari në anglisht (si emër) më 1880, në një artikull për Shqipërinë dhe shqiptarët në revistën “Nature”. Si mbiemër, ajo nuk del deri më 1967. Më 1967, ajo del në Blackwood’s Magazine ,në një ese të udhëpërshkruesit Lezli Gadinë (Leslie Gardiner):’Was he Arbëresh or Italian? Impossible to say‘. (Ishte arbëresh ai apo italian? E pamundur të thuhet).

Arvanite, emër, së fundmi, huazim nga greqishtja bizantine ArbavithV tregon pasardhësit e mërgimtarëve shqipfolës në Greqi. Fjala dëshmohet së pari në anglisht, më 1828, në London Magazine:

‘The Albanians call their country Skip, and themselves Skipitar. The name of Arnauts or Arvanites, which the Turks have given them, is of Greek origin ‘ (Shqiptarët e quajnë vendin e tyre Skip dhe veten

e tyre skipitar. Emri arnautë ose arvanitë, që ua kanë ngjitur turqit, është me prejardhje greke). Në artikull shënohet se tani arvanitët janë asimiluar në shkallë të gjerë nga kultura etnike greke.

Arvanitika, emër, huazim tjetër nga greqishtja (Arbavitika), tregon të folmen e shqipes të arvanitëve. Dëshmohet së pari në anglisht më 1915, në një histori të Ballkanit nga Nevill Forbs (Nevill Forbes) dhe të tjerët:  “They have so entirely forgotten their origin that the villagers, when questioned, can only repeat: “We can’t say why we happen to speak Arvanitika, but we are Greeks like everybody else‘”. (‘Ata e kanë harruar kaq shumë prejardhjen e tyre, sa, kur pyeten, fshatarët mund të thonë vetëm: “Ne nuk mund të themi përse ka ndodhur që flasim arbërisht, por ne jemi grekë si kushdo tjetër’”).

Fjalët Kosovar dhe Kosovan u shtuan në Fjalorin e Oksfordit në një ble të mëhershëm, më 2001. Dokumentimi i tyre i parë në gjuhën angleze daton përkatësisht më 1944 dhe më 1969.

Botimi onlain i Fjalorit të Oksfordit, ku janë të plotë të gjithë zërat e mësipërm, mund të merret duke u abonuar dhe gjendet thuajse në të gjitha bibliotekat publike dhe universitare në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vende të tjera. Deri tani, rreth një e treta e fjalorit është rishikuar. Kur të përplotësohet, Fjalori i Oksfordit i rishikuar do të jetë afërsisht dyfishi i botimit të parë (duke dokumentuar historinë e mbi një milion fjalëve), ose sa rreth dyzet vëllime të mëdha.

Shkon shumë për shtat që në këtë njëqindvjetor për Shqipërinë, Fjalori i Oksfordit, një institucion i nderuar kulturor britanik, që është vetë mbi 100 vjeç të jetë rishikuar në mënyrë kaq të plotë dhe ta ketë zgjeruar fjalësin e tij me fjalë që lidhen me Shqipërinë dhe me shqiptarët.

* Anthony Esposito ( Entëni Espositëu ) është bashkëredaktor i Fjalorit të Oksfordit të gjuhës angleze (The Oxford English Dictionary). Është mik dhe dashamirës i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Një version i këtij artikulli në gjuhën angleze është botuar në gazetën The Albanian ( Londër ) më 29 nëntor 2012. Artikulli është përkthyer në gjuhën shqipe posaçërisht për gazetën Shqip nga Hajri Shehu dhe Bledar Shehu.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama