Fjalori i se ardhmes nuk do te shtypet me ne leter

Fjalori i se ardhmes nuk do te shtypet me ne leter

Tashmë edhe fjalori do të ndryshojë pamjen e tij, nuk do të shtypet më në letër, por do të hidhet në internet. “Oxford English Dictionary”, “babai” i gjuhës angleze dhe modeli i të gjithë fjalorëve, pikë referimi për miliona persona që flasin dhe shkruajnë (ose më saktë përpiqen ta bëjnë) në idiomën e Shekspirit, nuk do ta publikojë më edicionin e tretë të shtypur në letër, një projekt gjigand për të cilin po punon prej njëzet vjetësh një skuadër profesioniste leksikografësh: vepra e re do të publikohet vetëm në versionin dixhital, në internet.

“Fjalorët e shtypur po zhduken”, justifikohet Nigel Portwood, presidenti i “Oxford University Press”, shtëpia botuese e të njëjtit universitet dhe e fjalorit që mban po atë emër. “Të tillë fjalorë nuk shiten më. Ai që ka nevojë mund ta shfletojë fjalorin në internet, ku ndryshimet e fundit bëhen në kohë reale ditë pas dite, po ashtu edhe futja e termave të rinj, si edhe fshirja e fjalëve të vjetra”. Fjala e fundit që i është shtuar fjalorit është “vuvuzela”, vegla muzikore që dëgjohej duke buçitur në botërorin e futbollit që u zhvillua në Afrikën e Jugut.

Vendimi i marrë nga drejtuesit e “Oxford English Dictionary” ka një qëllim, që mbi të gjitha mendohet të jetë ekonomik: edicioni i kompletuar i “Oxford English Dictionary”, i cili gjendet në 20 volume, nuk është shtypur kurrë për të përfituar të mira materiale që kur u shtyp kopja e parë, pothuajse para një shekulli e gjysmë. Ndryshe nga kopjet e shtypura në letër, versioni dixhital është dhe do të jetë gjithmonë një sukses komercial: në internet, fjalori i “Oxford English Dictionary” hapet nga dy milionë persona në muaj. Abonimi 1-vjeçar kushton 250 sterlina. Përveç kësaj, mund të marrësh edhe të drejtën e autorit nga “Google”, i cili e përdor “Oxford English Dictionary” për motorin e tij të kërkimit (meqë jemi te “Google”, kjo fjalë është bërë pjesë e fjalorit të ‘Oxford’-it në internet në vitin 2006).

Ashtu si atlaset dhe manualët e tjerë të këshillimit, tashmë fati i fjalorit prej letre duket se është vendosur: do të qëndrojë në raftet e bibliotekave të mëdha angleze, ndërkohë që botën e gjallë dhe të re do ta lexoni në internet. Sipas presidentit të “Oxford University Press”, kjo është shenjë e një ndryshimi që po prek edhe librin: “Pas 30 vjetësh, industria e letrës së shtypur do të jetë transferuar pothuajse e gjitha në internet”, thotë Portwood. “Sot në Amerikë, në disa tituj, ‘e-books’-at, librat elektronikë që lexohen në ‘iPad’ apo në një lloj tjetër lexuesi, do t’i kalojnë titujt prej letre që janë në shitje”. E njëjta gjë do të ndodhë herët apo vonë edhe gjetkë.

Ideja për të koleksionuar në rregullin alfabetik fjalët e gjuhës angleze, duke i nxjerrë secilës kuptimin, filloi të përhapej në shekullin XVI. Fjalori i parë u hartua dhe u publikua nga Samuel Johnson në vitin 1755. Ky fjalor do të mbetej edhe modeli standard i lëndës për njëqind e pesëdhjetë vitet e ardhshme. Pastaj në 1879-n, “Oxford University Press” prezantoi fjalorin e tij. Përmbledhja e parë u publikua në vitin 1928. U deshën 61 vjet për ta azhornuar: botimi i dytë, i gjithi 20 volume, u publikua në vitin 1989 dhe vazhdon të jetë në shitje. Kushton 750 sterlina së bashku me versionin më ekonomik të “Oxford Dictionary of English”, një volum i cili gjendet pothuajse në çdo shtëpi.

Ideja që tani ky ‘arbitër’ i gjuhës angleze do të zhduket, duke u zëvendësuar nga një ‘binjak’ dixhital, pritet si një shenjë e pashmangshme zhvillimi nga “Sunday Times”. “Natyrisht që ishte bukur të shihje ato 20 volume blu nëpër raftet e bibliotekave dhe të mund t’i shfletoje sapo të hasje vështirësi për një fjalë që nuk kuptoje. Megjithatë do të jetë më e lehtë për t’i lexuar në internet, pasi nuk humbet edhe shumë kohë duke shfletuar faqet për të gjetur fjalët e paqarta”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama