Ndërsa ajo ende është duke përjetuar ndjenjën e pushimeve, angazhimet rreth muzikës sikur kanë filluar të ngrenë kokën. Dy këngë të reja dhe shumë më ndryshe, shumë shpejt do të zënë vend në repertorin muzikor të këngëtares, njërës prej të cilave do t'i realizojë dhe videoklipin. Sipas Flakës dy demo janë përfunduar dhe po presin që të plotësohen me tekstet e tyre, e të cilat do dallojnë nga shablloni i përditshmërisë. "Ndoshta është pak herët që të tregoj për të rejat rreth këtyre dy këngëve. Dy demo janë përfunduar, dhe në mendje kam fiksuar se si do të duken ato. Njëra nga këngët do të jetë pop-rok, ndërsa tjetra shumë alternative. Është shumë e sigurt që tekstet për ato dy këngë do të jenë më ndryshe dhe jo shabllon sikur po dëgjojmë çdo ditë. Ndonëse ende nuk e kam zgjedhur temën rreth teksteve, e di që njëra do të ketë tekst të dashurisë por pak më diplomatik, ndërsa për tjetrën mbetet të shihet. Pasi që të finalizoj gjithçka rreth këngëve do të vendosi se cilës t'i realizoj klipin”, thekson Flaka duke shtuar se është duke biseduar me të vëllain, me të cilin bashkëpunon në shumicën e rasteve për tekstet e saj. “Nuk kam ndonjë datë të caktuar se kur këngët do të jenë të gatshme për publikim dhe për adhuruesit e muzikës sime, por mund të them se jam duke u angazhuar mjaft shumë rreth këtyre dy këngëve. Zakonisht punoj shumë rreth projekteve të mia. Për mua nuk është me rëndësi se sa vonohet një këngë, por është me rëndësi se si do të realizohet ajo. Dua që këngët që unë bëj të jenë të punuara mirë, dhe të kenë vlera”, thekson ajo. Flaka tregon edhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet një këngëtare rrok, gjatë përditshmërisë. Sipas saj deri sa sot po dominon muzika komerciale është e vështirë për të gjithë rokerët të realizojnë këngë. “Pa nënvlerësuar zhanret tjera të muzikës, mund të them se muzika rok është ajo lloj muzike e cila hyn në botën e artit si muzikë e zgjedhur dhe për njerëz të zgjedhur. Ata që kultivojnë rokun e kultivojnë me kokëfortësi atë. Është një numër jo i madh i artistëve që e kultivojnë këtë lloj muzike dhe e rëndësishme është që ky zhanër të hyjë në veshin e publikut, sa herë që bëhet diçka e re. Pra, po mundohemi me gjithë forcat tona që të kultivojmë muzikën rok në mënyrë që të mbijetojë ajo”, shprehet Flaka, duke ndjerë një dozë dëshpërimi për dominimin e muzikës komerciale në vend. Synimi i saj është që të lançojë vlera, pa devijuar nga zhanri i saj i zemrës. E duke qenë në dijeni se muzika rok nuk është komerciale, këngëtarja tashmë është regjistruar në Fakultetin Ekonomik, në mënyrë që në të ardhmen të vazhdojë me biznesin e saj. "Unë nuk e shoh muzikën biznes. Kjo është arsyeja pse jam regjistruar në Fakultetin Ekonomik, dhe pasi të përfundoj studimet do ta hap biznesin tim dhe nga ai biznes do të mbijetoj edhe në muzikën që unë kultivoj", thekson Flaka. Këngëtarja, nga ana tjetër nuk lë pa e përmendur bashkëpunimin e fundit me këngëtarin rrok Arbër Elezi, duke e vlerësuar si një bashkëpunim shumë të mirë. "Kam qenë shumë e lumtur për ftesën që më bëri Arbri. Atë e vlerësoj, fillimisht si njeri me vlera e më pas si këngëtar me vlera. Në momentin kur e kam dëgjuar këngën, më ka pëlqyer shumë dhe kemi vendosur rreth incizimeve. Edhe pse kënga për mua është shumë e mirë, e rëndësishme është që ajo të pëlqehet fillimisht nga publiku dhe adhuruesit e muzikës që ne bëjmë. Gjithsesi jam ndarë shumë e kënaqur nga ky bashkëpunim dhe për këtë e falënderoj përzemërsisht Arbrin", thekson në fund Flaka.
Nga Gazeta Korrieri