Tani janë 16 flamuj që gjenden në fondin e Qendrës së Studimeve Albanologjike dhe këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar është paraparë ekspozimi i tyre. Por duke qenë të dergaduar, flamujt kanë nevojë urgjente për restaurim.
Specialisti restaurator Frederik Stamati i cili kryeson grupin e punës së këtyre restaurimeve flet për 4 flamujt e parë që do i nënshtrohen këto dita restaurimit të domosdoshëm, përpara se të zënë vend në ekspozitën që do të çelet më vonë gjatë këtij viti.
“Bëhet fjalë për një flamur që mendohet ta ketë përdorur Qeveria e Vlorës gjatë 1913-ës, flamurin me të cilin është mbuluar arkomorti i Ismail Qemalit, flamuri i Princ Vidit dhe flamuri i përdorur në ngjarjet e rëndësishme të Vlorës së vitit 1920.
Nuk bëhet fjalë për një restaurim tërësor të tyre por për një ndërhyrje fare të pjesshme, pasi nëse nuk kryhet kjo ndërhyrje, as që mund të lëvizin nga arkivi dhe jo më të ekspozohen”-ka thënë Stamati.
Specialisti restaurator thekson se për restaurimin tërësor të tyre duhen disa vite. P.sh. për flamurin e 1913-ës të përdorur nga Qeveria e Vlorës, duhet shumë kohë pasi ai ka qenë valvitur për një kohë të gjatë në ndërtesën e doganës dhe agjentët atmosferikë kanë bërë të tyren. “Sidomos dielli dhe kripa e detit e kanë dëmtuar jo pak këtë flamur dhe në këtë rast bëhet fjalë për një ndërhyrje tepër delikate dhe jo vetëm për pe e gjilpërë”-ndalet restauratori.
Puna ende nuk ka nisur ndonëse ishte thënë se kjo e hënë do i gjente këta 4 flamuj në një sallë në Muzeun Histori Kombëtar ku edhe është vendosur se do të punohet me ta. Por këto ditë thuhet se do të ndërhyet pasi nuk ka më kohë.Në të kundërt këto dëshmi të historisë mëse 1 shekullore, rrezikojnë të zhbëhen përgjithmonë.
Flamuri që mbuloi arkomortin e Ismail Qemalit
Një ndër flamujt që do të restaurohet është ai i përdorur në ndërtesën e qeverisë së Vlorës gjatë vitit 1913. Ndërsa një tjetër ka një rëndësi specifike. Është ai që ka mbuluar arkmortin me trupin e pa jetë babait të shtetit shqiptar, Ismail bej Vlorës, më 26 janarin e vitit 1919. Janë këta dy flamuj që vërtetësia shkencore vonoi të bëhej dhe vetëm në fund të vitit 2011, u fol për ekzistencën e tyre në publik, ndonëse ndër historianë disa e dinin, po astetua vetëm në muajt e fundit të vitit 2011, ndonëse në fonde gjendeshin prej dhjetra vjetësh. Madje një rast unik është ai i flamurit të arkmortit të Ismail Qemalit i cili në fond gjendet prej vitit 1932 por harresa e pat mbuluar këtë flamur dhe vetëm në nisje të vitit 2012 u fol për ekzistecën e tij. Tani ky flamur dhe të tjerë do i nënshtrohen restaurimit që kërkon vite kohë dhe fonde të konsiderueshme.