Flamuri shqiptar ne malin Ebrus

Flamuri shqiptar ne malin Ebrus
Nisja

Ishte një nisje e shpejtë. 24 Korrik. Në 3 të natës avionin i Austrian Airlines mori me vete grupin e alpinistëve shqiptarë. Xhimi Begeja, Gjergji Bojaxhi, Mateo Begeja, Iglin Shyti, Gerti Pishtari, Ibrahim Hackaj, Fation Plaku , Ardian Lulolli, dhe Erli Rudho. Pastaj, për orë me radhë vetëm salla tranziti në aeroporte, në Vienë, më pas në të Moskës, e më tej në të Mineralye Vodie. Koka na hidhej sa andej-këndej nga gjumi i sfilitur e i detyruar në avion ose gjatë pritjes në aeroporte. Fati i keq goditi që në fillim. Kryetari i ekpeditës, Ibrahim Hackaj, hasi disa probleme në aeroportin e Vienës me pasaportën Laissez Passes të Bankës Boterore. Ambasada ruse në Tiranë kish pretenduar që ajo pasaportë nuk kishte nevojë për vizë, ndërsa shërbimi aeroportual vjenez linte të kuptoje të kundërtën. Anëtari më i rëndësishem i ekipit i shkëputet grupit, dhe nuk ka për ta shijuar me ne ngjitjen në majën më të lartë të Rusisë e Evropës. Ah, këta rusët…

Në Mineralye Vodie

Mbas arritjes në qytetin Mineralye Vodie, e në hotelin ku do na mbylleshin sytë për vetëm 4-5 orë, u nisëm që me të gdhirë, besoj se mund të ketë qënë ora 5 kur hipëm në makina për të arritur tek kampi bazë ku do pushonim e do fillonim ngjitjen për Elbrus. Kampi ishte në 2200m, lartësi e zakontë për ne të mësuar me malet shqiptare.
Relievi të linte të shikoje me shumë lehtësi dy majat vullkanike të Elbrusit mbuluar nga bora e përjetëshme, e ku parpëseprapë të nxinte dielli e mund të bëje dhe banjo-dielli. Mendimi i parë kur e shihje kishte shenja madhështie: “një mal perëndish”. Të jepte përshtypjen si i veçuar nga vargmali i Kaukazit, e sikur afrohej sa më shumë ta shikoje në sy.

Miqtë rusë e të tjerë

Po atë natë takuam edhe udhërrëfyesit të cilët do na udhëhiqnin drejt shtegut të malit. Danieli ishte guida e parë, Viktori i dyti, si dhe Anja e treta. Të tre shumë të stërvitur fizikisht e të aftë, por ne flisnim gjuhë të pakuptueshme për njëri-tjetrin. E vetmja që mund të krijoje komunikim në anglisht ishte Anja. Ndërsa informoheshim për çfarë na priste në 6 ditët e ardhëshme të ngjitjes në Elbrus, u bëmë edhe me dije që do na bashkoheshin edhe tre alpinistë të tjerë. Një alpiniste braziliane, një ruse dhe një tip nga Malajzia me historira shumë të këndshme mbi Everestin e majat e tjera ku qe ngjitur. Malajziani kishte humbur gishtat e dorës në një aksident gjatë ngjitjes në Everest. Nuk dinim nëse ta shihnim me keq-ardhje apo me admirim për sa kishte arritur.
Udhërrëfyesit atë natë na informuan se na priste të nesërmen një ngjitje prej 1600m deri më 3800m, e më pas kthimi përsëri poshtë për tu ambientuar me klimën, e më pas përsëri me më shumë peshë në kurriz për të pushuar në kampin e sipërm.

Dita 1

Zgjimi në orën 8, përgatitja e çantave, ngrënia e mëngjesit rreth orës 9 e 30, e më pas ngjitja rreth orës 10 e 30. Na u duk si vonë, krahasuar me ngjitjet tona në malet shqiptare, por ishim në kushte ruse e alpinizëm rus. Ah, këta rusët..

Objektivi jonë atë ditë ishte vetëm kampi në 3800m. Udhërrëfyesit na dukeshin shumë të ngadaltë nga sa ishim mësuar ne me malet shqiptare, ndërsa ndiqnim Danielin bashkë me tre vizitorët tanë. Një ngjitje që zgjati gati 5-6 orë deri tek çadrat e hapura në kamp, në buzë të akullit të ngrirë të maleve të kaukazit. Kohë sa për të ngrënë drekën e zbritja poshtë. Ushqim i paketuar, i pallogaritshëm ndoshta për stomakun tonë. Çokollatë, një mollë e ndoshta disa kokrra fruta të thata. Në fund të ditës ngjitja klimatizuese kish përfunduar me sukses, me një dhimbje të vogël koke për Gjergjin. Kohën e mbetur e kaluam si në plazh, lojë me letra, e me ndonje zhytje në ujin e freskët te zonës prej gati 5 gradë celcus. Ndoshta mund edhe t’i ngjante ujit të “syrit të zi” në Theth. E pagëzuam “plazhi ulërima”.

Dita 2

Ngjitja këtë herë me çanta edhe më të rënda, por me një rrugë e distancë më të qartë që na jepte edhe një lehtësim shpirtëror dhe vetvetiu edhe fizik, dhe më të arritur në tendat e kampit në 3800m, gjëja e parë që bëmë mbas një pushimi 5 minutësh, ishte zbrazja e çantave dhe sistemimi i tyre nëpër tenda. Ishin tenda dyshe, shumë të rehatshme por jo shumë të larta. Pak më tej, “tualet-et” në mes të natyrës, paksa të veçuara nga tendat, mbi dy gurë të mëdhenj për t’u rehatuar.

Dita 3

Zgjimi në orën tetë, mëngjesi dhe nisja rreth orës 10 e 30 për një klimatizim të mëtejshëm deri më 4600m. Ishte dita e parë ne akull dhe përdorimi i kthetrave dhe i kazmës apo edhe të shkopinjve ishte bërë i nevojshëm. Si pasojë e kravasave dhe e rreziqeve të gropave dhe shembjeve të akujve, përdorimi i litarëve sigurues u bë një domosdoshmëri. Faqja veriore e Elbrus-it e zgjedhur nga ne ishte më pak e shkelur dhe ndoshta më e vështirë se faqja jugore. Kjo ishte një ditë pa lodhje të shumta fizike. Na duhej të bënim thjesht një ngjitje të vogël mbi zonën ku fillonte bora e përhershme, e më tej të kryenim disa ushtrime me kazëm e litar në akull të ngrirë. Një imitim i teknikës dhe i kushteve të sigurisë qe na prisnin më tej sipas shkollës ruse të alpinizmit. Ushtrime që nuk zgjatën më shumë se 3-4 orë, e më tej kohë e lirë mes tendave e erës të lehtë perëndimore që frynte.

Dita 4

Edhe pas mesnatës era e fortë e cila dukej sikur nga momenti në moment do na merrte me vete, nuk po na lejonte të mbyllnim një sy gjumë. Gjumi na doli vetvetiu me kujtimin e erës së tmerrshme të mbrëmshme. Pas një mëngjesi thjesht mekanik e me termusët me çaj të nxehtë gati për ne aty, çantat dhe montimi i kthetrave në buzë të dëborës. Çaji mund të mos ishte nga më të mirët, por në ato kushte, s’kish zgjedhje tjetër veç ta pelqeje.

Në ato momente dukeshin vetëm dritat e kokës të shtatë alpinistave shqiptarë, tre të huajve dhe udhërryësve, e më tej vetëm errësirë. Gjithçka që mund të bëjë ishte thjesht të ulje kokën poshtë, të shikoje këmbët e tua e të ndiqje hapin e shokut që ke përpara deri në të gdhirë të ditës së re. Aurora e ditës, e bashkuar me bojëqiellin e agut është një emocion i rrallë, emocion që do prishej më tej nga koha e keqe, mjegulla e stuhia me shtellunga dëbore të imta e të shpeshta. Kohe e keqe ku nuk mund të shikoje dot as një hap që mund të bëjë më tej. Një ndjenjë që ne nuk mund e nuk donim ta pranonim. Nuk donim të ktheheshim atë ditë duarbosh e me bisht ndër shalë në kamp. Lajmi ishte për kohë të keqe dhe për ditët që vijonin e ne nuk donim të dorëzoheshim. Megjithatë gjithçka që mund të bënim ishte të zbrisnim nga gati 5100m ku ishim deri me 4600 e të prisnim lajmin e radhës. Duarkryq duke pritur përbri tendës na vinin lajmet e motit të keq. Një nisje të nesërmen me po te njejtin orar, do ishte rraskapitese për ne. Dy ditë ngjitje me borë të fortë, pa gjumë e të lodhur fizikisht do të ishte një sforcim i detyruar, por një rrezik i cili duhej marrë.

Dita 5

Një regjim shtrati i nevojshëm për të nisur përsëri aktivitetin në të njëjtën orë të natës, me të njëjta drita koke, e me të njëjtën frikë të dështimit. Ishte një sfidë mes nesh edhe majës së malit. Një duel që nuk mund ta fitonte më i forti, por më i duruari. Megjithëse nisja ishte optimiste, pak nga pak, hapi po ngadalësohej sa më shumë shtegu pjerrësohej. Pak nga pak, disa prej alpinistëve filluan të krijonin distanca deri sa u shkëputën. I pari që u shkeput ishte Xhimi duke na shtyrë të vazhdonim ne më tej. Në 5100m Igli, e paksa më sipër me keqardhje edhe Mateo. Pengesat shtoheshin, por edhe ne po na rritej egoja. Në rresht një nga një kishim mbetur vetëm Gjergji Bojaxhi, Fation Plaku, Gerti Pishtari, djali nga Malajzia, Ravi, e gjithashtu edhe unë, Erli Rudho.

300 metrat e fundit

Këputjet fizike ishin të shumta por shpresa nuk na linte të hiqnim dorë. Kishim filluar një ngjitje mekanike të automatizuar tanimë, saqë maja më e afërt e Europës me qiellin na kapi pa një buzëqeshje në fytyrë, duke tharë akoma djersët. Mund të valvisnim flamurin e parë shqiptar që shkonte deri në Çatinë e Europës. E kuqja e flamurit nuk më është dukur ndonjë herë më e bukur. Flamur që ka ndenjur i hapur deri në zbritjen tonë në kampin bazë, e që do e fusim në një kuti me mbishkrimin “Ekspedita e parë shqiptare në Elbrus, 24 Korrik-3 Gusht 2011”.

5,642 m është Mali Ebrus (rusisht: Эльбрус) në pikën më të lartë të dy majave vullkanike të malit që konsiderohet si më i larti në Europë. Ai shtrihet në Kaukaze, në jug të Rusisë. Hera e fundit që vullkani i Ebrus mendohet të ketë shpërthyer, është mes viteve 0-100 P.K. Shkencëtarët mendojnë që nën të ka një sasi të thellë magme, që llokoçitet në errësirën e nëntokës.

Të lashtët e quanin malin si Strobilus, latinisht për “maja e pishës”, emër i huazuar nga greiqhstja e vjetër, strobilos, që nënkupton ‘një objekt të përdredhur’ – një term botanik i përdorur prej shekujsh për të përshkruar majën e vullkanit. Sipas mitit, këtu Zeusi gozhdoi me vargonj Prometeun, Titanin që vodhi zjarrin prej zotave e ua dha njerëzve – me gjasë këto janë referenca të aktivitetit të hershëm vullkanik të malit.

Douglas Freshfield

Douglas William Freshfield (27 prill 1845 – 9 shkurt 1934) ishte një avokat britanik, alpinist dhe autor librash, i cili ka botuar Journal Alpine në vitet 1872-1880. Ai ishte një anëtar aktiv i “Shoqërisë Gjeografike Mbretërore” dhe “Klubit Alpin” e shërbeu si President i të dy organizatave. Freshfield ishte një udhëtar i mprehtë dhe i apasionuar. Nga fëmijëria e tij fitoi një dashuri të thellë për malet dhe ishte veçanërisht i dashuruar pas Alpeve. Në të njëzetat e tij, ai tashmë shtyhet më tej. Në 1868 ai bëri një përpjekje për të ngjitur malin Elbrus me udhërrëfyesin e tij balkarian Akhia Sottaev, dhe edhe pse ata nuk arritën në majën më të lartë perëndimore, Freshfield u bë i huaji i parë që u ngjit në majën Lindore të malit.

Freshfield udhëhoqi një eksplorim të Kaukazit dhe ishte njeriu i parë, zyrtarisht, që pushtoi majën Kazbek me një udhërrëfyes nga fshati Gergeti. Ai i përshkroi territoret e zhveshura të Abkhazisë në një kapitull prekës të titulluar “Vetmia e Abkhazisë”, në librin “Eksplorimii Kaukazit” botuar në 1892.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama