Flamurtari largon sllovenin Dezmar priten spastrime te tjera

Flamurtari largon sllovenin Dezmar, priten spastrime të tjera

Danijel Dezmar është lojtari i parë që largohet nga Flamurtari. Ashtu sikundër "Panorama Sport" paralajmëroi, kanë nisur largimet te kuqezinjtë. Slloveni nuk ka bindur stafin teknik, ndërsa gazeta ka zbuluar dje se qendërmbrojtësi 28-vjeçar do të jetë i pari që do të largohet nga lojtarët që kanë ardhur në provë.

danijel dezmar

Dezmari karrierën e tij futbollistike e ka pasur të përqendruar në Slloveni. Mbrojtësi i ka fillesat e tij te skuadra e Krka, më pas ka lëvizur në disa ekipe të tjera, për t'u kthyer sërish te skuadra ku nisi karrierën. Stafi teknik ka marrë vendimin për largimin e sllovenit, pas ardhjes së qendërmbrojtësit Toni Markiç. Lojtari nga Bosnje-Hercegovina duket se i ka bindur më shumë, si në anën fizike edhe taktike, por edhe me CV-në e tij. Karrierën e tij, 25-vjeçari e ka zhvilluar kryesisht në kampionatin boshnjak, por është aktivizuar së fundmi edhe në Poloni. Duket se Markiç e ka marrë pëlqimin e trajnerit Magani që në ditën e parë të stërvitjes dhe ai pritet që të firmosë për Flamurtarin.

Largime të tjera

Në radhët e vlonjatëve do të ketë edhe largime të tjera. Burime pranë Klubit të Futbollit Flamurtari bëjnë me dije për gazetën se ndoshta edhe dy lojtarë të tjerë mund të largohen. Sipas këtyre burimeve, bëhet e ditur se një prej futbollistëve që do të largohet ka firmosur kontratën me klubin vlonjat.

E ndërsa emri nuk bëhet i ditur, mësohet se lojtari do t'i ndërpresë marrëdhëniet me klubin në mënyrë konsensuale. Lojtarët që do të largohen janë të huaj. I vetmi që konfirmohet se është në planet e trajnerit Magani është braziliani Lukas Martins. Klubi vlonjat nuk ka pranuar një kontratë huazimi për brazilianin në mënyrë që ai të japë kontributin e tij me Flamurtarin. Përveç Lukas Martins që do të qëndrojë, nuk dihet se cili do të jetë lojtari i radhës që do të largohet pas sllovenit Danijel Dezmar.

Nuk përjashtohet mundësia që largimet të jenë mes Danilo Alvesh, Tomislav Bushiç, Balsa Radoviç, Masakai Linuma, Milos Rnic. Drejtuesit e klubit dhe stafit teknik konfirmojnë se të gjithë lojtarët janë në provë. Shpresohet që ky proces seleksionimi të mos i kushtojë klubit, për vetë faktin se në grupin e lojtarëve që konsiderohen për provë bëjnë pjesë edhe futbollistët që kanë nënshkruar apo që janë nën kontratë me Flamurtarin. Kjo lëvizje e drejtuesve vlonjatë mund të jetë e ndikuar edhe nga qëndrimi i fundit i FSHF-së që la në katër numrin e futbollistëve të huaj, që mund të luajnë njëkohësisht në një ndeshje të Kategorisë Superiore.

ERMAL SIKA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama