Agron Kapllanaj akuzon klubin e Laçit se ka toleruar në ndeshjen e djeshme ndaj Flamurtarit. Presidenti i Bylisit ka deklaruar për "Panorama Sport" se ky takim vulosi aleancën kundër skuadrës së tij, me synimin për të shpëtuar nga rënia Flamurtarin dhe Vllazninë.Tepër i zhgënjyer me atë që ka parë dje në Laç, aty ku vlonjatët rivalë të Bylisit fituan me përmbysje, kreu i klubit ballshiot theksoi me bindje se po gatuhet një lojë që kërkon t'i bëjë dëm vetëm skuadrës së tij.
Zoti Kapllanaj, rivali direkt i Bylisit në luftën për mbijetesë fitoi në Laç...
Ndeshja mes Laçit dhe Flamurtarit ishte një komedi ose më saktë një estradë. E ndoqa me vëmendje dhe u pa qartë se Laçi toleroi ndaj vlonjatëve. Kush mund të thotë se këtë ndeshje e fitoi Flamurtari?!
OK, por edhe skuadra juaj ka dalë me tri pikë nga kjo transfertë...
E përsëris edhe një herë, kjo që ndodhi sot (dje) në Laç ishte një estradë. Pra, as më pak e as më shumë, por kjo është aleanca kundër Bylisit.
Ku bazoheni kur thoni aleancë kundër Bylisit?
Aleanca kundër Bylisit nuk është vetëm në ndeshjen LaçiFlamurtari, por në të gjitha. Duket qartë që ka një frymë të qartë kundër Bylisit. Është një lojë që gatuhet diku, por që nuk di ta them me saktësi se ku, edhe pse shumë gjëra i di mirë. Është një lojë që gatuhet kundër nesh me synimin për të shpëtuar Flamurtarin dhe Vllazninë. Deri diku gjërat janë sheshit dhe nuk ka nevojë për të bërë komente me spondë. Kjo e sotmja në Laç i vendosi vulën dhe aleanca sapo vjen dhe po konsolidohet.
Tashmë që gjërat po ndërlikohen, mendoni se mund të sfidoni këtë që po thoni, duke fituar ndaj rivalëve dhe qëndruar në Superiore?
Kjo situatë është si të luftosh me erën, por gjithsesi ne do të bëjmë punën tonë dhe besoj se do t'ia dalim. Bylisi do të vazhdojë kampionatin e tij deri në fund, duke bërë punën e vet sa më mirë. Pra, të fitojë kur mundet dhe të mos fitojë kur nuk e lënë ta bëjë një gjë të tillë. Ne do të jemi "fair play", duke prodhuar futboll dhe denoncuar rast pas rasti këto fenomene që po ndodhin në kampionat.
Gjithsesi, një fitore ndaj Tiranës iu çon sërish në pozitat e mëparshme me rivalët për mbijetesë...
Ne do të mundohemi që të fitojmë ndaj Tiranës, por po na lanë gjithsesi. Bylisi të luajë futboll dhe kuptohet, nëse na lënë, do të arrijmë fitoren, në të kundërt kuptohet fare mirë.
Çfarë u keni thënë lojtarëve tani që diferenca është thelluar në prag të ndeshjes së radhës?
Pres më shumë nga skuadra. Ndaj Tiranës lojtarët janë shumë të motivuar, nuk kemi asnjë problem, qoftë me mungesa apo gjëra të tjera. Futbollistët janë likuiduar të gjithë financiarisht dhe janë të qetë. Mendoj se jemi në formë të mirë dhe duhet ta mposhtim Tiranën.
Flamurtarin e prisni në Ballsh, ju bën optimist ky fakt se mund të fitoni duelin e mbijetesës?
Kalendari është në favorin tonë. Ne presim Tiranën dhe Laçin në Ballsh. Më pas vjen Flamurtari, që sigurisht nuk do ta presim me buqeta me lule. Kampionatin e mbyllim në Shkodër, por nuk i dihet deri atëherë si mund të jetë renditja. Unë besoj se do të jetë ndeshja me Vllazninë ajo që do të vendosë fatin e ekipit që do të zbresë.
Përgatiti: JORGIS MEMO