Kuqezinjtë edhe pse e nisën me shumë vonesë merkaton, pasi larguan pjesën më të madhe të futbollistëve të sezonit të fundit, duket se po shkojnë drejt fundit.
Drejtuesit e Flamurtarit presin edhe dy goditje të fundit, për ta pasur grupin të plotësuar dhe ndoshta për ta mbyllur merkaton. Në një prononcim për "Panorama Sport", trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, ka theksuar dje se merkato po shkon drejt fundit dhe se në dispozicion ka një grup që po kompletohet.
Por trajneri nuk ka pranuar të flasë me emra konkretë lojtarësh. Magani tha se pret në ekip edhe dy mbrojtës dhe më pas merkato mund të cilësohet e mbyllur.
"Grupi i lojtarëve që kam në dispozicion është i plotë. Po shkojmë drejt fundit të merkatos. Besoj se ekipi ka nevojë edhe për dy lojtarë.
Do të synojmë që të bëjmë përforcime në mbrojtje. Pra, duam që të marrim edhe dy mbrojtës. Mund të them se ekipin e kemi gati dhe në fazën përgatitore në Slloveni do të shkojmë të plotë", tha Magani.
Merkato në mbrojtje- Flamurtari ka arritur akordin me një futbollist slloven. Bëhet fjalë për një mbrojtës që me shumë gjasa sot mbërrin në Vlorë. Gjithçka konfirmohet për "Panorama Sport" nga burime të sigurta pranë Klubit të Futbollit Flamurtari.
Slloveni luan si qendërmbrojtës dhe duket se është një alternativë e mirë për të përforcuar këtë repart, duke përmbushur edhe një ndër kërkesat e trajnerit Magani.
Klubi nuk e bën me dije emrin e futbollistit, ndërsa konfirmohet se ka një akord të arritur mes palëve dhe se zyrtarizimi mbetet një formalitet. Mësohet se për këtë lojtar e ka dhënë aprovimin paraprak edhe trajneri Magani, por tekniku do ta shohë edhe nga afër në stërvitje.
Po ashtu, një tjetër pistë mbetet edhe ajo e ish-kapitenit Franc Veliu. Mbrojtësi vlonjat u takua me trajnerin Magani dhe së fundmi edhe me administratorin Idrizi.
Ky i fundit konfirmoi se Veliu e ka derën të hapur te Flamurtari. Mesa duket, gjithçka mbetet në dorën e ishkapitenit që të vendosë për të ardhmen dhe për një rikthim të mundshëm në Vlorë.
Grupi - Gugash Magani është i kënaqur me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. Por, pavarësisht kësaj, për gazetën trajneri peqinas është shprehur modest kur pyetet për reagimin e lojtarëve.
"Reagimi është i mirë, por pavarësisht kësaj na duhet kohë. Është shpejt akoma që unë të jap një vlerësim të plotë për lojtarët. Inkuadrimi i tyre, duke parë çfarë po bëjnë në stërvitje apo edhe në ndeshjet brenda grupit, është i mirë", u shpreh trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani.
ERMAL SIKA